Nga Dr. Muaz Agushi- Pas legjitimimit të pluralizmit politik në Maqedoni, edhe pse me vonesë në krahasim me mjediset e tjera të ish-Federatës Jugosllave, formimi i partive politike u shfaq si nevojë e kohës edhe për Maqedoninë. Në Maqedoni për një periudhë mjaft të shkurtër u formuan një numër relativisht i madh i partive politike që përfaqësonin shtresa të ndryshme shoqërore dhe etnitete të ndryshme. Sa i përket spektrit politik shqiptarë, dy partitë e para politike që artikulonin interesat e popullatës shqiptare në Maqedoni në fillim të pluralizmit ishin: Partia për Prosperitet Demokratik (PPD) dhe Partia Demokratike Popullore (PDP).
Partia për Prosperitet Demokratik (PPD) u formua më 15 prill 1990, ndërsa regjistrimi u bë më 25 maj 1990. Themelimi i këtij subjekti politik, ringjalli shpresat për të vazhduar përpjekjet institucionale të shqiptarëve brenda sistemit të shtetit, që të avancohet statusi i tyre. Kjo parti depërtoi brenda një kohë të shkurtër në të gjitha poret e shoqërisë shqiptare në Maqedoni dhe diasporë. Ajo rekrutoi në rradhët e veta pjesën më të madhe të shqiptarëve të interesuar për lëvizjet politike në vend, pa asnjë përzgjedhje. Partia për Prosperitet Demokratik, e cila tani ekziston vetëm formalisht, është partia e vetme shqiptare që ka ndërruar më shumë drejtues. Nevzat Halili, ishte kryetari i parë i Partisë për Prosperitet Demokratik. Edhe pse për rreth 4 vite ka qëndruar në krye të kësaj partie, ai nuk arriti të ulet në asnjë funksion, madje nuk ishte as në mesin e grupit të parë parlamentar që doli nga zgjedhjet e para demokratike të vitit 1991. Pas shkarkimit të Nevzat Halilit nga posti i kryetarit të PPD-së, në vitin 1994, në krye të kësaj partie përkohësisht emërohet Xheladin Murati, i cili qëndron në këtë post për disa muaj, kur Kuvendi i partisë zgjedh për kryetar Abdurrahman Aliti, një nga funksionarët më të lartë dhe deputet i kësaj partie që nga përbërja e parë parlamentare. Aliti është zgjedhur deputet i PPD-së për tre mandate radhazi, që nga viti 1991 deri në vitin 2002. Pas largimit të Abdurrahman Halitit, në krye të Partisë për Prosperitet Demokratik në vitin 2000 zgjidhet Imer Imeri, i cili në vitin 1993 ka qenë zëvendësministër i Shëndetësisë në Qeverinë LSDM-PPD. Në vitin 2001, në cilësinë e kryetarit të PPD-së, Imer Imeri ka qenë një nga nënshkruesit e Marrëveshjes së Ohrit, bashkë me kryetarin e ndjerë të PDSh-së, Arbën Xhaferi dhe përfaqësuesin e atëhershëm të UÇK-së, Ali Ahmeti. Në vitin 2003 në krye të Partisë për Prosperitet Demokratik erdhi Abdylmenaf Bexheti. Paraprakisht si kuadër i po kësaj partie, ai ka qenë ministër i Transportit dhe Lidhjeve deri në vitin 1998. Në krye të PPD-së, Bexheti qëndroi vetëm një vit e gjysmë, ndërsa për shkak të angazhimeve akademike, në vitin 2004 dha dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryetarit të partisë. Pas largimit të Abdylmenaf Bexhetit në vitin 2004, kryetar i Partisë për Prosperitet Demokratik zgjidhet Abdyladi Vejseli. Ai njëherësh ka qenë deputet i kësaj partie që nga zgjedhjet e vitit 1994, ndërsa është rizgjedhur në këtë post për 14 vite radhazi, në zgjedhjet e vitit 1998, 2002 dhe 2006. Në zgjedhjet e vitit 2006 Vejseli zgjidhet deputet nga lista e përbashkët e BDI dhe PPD, ndërsa më pas braktis grupin parlamentar dhe iu bashkëngjit koalicionit qeveritar VMRO-PDSH.
Në zgjedhjet e vitit 2008 Vejseli kandidon si bartës i listës së PPD-së për deputetë në njësinë e 6 zgjedhore, por partia e tij nuk fitoi asnjë mandat. Në vitin 2009 Vejseli e shkiru PPD në PDSH, por vendimin e tij e kundërshtuan disa anëtarë të tjerë të cilët vendosën të vazhdojnë pa të veprimin e partisë. Më pas timonin e PPD-së e morri Sefedin Haruni, i cili erdhi pas largimit të Abdyladi Vejselit në PDSH. Haruni ka qenë deputet i kësaj partie në dy përbërje të Parlamentit, 1994-1998 dhe 1998-2002. Gjatë qëndrimit të tij në krye të partisë, PPD pësoi humbjen e dytë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2011, kur nuk arriti të sigurojë asnjë ulëse në Parlament. Edhe më vonë janë mbajtur disa kongrese të jashtëzakonshëm nga njerëz të cilët thirreshin në emer të PPD-së duke zgjedhur kryetar, siç ishte rasti me Arben Rusin, Jeton Xheladinin, Nexhat Bexhetin, Esat Asllanin, Faton Alitin. Ndërsa në gusht të 2017 në Kongresin e shtatë të jashtëzakonshëm të PPD-së, rreth 700 delegatë të Partisë për Prosperitet Demokratik zgjodhën Abdyladi Veselin kryetar të PPD-së,
Partia Demokratike Popullore (PDP), gjithashtu me seli në Tetovë, u themelua më 23 qershor të vitit 1990, ndërsa u regjistrua në Gjykatën themelore në muajin gusht të po të njëjtit vit. Kryetar i parë i saj u zgjodh mjeku nga Tetova, Jusuf Rexhepi e më pas Iljaz Halimi.
Partia Republikane (PR), u themelua në muajin gusht të vitit 1992 nga një grup intelektualësh të asaj kohe të udhëhequr nga Miftar Ziberi dhe Muhamed Halili.
Lidhja Demokratike Shqiptare – Partia Liberale (LDSH – LP), u themelua në vitin 1992 nga Xhemil Idrizi dhe Hysen Ramadani. Kjo parti ka qenë shumë kritike ndaj koalicionit PPD-PDP duke i akuzur se janë shumë radikal në qëndrimet e tyre. Kjo parti ka mbështetur pa rezervë sovranitetin dhe pavarësinë e Maqedonisë.
Në fillim të vitit 1993 themelohet Partia e Aksionit Demokratik- Rruga Islame (PAD-RRI), me kryetar Qenan Mazllamin. Në vitin 1996 i ndrohet prapashtesa nga Rruga Islame në Rruga e vërtetë. Themeluesit e kësaj partie thirreshin se kjo parti është parti si motër e SDA-së të BeH të udhëhequr nga Alia Izetbegovic.
Në kongresi e dytë të PPD-së, më 12 shkurt 1994 në Tetovë, shfaqet një fraksion brenda partisë, të udhëhequr nga krytari i degës së Tetovës, Menduh Thaçi, ku për herë të parë publikisht sulmohen funksionarët partiak, deputetët dhe ministrat. Pasiqë grupi i deputetëve dhe i ministrave, me një grup të vogël të përkrahësve, e lëshuan Kongresin, ky fraksion i vazhdoi punimet deri në orët e mëngjesit, me ç’rast u zgjodh edhe kryesia e re dhe Arben Xhaferi u zgjodh kryetar i ri i partisë. Me 13 shkurt 1994, PPD-ja, kishte dy kryetar dhe dy kryesi të partisë. Në të parën në Pallatin e Kulturës kryetar doli Arben Xhaferi, ndërsa në të dytën në Kuvendin Komunal, u zgjodh Xheladin Murati. Të dy grupet thirreshin në emrin e PPD-së dhe thonin së PPD-ja është një. Më 6 maj të vitit 1996 fraksioni i Arbër Xhaferrit dhe Menduh Thaçit formoi Partinë e Prosperitetit Demokratik të Shqiptarëve (PPDSH), pasi emrin zyrtar me vendim gjykate e mbanin funksionarët e PPD-së. PPDSH-ja në korrik të 1997 mbajti kongresin e saj dhe bashkohet me Partinë Demokratike Popullore dhe formohet Partia Demokratike Shqiptare. Në kongresin e katërt të PDSH-së të mbajtur në Strugë, Menduh Thaçi zgjidhet kryetar i PDSH-së. Ai e zëvendësoi Arbër Xhaferrin i cili u tërhoq nga ky post për shkaqe shëndëtësore.
Kryetari i parë i PPD-së, Nevzat Halili, në fillim të vitit 1994 themeloi Partinë Republikane të Unitetit Popullor (PRUP), me të cilën nuk pati sukses. I njëjti në vitin 2019 provoi të rikthehet në politikë me Lëvizjen Ilirida e cila vepron në teritorrin e Maqedonisë që nga viti 2004 e që kishte për qëllim federalizimin e shtetit me metoda demokratike të shprehura me votën e lirë të qytetarëve.
Ish zyrtari i lartë i PPD-së, Asllan Selmani në vitin 2000, pati formuar Aleancën Demokratike Shqiptare (ADSH), por nuk pati ndonjë sukses të caktuar. Kjo parti shumë shpejt u zhduk nga skena politike. Të njëjtin fat, e pati edhe Partia për Bashkimin Demokratik Shqiptar (PBDSH), e cila u themelua në vitin 2000. Këtë parti e ka drejtuar profesori i Edukatës Fizike në Universitetin e Tetovës (USHT), Besnik Telai.
Në mars të vitit 2001, pas ndodhive në Tanushë që paralajmëronin fillimin e konfliktit të armatosur të vitit 2001, nga një grup aktivistës shqiptarë, të pakënaqur me statusin juridiko-politik të shqiptarëve në Maqedoni, themelohet Partia Demokratike Kombëtare (PDK) e drejtuar nga ish zëvendës kryetari i PDSH-së Kastriot Haxhirexha. Kuvendi themelues i PDK-së u mbajt në sallën e Teatrit të Dramës Shqiptare në Shkup më 12 mars 2001. Sipas programit politik të kësaj partie, federalizimi i Maqedonisë do të ishte zgjidhja me e mirë për shqiptarët në Maqedoni. PDK bashkë me PPD dhe disa OJQ të lidhura ngushtë me këtë parti, organizuan protestën e 14 marsit të vitit 2001, ku për herë të parë dëgjoheshin të shtëna armësh nga ushtarët e UÇK-së. Kësaj partie, pas konfliktit të 2001 do t’i bashkangjitet Xhezair Shaqiri, i njohur si Komandat Hoxha.
Pjesa më e madhe e partive politike shqiptare, janë themeluar pas konfliktit të vitit 2001. Të pakënaqur nga partitë amë, grupe të caktuara njerëzish dhe individë iniciuan themelimin e partive politike, por disa nga këto parti nuk arritën të legjitimohen përpara zgjedhësve shqiptarë.
Deputeti i pavarur, Mevlan Tahiri, në vitin 2002 themeloi Partinë e re Republikane (PR), e cila më pas hyri në koalicion me Partinë Demokratike Shqiptare (PDSH) dhe për një kohë të shkurtër u zhduk nga skena politike.
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), ishte partia më e re e shqiptarëve në Maqedoni në fillim të mileniumit të ri, por jo edhe e fundit. Nisma për themelimin e BDI-së u nxit në përmasa të mëdha nga dështimi i Këshillit Koordinues të partive politike shqiptare në Maqedoni. BDI-ja mbajti Kuvendin Themelues në korrik të vitit 2002 dhe për një kohë shumë të shkurtër arriti t’i instalojë strukturat e saj në të gjitha vendbanimet e banuara me shqiptarë. Kryetar i kësaj partie prej themelimit është Ali Ahmeti. Më 20 qershor 2003, lideri i BDI-së dhe i PDK-së nënshkruan aktin solemn të shkrirjes së PDK-së në një subjekt të përbashkët me BDI-në, ku në të ardhmen këto dy parti do të vepronin si një subjekt politik me statutin, platformën politike dhe simbolet e BDI-së.
Ish deputeti Hysni Shaqiri, pas braktisjes së BDI-së në korik të vitit 2005 formoi Forcat e Reja Demokratike (FRD). Shtyllat themelore të programit politik të kësaj parti ishin: ndershmëria, besimi, kurajo, transparenca dhe largpamësia. Anëtarët e bordit të kësaj partie ishin, nga Shkupi si Agron Zajazi nga Tetova, Arben Rusi nga Gostivari, Vebi Ramadani nga Dibra, Luan Haxhirexha dhe nga Komuna e Sarajit Nasar Hamiti. Pas shuarjes së FRD-së, në janar të vitit 2007, Hisni Shaqiri themelon partinë tjetër politike Bashkimin Demokratik Kombëtar (BDK), ku në platformën e kësaj partie thuhet se e vetmja zgjidhje në Maqedoni që garanton perspektivë dhe një ardhmëri më të mirë për shqiptarët është federalizimi. Pas përpjekjeve të shumta për koalicionim me disa parti më të vogla shqiptare kjo parti zhduket nga skena politike në Maqedoni.
Gjatë vitit 2006 skenës politike në Maqedoni i shtohen edhe dy parti politike shqiptare, edhe atë Partia për Ardhmëri Demokratike (PAD) dhe Alternativa Kombëtare (AK).
Ish kryetari i komunës së Tetovës dhe ish ambasadori i Maqedonisë në Zvicër nga rradhët e PDSH-së Alajdin Demiri, ka provuar të formojë një subjekt politik Partia për Ardhmëri Demokratike (PAD), por kjo parti nuk pati të ardhme.
Gjithashtu Harun Aliu, njëri ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), i njohur ndryshe me emrin Komandat Kushtrimi i pakënaqur nga Marrëveshja e Ohrit dhe veçanërisht me mos implementimin e saj ai së bashku me disa shokë të tij që nuk pajtoheshin me aktivitetin dhe të arritur e partisë së dalë nga lufta e vitit 2001, BDI, në vitin 2006 themeloi partinë politike Alternativa Kombëtare (AK). AK si parti kishte për qëllim të sjellë një mentalitet të ri, një frymë të re politike dhe kuadro të reja dhe të afta që nuk i është dhënë rasti, figura të reja të pakompromituara për t`i dhënë një shtytje përfundimtare procesit të rrumbullaksimit të çështjes shqiptare në Maqedoni, avancimit të pozitës konform standarteve që i kërkon fryma evroperendimore dhe e bazuar në Marrëveshjen e Ohrit. Në zgjedhjet parlamentare të 2008 bashkë me disa parti të vogla arritën koalicion me PDSH-në.
Bardhyl Mahmuti, njëri ndër udhëheqësit e Lëvizjes Çlirimtare të Kosovës (LÇK), pasi braktisi PDSH-në, në shtator të vitit 2007, formoi Bashkimin Demokratik Shqiptar (BDSH). Kjo parti ishte kundër unitarizmit dhe sovranitetit ekskluziv nga lartë poshtë dhe angazhohej për ridefinimin e shtetit të Maqedonisë si shtet binacional ku sovraniteti nga poshtë – lart i shprehur përmes formës konfederale apo federale, që mund të merr formën e njësive autonome të krahinave, të kantoneve apo strukturave të tjera si ndërmjetësuese përmes të cilave do të sigurohet funksionimi demokratik i shoqërisë shumë etnike dhe realizimi i të drejtave legjitime të shqiptarëve në Maqedoni.për momentin ky parti nuk është aktive.
Me 17 shtator 2008, Imer Selmani, ish-ministër i Shëndetësisë i PDSH-së, së bashku me personalitete të njohura të jetës publike, sektorit joqeveritar, ish-anëtarë të partive politike, deputetë e ministra ka formuar partinë Demokracia e Re (DR). Në kongresin e dytë të DR-së, i cili u mbajtë në mars të vitit 2012, të cilit i paraprinë pakënaqësitë e disa anëtarëve kontestues të legjitimitetit të kryesisë së re, kryetari i ri i DR-së u zgjodh Kastriot Haxhirexha.
Partia politike Lidhja Shqiptare (LSH), zyrtarisht është formuar më 29 nëntor 2010, me kryetar Valon Belën. Kjo parti ka synuar kantonizimin e Maqedonisë, në një kanton shqiptar, një maqedonas dhe një të përzier. Para zgjedhjeve parlamentare të 2011 kjo parti shkrihet në PDSH, ndërsa kreu i kësaj partie merr pozitën e nënkryetarit në PDSH.
Profesori universitare dhe ish deputeti nga rradhët e PDSH, Rufi Osmani, më 27 mars 2011 promovoj partinë e tij të quajtur Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK). Pikat kyçe të platformës politike të RDK-së ishin: avancimi i statusit të shqiptarëve si popull shtetformues në Maqedoni, parimi i konsensusit politik, zyrtarizimi i gjuhës shqipe në gjitha nivelet nacionale, ndarja proporcionale e buxhetit të shtetit në investimet kapitale, etj. Pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e vitit 2014, Rufi Osmani dha dorëheqje nga posti i krytarit të partisë, ndërsa me partin do të udhëheq Këshilli i Përkohshëm Drejtues i përbërë nga Zenun Ismaili, Vesel Memedi dhe Binaz Pajaziti. Më 15 maj 2014 këshilli i përkohshëm drejtues vendosi të shpallë moratorium, i cili zgjati më shumë se gjashtë muaj. Në dhjetor po të njëjtit vit kryetar i ri i RDK-së u zgjidhet Vesel Memedi. Para zgjedhjeve parlamentare të 2016, filluan probleme edhe në këtë parti. Më 13 mars 2016, u mbajtën dy mbledhje paralele edhe atë në zyrat e RDK-së në Gostivar zhvillonte mbledhjen Vesel Memedi me përkrahësit e tij, ndërsa kryesia e RDK zhvillonte mbledhje të Kuvendit qendror në Tetovë ku shkarkohet Vesel Memedi dhe në vend të tij emërohet si kryetar i RKD-së Fadil Zendeli. Pas vendimit të gjyqit se kryetar legal dhe legjitim i RDK-së është Vesel Memedi, grupi i Fadil Zendelin në zgjedhjet e 2016 bashkë me Lëvizjen Besa formuan koalicionin “Rilindje me Besë”, ndërsa RDK e Vesel Memedit u bë pjesë e koalicionit “Aleanca për Shqiptarët”, bashkë me LR-PDSH dhe UNITETIN.
Në skenën politike në Maqedoni, paraqitet një subjekt krejtësisht i ri, me njerëz të rinj, të shkolluar, pa ndonjë provojë të madhe politike të cilët me 22 nëntor promovuan Këshillin nismëtar 52 anëtarësh, konceptin e veprimit të saj politik dhe zgjodhi Bilall Kasmin si kryetar i kësaj Lëvizje. Fokusi kryesor i kësaj lëvizje sipas themeluesve të saj, ishte krijimi i një shteti simetrik, i cili do të angazhohet për të drejta të barabarta për shqiptarët por edhe të gjithë qytetarët në vend, një shtet që do të funksionojë mbi parimet e drejtësisë, lirisë, demokracisë. Lëvizja “BESA” u formua si një parti me orientim kombëtar, por fakti se në mesin e themeluesve të kësaj partie kishte eksponentë që praktikonin fenë dhe nuk e fshehnin, kësaj force politike iu mvesh epiteti “parti fetare”, e shpesh e ndërlidhur me Erdoganin, Turqinë dhe Katarin. Edhe pse në fillim udhëheqësia e saj dukej shumë unike me një strukturë të shtrirë në të gjitha pjesët e Maqedonisë ku jetonin shqiptarët, si duket sindromi i përcarjes, mosmarveshjes dhe luftës për të parin e partisë nuk i shpëtoi as edhe Lëvizjës BESA. Mënjëherë pas zgjedhjeve lokale, Lëvizja BESA është ndarë në dry fraksione, ata që përkrahin Bilall Kasamin si lider të kësaj partie dhe ata që kërkonin shkarkimin e tij të udhëhequr nga deputeti Nexhbedin Kahremani të njohur si “krahu i Shkupit”. Historia përsëritet, dy krahët thonin së BESA është një dhe nu ka dy BESA, por të dy fraksionet mbajtën kongreset e tyre. Fraksioni i udhëhequr nga Nexhbedin Karemani do të mbajë kongresin e parë më 18 shkurt në Pallatin e Kulturës në Tetovë dhe për kryetar do të zgjedh Afrim Gashin, ndërsa nga ana tjetër, Lëvizja Besa e udhëhequr nga Bilall Kasami do të mbajë kongresin më 24 shkurt në Shkup dhe do të rizgjedhet kryetar i partisë. Pas një betejë të gjatë se kujt i takojnë vulat e partisë, në tetor të 2018, Gjykata Themelore 2 e Shkupit vendosi se kryetar i Lëvizjes BESA mbetet Bilall Kasami. Ndërsa grupi i udhëhequr nga Nexhbedin Kahremani dhe Afrim Gashi formuan parti të re.
Pas përjashtimit nga PDSH-ja në janarë të 2014, Ziadin Sela, filloi procesin e reformimit të PDSH, dhe largimin e Menduh Thaçit nga pozita e kryetarit të saj. Por pasi e humbi betejën për marrjen e timonit të PDSH, në 22 mars të vitit 2015, vendosi që të themelojë partinë Lëvizja për Reforma në PDSH (LR-PDSH). Kjo parti kishte për qëllim kryesor arritjen e barazisë së plotë kombëtare midis shqiptarëve dhe maqedonasve në të gjitha fushat, nga investimet, deri tek përfaqësimi institucional, qasja e drejtë në institucionet shtetërore, punësimi, infrastruktura dhe rritja e nivelit të vetëdijes kombëtare. Në gusht të 2017 LR PDSH vendosi të riemërtohet në “Aleanca për Shqiptarët” (ASH).
Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe nënkryetari i Parlamentit, gjeneral Gëzim Ostreni, së bashku me anëtarë të tjerë të BDI-së, në vjeshtën e vitit 2015 vendosën ta braktisin BDI-në dhe ta krijojnë një parti të re të quajtur “Uniteti”. Uniteti në zgjedhjet e vitit 2016 do të garonte në listë të përbashkët me “Aleancën për Shqiptarët”, por nuk ia doli ta fitonte asnjë deputet.
Gjatë vitit 2018, në skenën politike të Maqedonisë së Veriut lindën edhe dy parti politike. Në muajin prill Partia e Popullit (PP), e udhëhequr nga ish-ministri i ekologjisë, diplomat dhe politikani nga Tetova Xhelil Bajrami si dhe me 2 maj Lëvizja për Shtet dhe Drejtësi (LSDH) me kryetar Adnan Abdullahu – Voka.
Partia më e re shqiptare në Maqedoni është “Alternativa”, e cila u themelua në mars të 2019, me kryetar Afrim Gashi. Kjo parti synon që shtetin e Maqedonisë së Veriut ta kthejë në shtet simetrik, ku shoqëria është kompatibile në raport me shtetin, të ndërtojë sistem gjyqësor të pavarur dhe profesional, të ofrojë zgjidhje të gjitha tensioneve dhe urrejtjeve ndëretnike dhe religjioze, duke i zhdukur të gjitha format e diskriminimeve në baza nacionale, religjioze, racore e gjinore të qytetarëve të RMV -së.