Po qe se do të vazhdohet të pritet edhe më shumë, të mos veprohet në gjetjen e metodave alternative të prodhimit të energjisë dhe sigurimit të lëndës së parë nga partnerë të sigurt, atëherë kriza energjetike do të mund të transformohet në krizë politike dhe sociale që nga BE-ja, e deri në Ballkan. Ballkani do të bëhet edhe më i ndjeshëm nga mungesa e prodhimit të energjisë gjatë vitit 2023. Shtetet e rajonit e kanë infrastrukturën energjetike të vjetruar dhe të ndërtuar tërësisht sipas modelit sovjetik.

Shkruan: Selim Ibraimi, Washington

Kur filloi lufta në Ukrainë, komuniteti ndërkombëtar demokratik u rreshtua përkrah Kievit. Edhe shtetet e Ballkanit, me përjashtim të Serbisë, qëndruan pas, pa e ditur se një ditë lufta në Europën Lindore dhe ndërprerja e gazit rus do të sjellë një dimër të ftohtë, duke filluar nga Europa Qendrore, Perëndimore, e deri në shtetet e hapësirës ish jugosllave. Pasojat e rritjes së çmimeve të produkteve bazë, mungesës së gazit dhe pasigurisë se si të veprohet më tej, janë bërë përditshmëri në Ballkanin Perëndimor. Realisht, pushtimi rus i Ukrainës e ka ndryshuar peizazhin për një tranzicionin energjetik të qetë. Rusia, me veprimet e fundit, ka krijuar pasiguri globale, një gjendje e cila nuk jep shumë shpresë se do të mund të normalizohet këtë vit dhe vitin tjetër. Gjeostrategjisti polako-amerikan dhe ish këshilltari i sigurisë kombëtare në administratën e presidentit amerikan Karter, Zbigniev Brzhezhinski, qysh para tri dekadave e kishte përshkruar Ukrainën si një “strumbullar gjeopolitik”. Dhe, tani, analiza e Brzhezhinskit është bërë realitet që ka shpërthyer shumë keq me kërcënimin rus të përdorimit të armëve bërthamore.

Gara historike në Detin e Zi

Nga këndvështrimi historik, që nga mesi i shekullit XIX, Perëndimi ka garuar me Rusinë për Krimenë dhe, më konkretisht, duke qenë rival me fuqinë detare të Rusisë Cariste në Detin e Zi. Në Luftën e Krimesë së viteve 1853-56, Franca dhe Britania e Madhe e pushtuan portin detar të Sevastopolit. Kjo ishte një gjendje e përkohshme, për ta vazhduar garën deri në fund të vrasjes së Carit rus, Nikollas, nga bolshevikët. Lufta e Ftohtë ishte një garë tjetër për ndikim ideologjik dhe garë për në hapësirë. Sot, lufta në Ukrainë dhe pjesëmarrja, diku e drejtpërdrejtë e diku tërthorazi, e Perëndimit, mund të quhet si “Lufta e Dytë e Krimesë”, e cila është një luftë moderne me dronë dhe mjete të tjera të Geoint-it. Nga ana tjetër, SHBA-ja e ka konsideruar prej kohësh çdo cenim nga fuqitë e mëdha të hemisferës perëndimore si një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e SHBA-së dhe kjo politikë e jashtme daton që nga “Doktrina Monroe” e vitit 1823. Para ta pushtonte Krimenë, në vitin 2014, dhe ta bënte agresionin e shkurtit të këtij viti, Moska ishte në një rivalitet me SHBA-në për tubacionet energjetike, ku Rusia ishte në përparësi ndaj botës perëndimore. Këtu duhet përmendur një rast për krahasim të ngjarjeve të sotme. Aty nga fillimi i viteve të ‘70 -ta të shek. XX, konsumi amerikan i naftës rritej, edhe pse prodhimi vendas i naftës binte, duke çuar kështu në një varësi të plotë SHBA-në nga nafta e importuar nga jashtë, sidomos nga shtetet arabe. Kështu në vitin 1973, një embargo e naftës e vendosur nga anëtarët e OPEC-ut çoi në mungesë të karburantit dhe rritje të çmimeve të produkteve, duke pasur një ndikim të fuqishëm e negativ në ekonominë amerikane dhe atë globale. Pesë dekada më pas veprimet e Rusisë kanë efekte të mëdha në ekonomitë e varura nga gazi rus dhe infrastruktura e vjetër energjetike rajonale.

Destabilizimi energjetik në Ballkan

Kriza energjetike, e cila i ka prekur më shumë shtetet që nuk kanë kapacitete të prodhimit të energjisë, i ka bërë ato më të ndjeshme nga politikat ruse, të cilat kanë për synim destabilizimin e sektorit energjetik dhe përmbushje të objektivave politike ruse për ta shndërruar krizën e re në trazira social-ekonomike në shtetet e BE-së dhe të Ballkanit. Në fakt, në këtë situatë të imponuar gjatë vitit 2022, modeli ekonomik i përfitimit të energjisë luan rol qendror në atë se si një shtet do të mund t’i përballojë kërcënimet energjetike që vijnë nga Moska dhe shtetet armike. Duhet ta kuptojmë se Ballkani dhe BE-ja veprojnë në një ambient të ri politik dhe financiar të shkaktuar nga agresioni i Rusisë, me potencial për ta përdorur krizën energjetike si mjet për t’i luftuar demokracitë e reja dhe të vjetrat. Nga ana tjetër, veprimet e BE-së kanë qenë të ndara për sa i përket reagimeve kundër Rusisë. Franca dhe Gjermania dëshirojnë më shumë kohë për Rusinë, kurse Britania e Madhe, bashkë me SHBA-në, kanë mbajtur një qëndrim të ashpër dhe tërthorazi janë në luftë me Rusinë. Pavarësisht konkurrencës në energji, Rusia dhe SHBA-ja po i rikonfigurojnë raportet globale të energjisë, me pasoja të thella ekonomike dhe gjeopolitike, që nëse nuk menaxhohen gjatë 2023-tës, kriza aktuale do të lë pasoja afatgjate për ekonomitë e brishta të Ballkanit dhe të mbarë BE-së. Për dallim në BE-ja dhe Ballkani, në SHBA nuk vërehet aq shumë efekti i luftës energjetike. Kjo dëshmon për pavarësinë e SHBA-së në fushën e prodhimit të energjisë dhe të lëndëve djegëse. Njëkohësisht, kjo e bën SHBA-në të pavarur nga lëkundjet e tregjeve globale dhe nga politikat ruso-kineze kundër SHBA-së dhe ndaj disa shteteve të BE-së. Nga ana tjetër, qeveritë e Ballkanit Perëndimor nuk kanë shumë opsione. Ngrohjet qendrore ende po punojnë me gazin rus dhe rezervat nga vitet e kaluara të transportuara nga Rusia. Maqedonia e Veriut dhe Kosova nuk kanë alternativa të sigurta për furnizim me gaz, përveç furnizimit me gaz rus. Duhet thënë, madje, se edhe ky opsion është i pasigurt. BE-ja dhe SHBAja, njëherazi, kanë bërë disa përpjekje për t’i rritur kapacitetet energjetike të vendeve të rajonit, por përveç thirrjeve publike të autoriteteve qeveritare për shfrytëzim racional dhe të kufizuar të energjisë elektrike, nuk ka diçka konkrete nga qeveritë rajonale e as nga Perëndimi,.

Turqia si nyjë e sigurisë energjetike

Rusia papritmas njoftoi se është e gatshme të lëshojë gaz për BE-në dhe Ballkanin nëpërmjet Turqisë. Më këtë Turqia bëhet një shtet me rol qendror për paqen dhe luftën, duke e pasur në dorë gazin. Qeveritë e rajonit, me përjashtim të Serbisë e cila ka siguruar ndihmë nga Turqia dhe është në gjendje të prodhojë energji dhe lëndë të parë për ngrohje, shtetet e tjera kanë dështuar në strategjinë kombëtare të sigurisë energjetike. Dihet se politikat e shteteve të rajonit duhet të jenë të njëjta me ato të BE-së, pra ato energjetike, por përderisa BE-ja është në gjendje të rëndë, atëherë interesi nacional i shteteve është që të gjejnë rrugë të tjera të furnizimit me gaz e të mos presin aq shumë nga shtetet e BE-së.

Duhet pranuar se kohë më të mira nuk do të vijnë, pasi kemi të bëjmë me një zhvendosje globale të fuqisë dhe përpjekje për ndërrime në mënyrën e sigurimit të energjisë. Deri më sot, derivatet e naftës ende fitohen me shumicë nga hidrokarburet, kurse thëngjilli në shtetet e pazhvilluara dhe në transformim mbetet si lëndë e parë për ngrohje dhe për shfrytëzim në shumë degë të ekonomisë. Në kohën e konkurrencës globale që e ka hapur lufta në Ukrainë, është e pamundur të vazhdohet me të njëjtën formë të prodhimit të energjisë. Ballkani do të bëhet edhe më i ndjeshëm nga mungesa e prodhimit të energjisë gjatë vitit 2023. Shtetet e rajonit e kanë infrastrukturën energjetike të vjetruar dhe të ndërtuar tërësisht sipas modelit sovjetik. Është urgjencë kombëtare dhe i takon sferën së sigurisë që sektori energjetik, si pjesë e rëndësishme e infrastrukturës kritike, të pavarësohet dhe të modernizohet. Në të kundërtën, e ardhmja do të jetë më e rëndë se kriza aktuale që e ka përfshirë BE-në dhe, shumë keq, Ballkanin. Po qe se do të vazhdohet të pritet edhe më shumë, të mos veprohet në gjetjen e metodave alternative të prodhimit të energjisë dhe sigurimit të lëndës së parë nga partnerë të sigurt, atëherë kriza energjetike do të mund të transformohet në krizë politike dhe sociale që nga BE-ja, e deri në Ballkan. (Revista “SHENJA”, Shkup, nëntor, 2022)