NGA SELIM IBRAIMI- Në vitin 2016 para se LSDM-ja të vinte në pushtet, një numër i konsiderueshëm i votuesëve tradicional shqiptarë gjatë zgjedhjeve parlamentare, votoi LSDM. Propaganda e huaj dhe ajo e mbështetur nga organizatat lokale, krijuan një atmosferë tek elektorati shqiptarë që besimi ndaj LSDM—së të rritet dhe të duket parti që në të vërtetë përfaqëson interesat e votuesëve shqiptarë.
Pothuajse katër vite pas 2016-ës, gjendja ndryshoi në favor të sferës etnike votuese, duke nxjerrë kësaj here një rezultat më ndryshe me një strukturë votuesish që e hodhën poshtë konceptin e LSDM-së.
BDI dhe koalicioni Aleanca e Shqiptarëve (ASH)-Alternativa (AA), ishin fituesit më të mëdhenj të këtyre zgjedhjeve duke i grumbulluar rreth vetes votuesit tradicional shqiptarë. Mirëpo, mbetet të shihet nëse pozita e kryeministrit do të bëhet pjesë e bisedimeve (pazarit) në mes LSDM-së dhe BDI-së dhe a do të mund ASH-ja nëpërmes protestave të hy në qeveri si bllok kundër BDI-së dhe anasjelltas të mbetet jashtë kombinimeve. Akrobacionet do të bëhen më të qarta, pasi të fillojnë bisedimet për formimin e qeverisë.
Ulja e numrit të votave shqiptare për LSDM-në dhe asnjë votë të themi për partinë e qendrës së djathtë VMRO-DPMNE, janë indikatorë se kah duhet të shkojë vota dhe vullneti i votuesëve në të ardhmen. Në sistemin aktual maqedonas, votimi i një partie maqedonase nga shqiptarët dhe aspak votues maqedonas për një parti shqiptare, mund të konsiderohet si mangësi e demokracisë dhe gjendjes së brishtë që ekziston në Maqedoninë Veriore.
Mirëpo ky është realiteti në MV që nuk pritet të ndryshojë pasi në një ambient të vrazhdë etnik, vota etnike është e prirur të bëhet pjesë e “kumarit” partiak dhe të grupeve të interesit, dhe pastaj ky vullnet elektoral do të paraqitet si interes kombëtarë i partive politike.
Para zgjedhjeve dhe deri në formimin e qeverisë së re të MV-së, verdikti ka gjasa të keqpërdoret për të hyrë në koalicione për të formuar qeverinë në Shkup. Nuk duhet harruar se jo çdoherë dëshirat personale përkojnë me ato të elektoratit. Akrobacionet e mundshme partiake për tu bërë pjesë e qeverisë, ka shumë mundësi të shtypin zërin e votuesit të korrikut.
Veç kësaj potenciali i partive shqiptare për të vendosur se kush do të formojë qeverinë e re është rritur duke falenderuar votën etnike e cila është bërë mjet i fortë për t’u bërë ballë tendencave për bashkëshkrirje të partive shqiptare me ato maqedonase për interesa personale karrieriste dhe të grupeve të interesit dhe gjithnjë duke i paraqitur në fund këto shkrirje si objektiva kombëtare para formimit të qeverive apo formave tjera të bashkimit. Partia dominuese në qeveri do të arrijë të drejtojë agjendën e partive me fuqi të dobtë politike, ndërsa partitë e koalicioneve krejt këtë proces do ta interpretojnë si “politikë reale”, kombëtare dhe kundër BDI-së. (ISSDMaqedonia-@CSSDMacedonia)