Nga Pr. Dr. Etem Aziri- Viti që e përcollëm dukshëm na largoi nga përditshmëria politike. Pandemia na futi frikën në palcë. U vu në harresë edhe nisma e mjegullt për ndryshimin e sistemit zgjedhor që paraqet “hallkë” shumë të rëndësishme për demokracitë garuese. Heshtin të gjithë, pozita, opozita, sektori civil dhe ne votuesit e rëndomtë. Heshtje e çuditshme! Pse? Jemi me të vërtetë të kënaqur me sistemin zgjedhor aktual ose ka diçka që ne si njerëz të rëndomtë nuk e kuptojmë?! Në RMV priten zgjedhjet vendore, ndoshta edhe zgjedhje të përkohëshme parlamentare, dhe kjo nuk do të jetë diçka befasuese.
Analistët e zgjedhjeve dhe sistemeve zgjedhore heshtin, presin të mbahen zgjedhjet e pastaj para ekraneve televizive ta magjepsin (si zakonisht) publikun. Unë ndoshta për herë të fundit do të them dy tre fjalë përmes Facebokut se definitivisht sistemi aktual zgjedhor në RMV, nuk reflekton demokraci dhe është i favorshëm vetëm për partitë më të mëdhaja politike.
Vullneti i popullit nuk vjen në shprehje në shkallë të dëshirueshme. Në vitin 2013 në revistën “Politiçke Perspektive” dërgova punimin e titulluar “Sistemi zgjedhor dhe zgjedhjet në RM: “E kaluara, e tashmja dhe sfidat e së ardhmes”. Është fjala për revistë të përbashkët të fakulteteve të shkencave politike të Zagrebit dhe Beogradit me një Këshill Redaktues ku mernin pjesë personalitete si: Florian Bieber, Havier Bougarel, Eric Gordy, Zvonko Posavec, Zharko Puhovski, Vuçina Vasoviq e shumë të tjerë. Sinqerisht as që ëndërrova të publikohet punimi im. Por ja që u botua, ndoshta lexuesit do të mendojnë se profesori ka dhënë “ryshfet”. Në punimin në fjalë, shpalosa rezultatet e një hulumtimi të bërë me 500 qytetarë të rëndomtë. Rezulltatet e hulumtimit qartë flisnin se sistemi aktual zgjedhor dukshëm e devalvon votën elektorale e sidomos votën shqiptare.
Përfundim:
Për RMV-në më i përshtatshëm do të ishte “sistemi zgjedhor mazhoritarë”, dhe ende më mirë do të ishte një kombinim i sistemit britanik dhe sistemit francez.
Pas gjashtë vite e kam përsëritur hulumtimin me po të njëjtat parametra, rezultati është përafërsisht i njëjtë.
Rezultatet do ti publikoj edhe për opinionin edhe pse frikësohem shumë se do të dëshpërohen dhe do të hidhërohen shumë shokë e miq.
Nëqoftëse do ti publikojmë do të hidhërohen, nëqoftëse nuk do ti publikojmë përsëri do të dëmtohen. Dhe tash, a u tha diçka e re, diçka që ju nuk e dini? Definitivisht asgjë e re. Në RMV është aplikuar sistemi mazhoritar, një variant i zbetë i sistemit paralel (sistemit të kombinuar) dhe sistemi proporcional. Çka ka mbetur këtu?
Sistemi proporcional me lista zgjedhore të hapura ku territori i shtetit do të paraqiste një njësi zgjedhore?! Kush e afirmon këtë ide? Në bazë të cilave analizave ata mbështeten?! Kush na konsulton neve si votues?! Të përcaktohet një shtet për një sistem të caktuar zgjedhor në bazë të asaj që shkruhet në libra pa e konsultuar elektoratin është grusht i fortë kundër demokracisë. Ose së paku le të shlyhet nga Kushtetuta se sovraniteti del nga populli dhe i takon popullit. Sistemi zgjedhor duhet doemos të shprehë vullnetin e popullit dhe jo të partive.
Në Britani në vitin 2011 u mbajt një referendum i pa suksesshëm për ndërrimin e sistemit zgjedhor aktual. Në Zvicër sistemi zgjedhor proporcional filloi të aplikohet pas referendumit të suksesshëm të vitit 1919. Së fundi Komisioni Mbretëror Britanik qysh në vitin 1910 doli me të dhëna se në botë ekzistojnë afro 300 sisteme zgjedhore të ndryshme. Andaj është e vështirë të flitet për sisteme të përkryera zgjedhore. Sisteme të atilla nuk ekzistojnë askund në botë. Por për rrethanat tona, sistem zgjedhor i pranueshëm është sistemi zgjedhorë që do të mundëson një lloj pajtueshmërie shoqërore. Më pak i pranueshëm është për RMV sistemi zgjedhor që ndihmon tendencat e formimit të partive dominante të cilat në të gjitha aspektet e devalvojnë demokracinë dhe vullnetin e popullit.
Strukturat partiake mundohen me çdo kusht ta përshtatin sistemin zgjedhor sipas nevojave të tyre që d.m.th., se ata janë të prirura të krijojnë hapësirë për manipulim të zgjedhjeve. Xhovani Sartori, një emër i pakontestueshëm i shkencës thotë: “Sistemi zgjedhor është instrumenti më konkret politik për manipulim”.
Duke parë këtë çështje nga aspekti teorik, sistemi proporcional duhet të plotëson dy objektiva bazë: të siguron vende në parlament edhe për partitë më të vogla dhe të minimizon shkuarjen e votave në dëm të elektoratit.
Në RMV asnjëra objektiv nuk po plotësohet. Nga ana tjetër, listat e hapura aq të përfolura paraqesin vetëm një makiazh të zbehtë. Votuesit i mundësohet të bën radhitjen e kandidatëve sipas preferencave personale por në korniza të listave partiake. Votuesit simbolikisht përcaktohen për ushqimin e preferueshëm të servuar në tryezë. Çdo ushqim jashta tryezës është i ndaluar. Sistemi zgjedhor proporcional, liderët tanë të partive i ka shndërur në monark. Çdo gjë rrotullohet rreth tyre, pasi ata paraqesin “shpirtin e kombit”. Lidhjet midis elektoratit dhe deputetëve janë shkëputur gati se plotësisht. Deputetët veprojnë sipas urdhërit të liderit, kurse elektorati e luan rolin e “krymbit të mëndafshit”. Siç vërehet elektorati është shndëruar në një maqineri votuese, roli i tyre në politikëbërje është i barabartë me një zero të dyfishtë. Ky sistem në RMV definitivisht i ka mbyll dyert e parlamentit për kandidatët e pavarur, për ata që mendojnë ndryshe nga partitë politike.
Për më shumë, analizat e bëra flasin qartë se sistemi mazhoritar, nënvarianti i pari e mer postin do e kishte kthyer demokracinë në RMV në binar pa marrë parasyshë dobësitë që ajo i reflekton. Niveli i legjitimitetit me siguri nuk do të ishte nën nivelin e asaj që e kanë deputetët e zgjedhur sipas sistemit proporcional sot. Së paku sistemi i shumicës në “Sobranie” dukshëm më shumë do reflektonte vullnetin e popullit dhe do të minimizonte tendencat autokratike dhe oligarkike të partive politike aktuale.
Ju lutem bëni një krahasim mes deputetëve në zgjedhjet e para dhe të dyta parlamentare në kuptimin e cilësisë dhe përbërjeve parlamentare me fillimin e aplikimit të sistemit proporcional e deri më sot.
Dhe për fund, para do viteve një ish shok i dhomës së ditëve studentore më tha: Pse shkruan libra, edhe ashtu askush nuk i lexon? Edhe tani drejtpërsëdrejti dhe tërthorazi miqtë “qëllim mirë” më këshillojnë të mos bëj punë të kota. Më thonë se rrjetet sociale janë shumë të rrezikshme dhe shërbejnë vetëm për zbavitje, për të humbur kohën e tepërt. Por, përgjigja ime është e shkurtë dhe e qartë: Unë jam mbipartiak. Partia ime e vetme janë studentët dhe njerëzit qëllim mirë! Le të thotë një student i vetëm publikisht se unë e kam notuar sipas përkatësisë së tij partiake dhe se e kam thirrur në zyrë dhe i kam thënë për cilën parti të voton.
Andaj, librat e Etem Azirit, le ti lexojnë 10 persona, shkrimet në FB le ti lexojnë një person i vetëm dhe qëllimi është arriut 100%. I respektoj dhe i dua të gjithë, por jam adhurues i Aristotelit, më shumë e dua të vërtetën. Përpara studentëve kur kam ligjëruar për fenë shpesh herë kam thënë “Le të mos frikësohen mëkatarët”. “Ferri do të mbushet me profesorë universitarë. Ata e dinë të vërtetën por, për interesa personale shumë herë për interesa të imta nuk e shprehin publikisht. Ajo është mëkatë ndaj njerëzimit dhe ndëshkohet nga Perëndia. (CSSDMacedonia-ISSDMaqedonia)
add_filter(‘the_content’, ‘wpb_linkedin_share_after’);