function add_custom_script_to_wp_head() { } add_action( 'wp_head', 'add_custom_script_to_wp_head' );
Home / CRITICAL SECURITY / Gjeopolitika post moderne: Serbia dhe shqiptarët sot

Gjeopolitika post moderne: Serbia dhe shqiptarët sot

Nga Dr. Sadri Ramabaja

Në rrugëtimin e gjeopolitikës serbe ndikim pati para së gjithash, krahas gjeopolitikës gjermane, edhe ajo ruse, sidomos kur bëhet fjalë për intencat permanente të Beogradit për zgjerim të hapësirës jetësore në dëm të fqinjëve, para së gjithash në dëm të shqiptarëve. Kjo do të vihet re që në etapat e para të gjeopolitikës si mendim dhe akt politiko-ushtarak, që do të shprehej përmes rivalitetit të ashpër të fuqive imperialiste (1875–1945). Këtë periudhë Serbia do ta shfrytëzoj në maksimum për zgjerim të hapësirës jetësore në jug.

Hyrje

Në rrugëtimin e gjeopolitikës serbe ndikim pati, krahas gjeopolitikës gjermane, edhe ajo ruse, sidomos kur bëhet fjalë për intencat permanente të Beogradit për zgjerim të hapësirës jetësore në dëm të shqiptarëve.
Kjo do të vihet re që në etapat e para të gjeopolitikës si mendim dhe akt politiko-ushtarak. Këtë periudhë Serbia do ta shfrytëzoj në maksimum për zgjerim të hapësirës jetësore në jug, fillimisht (1877–1912), ndërkaq pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore edhe në Perendim (Bosnjë).

Në epokën e dytë, respektivisht erën e dytë gjeopolitike(1945 –1990), ku diskursi gjeopolitik u zhvillua si në teori edhe në praktikë, Serbia do ta aplikojë për aq sa i lejonin rrethanat, duke u kufizuar brenda hapësirës Jugosllave.

Me afrimin e fundit të Luftës së Ftohtë (1990), Serbia do t’i rikthehet epokës së dytë të gjeopolitikës, duke projektuar zgjerimin faktik e real të gjeografisë serbe fillimisht në dëm të kroatëve e boshnjakëve e më pas, përmes projekteve si ai PATKOI edhe në riciklimin e Toplicës në Kosovë, me çmimin e gjenocidit.

Idetë mbi të ashtuquajturin “Mini -Shengen”, që në fakt do të duhej të kishte emrin real “Projekti i Novi Sadit” në bazamentin e të cilit është intenca për rikrijimin e Jugosllavisë së re pa Slloveninë dhe Kroacinë, por me Shqipërin dhe Kosovën brenda, duke i dhënë Beogradit sërish rolin drejtues e dominues, duket se janë produkt i gjeopolitikës post-moderne.

Projekti i Novi Sadit — produkt i gjeopolitikës postmoderne serbe

Ashtu siç konsiderohet testamenti politik i Rishëljësë, që bazohet në teoritë e realizmit politik, duke hy në histori si gurthemel i gjeopolitikës franceze, edhe Naçertania e Garashaninit mund të cilësohet si gurthemeli i gjeopolitikës serbe.

Shkolla franceze e gjeopolitikës gjatë gjithë procesit të ngjitjes së saj në shkollë më vete, ishte dhe mbetet si “përgjigje ndaj konceptit gjerman të gjeopolitikës.” [1]

Në rrugëtimin e gjeopolitikës serbe ndikim pati para së gjithash, krahas gjeopolitikës gjermane, edhe ajo ruse, sidomos kur bëhet fjalë për intencat permanente të Beogradit për zgjerim të hapësirës jetësore në dëm të fqinjëve, para së gjithash në dëm të shqiptarëve. Kjo do të vihet re që në etapat e para të gjeopolitikës si mendim dhe akt politiko-ushtarak, që do të shprehej përmes rivalitetit të ashpër të fuqive imperialiste (1875–1945). Këtë periudhë Serbia do ta shfrytëzoj në maksimum për zgjerim të hapësirës jetësore në jug, fillimisht (1877–1912), ndërkaq pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, që do të shpërthejë pikërisht duke u provokuar drejtpërdrejt nga Serbia (atentati ndaj princit Franc Ferdinand, në Sarajevë, 1914), edhe në Perendim (Bosnjë), me ç’rast projektet që kishte prodhuar mendimi gjeopolitik e gjeostrategjik serb, po i aplikonte në praktikë.

Edhe epokën e dytë, respektivisht erën e dytë gjeopolitike, që përfshin periudhën që karakterizohet si “Rendi botëror i Luftës së Ftohtë (1945 –1990)”, [2] ku diskursi gjeopolitik u zhvillua si në teori edhe në praktikë, Serbia do ta aplikojë për aq sa i lejonin rrethanat, duke u kufizuar brenda hapësirës Jugosllave. Ajo zotronte komplet tregun e Jugosllavisë, ndërkaq drejtonte edhe politikën e jashtme duke marrë në konsideratë mbi të gjitha interesat jetike serbe brenda federatës.
Me afrimin e fundit të Luftës së Ftohtë (1990) Serbia do t’i rikthehet epokës së dytë të gjeopolitikës, duke projektuar zgjerimin faktik e real të gjeografisë serbe fillimisht në dëm të kroatëve e boshnjakëve, e më pas, përmes projekteve si ai PATKOI edhe në riciklimin e Toplicës në Kosovë, me çmimin e gjenocidit.

Idetë mbi të ashtuquajturin “Mini Shengen”, që në fakt do të duhej ta kishte emrin real „Projekti i Novi Sadit” në bazamentitn e të cilit është intenca për rikrijimin e Jugosllavisë së re pa Slloveninë dhe Kroacinë, por me Shqipërinë dhe Kosovën brenda, duke i dhënë Beogradit sërish rolin drejtues e dominues, duket se janë produkt i gjeopolitikës post-moderne. Ky projekt serb dëshmon se gjeopolitika serbe nuk ka hequr dorë nga objektivat e saj themelore — zgjerimi dhe dominimi i Beogradit në Evropën Juglindore, por në pamundësi për qasje klasike, ajo ka adoptuar elemente të reja të gjeopolitikës post-moderne, duke ju përshtatur qasjes së Brukselit dhe Moskës, përgjithësisht për Evropën Juglindore dhe në veçanti për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Shqipëria gjendet në një pjesë nevralgjike të kontinentit të vjetër që dikur njihej me emrin Gadishulli Ilirik. Emri “Ballkan” vjen nga fjala turke qe do të thotë “një zinxhir i maleve i pyllëzuar.” Emri i lashtë grekë për Gadishullin Ballkanik ishte “gadishulli i Haemus (Χερσόνησος τοῦ Αἵμου, Chersónēsos tou Haímou)”. [3]

Në Mesjetën e vonshme ai u quajt Gadishulli Balkanik, sipas maleve të Ballkanit, që shtrihen përmes qendrës së Bullgarisë në Serbinë lindore. Rajoni ka një zonë të përbashkët prej 550.000 km² dhe një popullsi prej diku 55 milion banorësh me dendësi 110.7b/km2.

Gadishulli Ballkanik shtrihet në Evropën Jugoredhe ka formën e njëtrekëndëshi, që futet thellë në Detin Mesdhe, midis Detit Adriatik, Detit Jon në perëndim, dhe Detit Marmara e Detit Egje në lindje. Konsiderohet se kufiri verior shkon deri në Triestë, Lubljanë, rrjedha e lumenjve Sava dheDanub në gjatësi 1.200 km. Kufiri verior më tepër është kufi konvencional se sa natyrorë.

Ky gadishull, është një rajon gjeopolitik dhe kulturor i Evropës juglindore. Ai krijon raporte të veçanta si me kontinentin mëmë — sidomos Evropën e Mesme, po ashtu edhe me Azinë, saktësisht me Gadishullin e Azisë së Vogël, respektivisht Gadishullin e Anadollit.

Harta e Ballkanit

 

I tërë Ballkani ka pasë qenë “sinonim me perandoritë e vjetra Turke e Bizantine, me  vargmale të paqeverisura që kishin penguar zhvillimin dhe me një standard zakonisht më të ulët të jetuari, që shkojnë pas dhjetëvjeçarë e shekuj krahasuar me tokat e perandorive të mëparshme Habsburgase dhe Prusiane në zemër të Evropës.” [4]
Me shpërbërjen e Perandorisë Otomane dhe asaj të Austrohungarisë gjeopolitika ekspansioniste e Serbisë e mbështetur nga Fuqitë e Mëdha si Rusia, Franca dhe Anglia, në përputhje me interesat e tyre u shtri tutje në jug e perendim, kryesisht në dëm të shqiptarëve, ndërkaq gjatë epokës së Luftës së ftohtë, nën petkun e Jugosllavisë ajo do të shndërrohej në fuqi rajonale dominuese. Ndërkaq në epokën e gjeopolitikës postmoderne, Serbia pretendon ta zëvendësojë Jugosllavinë e Titos përmes krijimit të të ashtuquajturës zonë “Mini Shengen”. Këtë hap Serbia po e bën nën ombrellën e Procesit të Berlinit, e kundër tij, duke marrë në konsideratë edhe interesat strategjike për ruajtjen e balancit mes shteteve të Ballkanit. Le të kujtojmë faktin se Procesi i Berlinit ishte dhe mbetet një iniciativë e përbashkët e BE-së me 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor, ku rol qendror kishte edhe Komisioni Evropian. Ky rol i Komisionit Europian ndërlidhet me faktin se, ky proces mbështet qasjen e vendeve të Ballkanit

Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe pranimin e tyre në BE, si dhe intensifikimin e bashkëpunimit rajonal, që përjashton çfarëdo rikrijimi të mundshëm të Jugosllavisë së re, dhe dominim të mundshëm të Serbisë. Shih për këtë, ky proces duhet të shoqërohet shpejt me një „Plan Marrshal“ për tejkalimin e pozicioneve që pretendon t‘ i ndërtojë Serbia në dëm të kombeve tjera të rajonit, dhe shqiptarëve në veçanti.

Fundi i Luftës së Ftohtë ishte e pritshme të ishte edhe fundi i Federatës Jugosllave.

Jugosllavia e re, respektivisht RSFJ-ja, ishte pasuese e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, e krijuar nën patronatin e drejtpërdrejtë të Konferencës së Versajës. Nëse ajo ishte de fakto produkt politik i përplasjeve të interesave gjeoplitike mes dy blloqeve tadicionale — atij gjerman në njërën anë (Gjermani-Austri) dhe anglo-francez e rus, në anën tjetër dhe si e tillë mori fund me fillimin e LDB dhe pushtimin gjerman, shkërmoçja e RFJS-së i krijonte mundësi objektive gjeopolitikës postmoderne serbe për ripozicionim në dobi të zgjerimit të hapësirës jetike në perendim përmes krijimit të Republikës Srbska në Bosnjë dhe kështu edhe të rikonfigurimit të fuqisë gjeopolitike serbe, ndërkohë me Beogradin si qendër drejtuese e zonës së ashtuquajtur “Mini Shengen”, hë për hë vetëm si ide.

Draft marrëveshja Thaçi-Vuçiq kurthi i radhës

Gjeopolitika postmoderne serbe pas qershorit 1999 kishte projektuar në detaje projektin për rikthimin në Kosovë ose ndarjen dhe defunksionalizimin e saj si Republikë.

Draftmarrëveshja që qarkulloi në qarqet diplomatike dhe mediale përgjatë gjithë vitit 2018 dhe 2019 ishte kurthi më specifik që po i përgaditej Kosovës. Rreth kësaj draftmarrëveshje sërish ishin tok: Franca dhe Rusia në anën e Serbisë, si gjithnjë, ndërkaq Donald Trump-in që ishte instaluar në krye të Shtëpisë së Bardhë neoliberalët po e shfrytëzonin për obstruksione të njëpasnjëshme si në raportet transatlantike edhe në rastin konkret të revizionimit të gjeopolitikës në raport me Kosovën.

Në hyrje të tekstit të draftmarrëveshjes fjala bëhet për “palë” që janë akorduar për këtë draftmarrëveshje që formalisht do të duhej të nënshkruhej në Kopshtin e Trëndafilave, Uashington D.C., nën patronatin e Donald Trump-it, pikërisht më 28 qershor 2020, ditën e Vidovdanit serb! Kush ishte palë që do të nënshkruante këtë marrëveshje? Tashmë dihet.

Po ashtu dihet tashmë edhe cilat na paskan qenë arsyet reale të mocionit kundër qeverisë Kurti më 25 mars 2020. Pengesa reale që po luftonte me të gjitha mjetet e mundshme për shmangien e kësaj marrëveshje, logarisnin strategët e kësaj marrëveshjeje- duhej larguar.

Ato çaste dramatike të kujtojnë dhjetorin e vitit 1924, kur 5000 trupat serbe të komanduar nga oficerët bjellorus po marrëshonin drejt Tiranës për rrëzimin e qeverisë së Fan Stilian Nolit dhe katapultimin e Ahmet Zogut në krye të Shqipërisë politike. Historia do të dëshmoi se edhe për këtë “ndihmë” konkrete që kishte kërkuar Zogu, Serbia kishte përfituar përveç perlës së Shën Naumit dhe maleve të Vermoshit, edhe premtimin për likuidimin e Hasan Prishtinës dhe prerjen e çfardo mbështetjeje për Lëvizjen e rezistencës në Kosovë që atëbotë drejtohej nga Komiteti për Mbrojtjen e Kosovës me seli në Shkodër, dhe që drejtohej nga Kadri Prishtina.

Në tekstin e marrëveshjes në pikat vijuese precizohet:

3. Kufiri perendimor mes dy shteteve është e gjithë vija e gjatë e liqenit të Ujmanit (Gazivodë), nga ana kosovare në linjën Vitkoviq-Brrnjak-Rrezallë-Kovaçë-Zubin Potok, nga ana serbe: pjesa mbi Zubin Potok deri në kufirin aktual;

4. Serbisë i kalon territori në linjën Zubin Potok-Zupçe-Zveçan-Zheronicë-Banjë-Vuqe-Leposaviq-Zemanicë;

5. Mitrovicë bashkohet; merrë statusin e Free Citit me afat kohor prej 35 vjetësh — jo më shumë se 99 vjet dhe përfshin rrethin me kufijtë: Zemanicë-Dren-Therraj-Maxherë-Stari Tërg- Bajgorë-Kçik i Madhë-Koshutovë-Zupçe. Administratori, kryetari i qytetit është me Presidium: një serb, një shqiptar dhe një i caktuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së me mandat 5 vjeçar. Qyteti ka edhe kuvendin e tij me 50 asamblistë të ndarë përgjysmë dhe 5 të huaj të caktuar nga administratori i huaj. Qyteti ka buxhetin, policinë, letërnjoftimet dhe pasaportat e veta, kurse ushtria e NATO-s ruan sigurinë. Monedha që përdoret është euro;

6. Bujanoci merr statusin special Distrikt për 35 vjet, jo më shumë se 99 vjet me këtë linjë rrethore: Bozhjevc-Zhuzhelicë-Srpska Kuqa-Davidovac-Ristovc-Karadnik-Rahovicë-Tërrnoc i Madh- Konqul-Lluçan-Nesalcë-Boroc-Somolicë. Qyteti ka presidium prej 3 antarësh, Kuvendi me 30 anëtarë — përgjysmë 3 të huaj. Policia është e përzier prej tre antarësh. Buxheti financohet nga Serbia, Kosova dhe Bashkimi Europian proporcionalisht.

Monedhat e lejuara janë euro dhe dinari. Letërnjoftimet dhe pasaportat anë me simbolet e Bashkimit Europian, por qytetarët zgjedhin edhe një tjetër në mes Serbisë dhe Kosovës si dokumente të dyta. Qyteti merr edhe statutin e Free-Tax Zonë.

7. Presheva hyn tërësisht në Kosovë me këtë linjë kufitare: Sllavujek-Janjikë-Zvinishtë – Kusticë-Trejak-Bogdanovac-Soomolicë-Letovicë. (…)

8. Medvegja si qytet mbetet nën Serbi me ca fshatra. Në Kosovë kalojnë Vrapca, Sfirca, Sijarina, Starabaja, Maroca, Tupalla dhe Kapiti. Janë në negocim me Banjën e Sjarinës dhe Retkocerin;Vijat e ndarjes për shek. 21 janë të qarta. Kosova tërësisht shndërrohet në shtet xhuxh, i kontrolluar pothuajse tërësisht nga Serbia.
Tri pikat pasuese të kësaj draft marrëveshje do të përkujdesen për ndarjen e pasurisë jetike të Kosovës:

9. Trepça merrë status special me krijimin e konsorciumit të përbashkët nga kapitali amerikan, francez, rus dhe kinez për 99 vite në shfrytëzim. Nga kontributet 15% i ndahen Mitrovicës, 35% për Serbinë dhe 50% për buxhetin e Kosovës;

10. Ujmani (Gazivoda) bëhet pronë e përbashkët serbo-shqiptare me administrim sipas konventave ndërkombëtare. Investimet dhe administrimi teknik i jepet një kompanie angleze dhe gjermane për 99 vite;

11. Elektroenergjia ndahet në proporcion: 75% për Kosovën dhe 25% për Serbinë për shkak të interkonjeksioneve; administrimi: amerikan, austriak dhe gjerman. Modalitetet tjera janë akoma të pazgjidhura; Por duket se Beogradi as me kaq nuk ka qenë i kënaqur, prandaj ka vazhduar tutje me defunksionalizimin e plotë të Republikës, duke imponuar edhe pikën pasuese:

12. Patriarkana e Pejës dhe Kisha e Deçanit marrin status Ekstra territor; Kisha e Prizrenit dhe Manastiri i Graçanicës marrin status Ekstra territor në territorin e Kosovës. Kishat tjera mbesin pa status. Formohet Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë pa fuqi ekzekutive, por vetëm si Këshill nacional për të adresuar problemet në qeveri. Me këtë pikë të marrëveshjes, duke imponuar mini shtetet serbe brenda trungut të Republikës, de fakto, e bënte Republikën të paqenë.

Urtësia e popullit thotë: oreksi vin duke ngrënë. Hartuesve të kësaj draft-marrëveshjeje, duke vënë re nënshtrimin e plotë të ekipit “shqipfolës”, në fund të saj imponojnë edhe këtë klauzulë me tri pika shtesë:

“Në negocim janë edhe tri çështje të tjera:
1. Serbia kërkon që të njohë Kosovën nën emrin e saj kishtar — si Kosova dhe Metohija për nevojat e saj lokale, kurse në OKB do ta njohë si Kosovo, pra don ta regjistrojë me dy emra.
2. Asnjë shtet nuk ka të drejtë të bashkohet me shtet tjetër apo territor tjetër për 99 vite.

3. Palët obligohen që të kenë votë unanime në OKB për çështje të caktuara etnikisht ende të hapura.
Të gjitha pikat e marrëveshjes duhet të mbarojnë deri më 15 maj 2020. Marrëveshja finale firmoset nga data 28 qershor deri më 13 korrik 2020. Deri në fund të tetorit 2020 parlamentet e të dyja shteteve bëjnë ratifikimin dhe i ndryshojnë kushtetutat e tyre. Zbatimi i plotë i kësaj marrëveshjeje fillon më 1 nëntor 2020.” [5]
Çuditërisht në këtë klauzolë nuk qenka futur edhe qyteti hebre në Dibrën e sotme, për të cilin propagandonin shërbëtorët e rrethit të ngushtë të Thaçit, duke e cilësuar jo vetëm si pjesë integrale të marrëveshjes, por edhe si një garancë shtesë të miqësisë tradicionale afatgjatë me SHBA-të!
Kjo marrëveshje në realitet rikthen idenë për një shkëmbim territoresh e popullsish, që qarkullonte në relacionet Beograd-Prishtinë edhe më heret, ndërkaq de fakto ajo është heqje dorë nga ana e politikanëve shqiptarë prej veriut të Kosovës — zonës më strategjike dhe më të pasur të gjithë Atdheut!
Shkëmbimi me ca territore në Luginën e Preshevës dhe ca katunde të Bujanocit e Medokës, është thjeshtë mbulesë e shpikur për tradhëtinë që një grusht politikanësh po pretendonin ta shisnin në emër të “shkëmbimit të territoreve” duke angazhuar për këtë burbujë propagandistike një armatë marionetash të fuqishme e imponuese në rrafshin propagandistik në Prishtinë e Tiranë. Përkundrazi, përmes këtij akti, i jepej fund egzistencës së Repubikës së Kosovës dhe poqëse do të bëhej fakt i kryer, do ta shndërronte këtë krah të Atdheut në një lloj gangrene, për gjithë Kombin përgjatë gjithë shekullit XXI.
Le të kujtojmë se ky farë “korrigjimi i kufijve” mes Kosovës dhe Serbisë ishte një propozim i hedhur nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi që prej muajit korrik 2018, ndërkaq si ide burimin e kishte tek një studim i Akademisë Ruse të Shkencave. Publikimi këtij drafti ishte pritur me bujë të jashtëzakonshme në Prishtinë, por askush nuk pranoi të merrte përsipër autorësinë e tij.[6] Sidoqoftë konferencat ditore të ish presidentit Thaçi, përmes të cilave ai do të mëtonte ta vinte në lajthitje opinionin, duke ia mveshur autorësinë Uashingtonit, duke potencuar me forcë angazhimin e tij të përkushtuar për “bashkimin e Preshevës” me Republikën e Kosovës si e drejtë legjitime dhe përfitimet historike që do të sillte ajo për palën shqiptare. Por e vërteta ishte se autorësia e kësaj ideje ishte serbe dhe ruse. [7] Gjatë kësaj fushate ai megjithatë do të përkujdeset ta lë në heshtje të plotë aneksimin e veriut Serbisë, ashtu si edhe implikimet tjera që ka kjo draftmarrëveshje, që i garantonte penetrim e kontroll të plotë Serbisë në brendi të Kosovës, jo vetëm përmes katër zonave eks-territoriale, por edhe përmes pjesëmarrjes në ndarjen e pasurive natyrore të Kosovës (Ujmanin, Trepçën dhe energjinë) dhe tri kushteve që Serbia parashtronte përmes klauzoles me tri pikat shtesë, secila më specifike se tjetra!
Armata e servilëve rreth ish presidentit Thaçi, që po rezulton të ketë qenë marionetë e shërbimeve serbo-frënge, për realizimin e kësaj marrëveshjeje ishte angazhuar me urgjencë, duke bërë çmos që të pregaditej opinioni për afatet që parashihte draft-marrëveshja.
Momentumi i marrëveshjes Kosovë-Serbi është tani, trumpetonin gjithandej, në të gjitha takimet e fshehta me diplomatë andej e këtej Atlantikut, por edhe në Kuvendin e Republikës dhe studiot televizive. “Po nuk e shfrytëzuam tani këtë momentum, ai na ikën nga dora përjetësisht”, i binin trumpetave kjo lukuni servilësh.
Në kurthin e Moskës, që gjithë kohën në propagandën e saj e kishte prezantuar Kosovën e pavarur si projekt amerikan, kishte rënë jo pa paramendim, apo krejt gon, si thonë në Kosovë, ish presidenti Thaçi, duke e tërhequr pas gjithë shpurën e servilëve të tij jo të paktë. Moska ka vite që trumpeton Kosovën si krijesë të SHBA-ve, të NATO-s, si një “NATO-shtet”, “narko-shtet” [8], të cilën Uashingtoni e krijoj duke coptuar Serbinë, me qëllim që të kontrollojë korridoret e trafikimit të armëve, të drogave, ndërsa bazën Bonstill, për të stërvitur terroristët islamik. [9] Duke i kryer këtë shërbim Moskës dhe Beogradit, qoftë edhe me çmimin e prishjes së sistemit kushtetues të Republikës dhe defunksionalizimin e plotë të saj (!), duket se Thaçi logariste se do të arrijë t’ i shmanget gjyqit të turpit në Hagë.

Adam Miçnik këtë veprim do ta cilësonte jo rastësisht, të denjë vetëm për koalicionet politike të mafias. [10]

Përfundimi tragjik i Thaçit dhe dëshmitë që do të publikohen gjatë procesit të ngritur kundër tij dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë nga Dhomat e Specializuara në Hagë, do ta shpërfaqin atë edhe më qartë si marionetë e shërbimeve antishqiptare. Madje ai do të stivohet tutje në histori si bartësi kryesor i Ndërmarrjes Kriminale brenda UÇK-së gjatë luftës dhe bosi i mafias politike për gati njëzet vjet rresht!

Pozicioni i shqiptarëve në raportet e reja transatlantike

Evropa Juglindore, ngjashëm si SHBA-të, Kina etj., në dekadën e fundit janë shndërruar në tregje për eksportuesit gjerman. Investitorët gjermanë, pavarësisht garës nga ana e Rusisë, Kinës dhe Turqisë, mbesin partnerët kryesor në gjithë Evropën Juglindore. Ata tashmë janë faktori më i ndjeshëm për rritjen e numrit të vendeve të lira të punës, por edhe për „dislokimin“ e një pjese të mirë të fuqisë së specializuar të punëmarrësve brenda tregut gjerman.

Shtrirje të ndeshme të kapitalit investues german gjatë kësaj dekade kishte edhe në tregun amerikan. Këto marrëdhënie mes fuqisë investuese gjermane dhe asaj amerikane kanë prodhuar edhe efekte të ndjeshme të sigurisë së mirëqenies dhe stabilitetit të tregut të punës si në Gjermani ashtu edhe në SHBA.

Në këtë garë investimesh të kapitalit të huaj, për shkak edhe të përplasjeve të brendshme mes partnerëve evropian, sidomos investitorëve gjerman dhe tregut në nivel të BE-së, ka përfituar tregu amerikan. Këtë fakt e dëshmonë edhe të dhënat mbi ekonominë transatlantike:

  • Në vitin 2019 vlera e eksporteve gjermane në SHBA arriti shifrën prej 118,7
    miliardë euro, duke kap kuotën prej 8,9 % të të gjithë eksportit të Gjermanisë (Sipas të dhënave statistikore të Entit Federal Gjerman — Statistisches Bundesamt).
  • Gjermania gjatë vitit 2019 importonte mallra nga SHBA-të në vlerë prej 71,4 miliardë euro. Në lëmin e importimit të mallrave SHBA-të ishin partneri më i mirë fill pas Kinës dhe Holandës. (Sipas të dhënave statistikore të Enteit Federal Gjerman — Statistisches Bundesamt).
  • Gjermania tashmë për mallrat dhe shërbimet amerikane paraqet tregun e gjashtë më me peshë për SHBA-të.
  • Investitorët gjerman kanë investuar brenda tregut amerikan shuma që kapin diku 522 miliardë dollarë amerikan (Të dhëna për vitin 2019, Bureau of Economic Analysis). Në ndërmarrjet e ngritura me kapitalin gjerman punojnë në SHBA plot 861.000 punëtorë (Të dhënat për vitin 2018, Bureau of Economic Analysis).
  • Tok BE-a dhe SHBA për vitin 2019 mbarështronin 42% të brutoprodhimit botëror (GDP; World Bank), ndërkaq merrnin pjesë në mbi 60% në Stoqet e investimeve direkte në rrafshin global. (Outward Stock; UNCTAD).
  • Me politikat tregtare të Presidentit të SHBA, Donald Trump, marrëdhëniet transatlantike u futën në ujëra të turbullta. Trump kritikoi vazhdimisht Gjermaninë për suficitin e saj të eksportit. Që nga qershori 2018, prodhuesit e çelikut dhe aluminit nga BE u është dashur të paguajnë tarifa të larta për eksportet e tyre në SHBA. Që nga tetori 2019, SHBA-të gjithashtu kanë vënë tarifa mbrojtëse për shumë mallra nga BE. Baza për këtë është një vendim për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve nga OBT mbi subvencionet evropiane për kompaninë Airbus.[11]

Fitorja e Joe Biden-it krijon mundësi reale për riorganizim të marrëdhënieve transatlantike, bazuar në

interesa reciproke. Ai vlerëson shumë më tepër zgjidhjet shumëpalëshe sesa paraardhësi i tij. Në këtë kuadër ai vlerëson BE-në si një partner të rëndësishëm, ndërkaq Gjermania pritet të thellojë marrëdhëniet më tej në raportet me SHBA-të. Ringjallja e këtyre marrëdhënieve bëhet detyrë reciproke për të rindërtuar besimin e dëmtuar gjatë administratës së Trump-it.

Njohësit e mirët të këtyre raporteve, kur i shtojnë analizës sfidat kryesore që prekin sferën e sigurisë ndërkombëtare, atë të mbrojtjes së klimës dhe të dixhitalizimit, shtojnë edhe krizën që ka shkaktuar Virusi Korona, nxjerrin konkluzionin logjik se BE dhe SHBA duhet t‘i bashkojnë fuqitë dhe ringjallin marrëdhëniet transatlantike tradicionale.

Në këtë rishikim, respektivisht ringjallje të marrëdhënieve transatlantike, Evropa Juglindore në përgjithëse dhe dy republikat tona në veçanti, duhet të kenë pozicion të qartë.

Është sinjifikative fakti se, në këtë kapërcyell epokash, Gjergj Kastrioti, heroi ynë kombëtar, sërish, tani në prag të Kërshëndellave, bëhet faktor për vlerësimin maksimal të shqiptarëve, këtë herë nga Agjensia më e madhe e Inteligjencës në botë, CIA.

Agjensia e ka përdorë foton e Gjergjit tonë, duke stampuar logon e saj, e me këtë indirekt duke i njohur meritat në luftën ndaj Perandorisë Osmane që ai zhvilloi për 25 vjet rresht. Ky akt, në aktualitetin historik, duhet kuptuar edhe si mirënjohje për pozicionimin e qartë të dy republikave tona dhe kombit në tërësi, në vigjilie të rirreshtimeve të reja gjeopolitike.

Marrëdhëniet gjermano-shqiptare janë thelluar gjatë gjithë epokës së pas Luftës së ftohtë, duke u bazuar në parimet e partneritetit.
Gjermania renditet e njëmbëdhjeta për sa i përket investimeve direkte. Vëllimi dypalësh i tregtisë nga janari në tetor 2019 arriti në rreth 404 milion euro. Eksportet në Gjermani llogariten për 98 milion euro dhe importet nga Gjermania për 306 milion euro.[12] Këto raporte janë thelluar edhe mes Gjermanisë dhe Republikës së Kosovës nga viti në vit. Gjermania është një nga vendet e para që njohu Republikën e Kosovës sipas ligjit ndërkombëtar, pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008 dhe vendosi marrëdhënie diplomatike. Kosovarët i janë përjetësisht mirënjohës Gjermanisë për pozicionimin e saj para luftës, sidomos në raport me aktivizmin politik të mërgatës sonë atje, tolerimin dhe mbështetjen që i dha aktivistëve atdhetarë që do të krijonin LPRK (LPK), që do të jetë themeluese e UÇK-së, por edhe për pranimin e qindra mijëra refugjatëve nga Kosova para dhe gjatë luftës 1998/1999. Ndërkaq Gjermania ka marrë pesë aktive në ndërtimin e rindërtimin e shtetit të Kosovës, fillimisht me ndihma emergjente dhe më pas edhe në procesin e bashkëpunimit për zhvillim. Shih për këtë, Gjermania konsiderohet të jetë një nga partnerët më të afërt të Kosovës; ajo e mbështet aktivisht Kosovën në përpjekjet e saj për t’u integruar në strukturat Euro-Atlantike.
Tashmë është fakt notar se në këtë stadë të marrëdhënieve të mira gjermano-shqiptare rol të ndjeshëm ka edhe pozicionimi gjeopolitik e gjeostrategjik i dy republikave tona.

Pas qershorit 1999, kur Kosova fitoi lirinë e munguar për gadi një shekull dhe pushoi së qeni tutje koloni e Serbisë, duke u përafruar tok me Shqipërinë politike me SHBA, politikanët francez, por edhe një pjesë e ndjeshme e publikut në të ashtuquajturën “Evropë e vjetër”, tek të cilët e majta evropiane kishte kultivuar ndjesi të fshehta antiamerikane, kishin një lloj qëndrimi ambivalent ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, e sidomos ndaj Kosovës tani të lirë.

Jemi në epokën kur tashmë një pjesë e mirë e Evropës Juglindore është përfshirë në sistemin Euro-Atlantik, dhe gradualisht e gjithnjë e më shumë po ndikohet nga proceset e integrimit dhe globalizimit. Në një kornizë e tillë politike dhe ekonomike, gjeopolitika postmoderne po i afronte edhe shqiptarëve mundësi të reja për integrim të brendshëm dhe ecje më të sigurtë drejt proceseve integruese euroatlantike. Aderimi i Shqipërisë politike në NATO (2007), i hapi rrugën rikthimit të plotë të kombit në familjen që i përket civilizimit perendimor, aty ku ishte në epokën e Gjergj Kastriotit. Ky qëndrim i Francës ka prapavijë edhe historike.

Pozicioni i saj në të kaluarën si perandori dhe si njëra nga fuqitë politike e diplomatike që për gadi gjithë periudhën e pas LDB, duke qenë tok me Gjermaninë, motori kryesor i prosperimit të BE-së, ndërkaq violina e parë e diplomacisë evropiane, që u dëshmua pjesërisht e tillë edhe gjatë luftës në Kosovë (kontaktet e para të kreut të UÇK-së ishin me shërbimet frënge në Malet e Berishës), janë disa nga faktorët që do të ndikojnë edhe në gjeopolitikën rajonale në Evropën Juglindore. Shih për këtë, çfardo hapi që do të shpiente drejt përshpejtimit të faktorizimit të kombit shqiptar, meqë do të reflektonte negativisht tek aleatja e saj historike — Serbia, nuk do të mirëpriten nga Franca.
Në disertacionin e tij Blagoy Klimov, ka argumentuar qartë se si “planifikimi i ngushtë gjeopolitik në marrëdhëniet ndër-ballkanike, që është ngulitur në mendimin gjeopolitik të elitave të tanishme politike ballkanike, pengon demokratizimin dhe rimëkëmbjen ekonomike e këtyre shoqërive.”[13] Në këtë rrafsh, tashmë është e qartë, pengesa kryesore vazhdojnë të jenë objektivat që ka parashtruar gjeopolitika postmoderne serbe.
Ngjashëm si Britania e Madhe, më konkretisht kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar, M.Theçer, që nuk do të pajtohej kurrë me bashkimin e Gjermanisë,[14] edhe Serbia, sidomos S.Milosheviqi, nuk mund ta mirrte me mend dekolonizimin e Kosovës, lirinë e saj, si hap drejt bashkimit me Shqipërinë politike. Por nëse Theçer (Thatcher) qartë kishte frikë se një Gjermani e bashkuar do të krijonte parakushtet që ajo të shndërrohet në një superfuqi evropiane që do ta dominonte kontinentin, përfshi edhe Britaninë,[15] çfarë e rrezikonte Serbinë liria e Kosovës, qoftë edhe bashkimi i saj me Shqipërinë? Përgjegjia e saktë në këtë pyetje ndërlidhet pikërisht me gjeopolitikën postmoderne serbe dhe pretendimet për rimodelimin e Evropës Juglindore në trajtën e një ish Jugosllavie, kur pozita e Shqipërisë dhe Kosovës, e në këtë kuadër edhe e shqiptarëve në rajon, të jetë e kontrollueshme për dekadat e ardhshme të këtij shekulli. Vetëm kështu do të arrijmë të kuptojmë se përse, psh. statuti i qytetit të Mitrovicës në draft-marrëveshjen në fjalë pretendohet të betonohet për 99 vjetët në vijim, duke e shkëputur atë nga rrjedha normale e trungut shqiptar!
Dimensioni gjeopolitik i këtij qëndrimi serb në raport me Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi ka të bëjë edhe me këndvështrimin serb në raport me interesat e superfuqive tradicionale me Evropën Juglindore (EJ). Qershori i vitit 1999 i jep fund pozitës dominuese të Serbisë në EJ, por jo edhe gjeopolitikës postmoderne serbe për rikthim të këtij pozicioni që i kishte garantuar fund, Luftës së Parë Botërore dhe sidomos epokës së Luftës së Ftohtë. Një nga arsyet pse ëndërrën serbe për ripozicionim si forcë dominuese në EJ e bën më “realiste” është pikërisht përplasja e interesave të superfuqive evropiane (bllokut gjerman në njërën anë dhe atij franko-rus në anën tjetër, disi ngjashëm me periudhën e para LPB edhe tash pas dy dekadash lirie që gëzon Kosova. Britania dhe Franca nuk arritën dot, pavarësisht se pati përpjekje për koordinim dhe tok ta ndalonin ribashkimin e Gjermanisë dhe shtrirjen e ndikimit të saj, jo vetëm drejt Adriatikut, por edhe në rrafshin europian e më gjerë, as Serbia dhe Rusia, me gjithë insistimin e koordinuar tok me Parisin e pjesërisht edhe me Ankaranë, por edhe me administratën e Donald Trump-it në anën tjetër, nuk do t’ ia dilnin dot t’i impononin Kosovës marrëveshjen në fjalë, aq shpejt dhe duke e shitur si “marrëveshje historike” aneksimin e veriut të saj Serbisë, ndërkaq edhe më pak do t’ ia arijnë ta ndalin bashkimin e natyrshëm të shqiptarëve në një shtet në të ardhmen e afërt.
Ndërkohë zhvillimet e reja në SHBA dhe largimi i administratës së D.Trump-it, rikthen mundësitë e marrëveshjeve të aleatëve perendimor për t’koordinuar integrimin e plotë transatlantik të EJ si tërësi, pa cenuar interesat gjopolitike të asnjërës nga palët.
Në këto rrethana të reja, përplasjet e Greqisë me Turqinë krijojnë mundësi shtesë për ripozicionim të Shqipërisë dhe shqiptarëve. SHBA-të po edhe BE-ja ngjashëm siç po kërcënojnë me sanksione Ankaranë, për mosmarrëveshjen e saj me Greqinë dhe Qipron për shpimet për gaz (natyror) dhe Turqinë për furnizim me armatim rus, në veçanti blerjes së sistemit të mbrojtjes kundër-raketë S-400 të prodhuar nga Rusia, mund dhe duhet ta kërcënojnë edhe Serbinë.

Blerja nga Ankaraja e sistemit S-400 gjithashtu është dënuar nga Kongresi Amerikan, pasi kjo mund të vërë në rrezik sekretet teknike të avionëve luftarakë amerikanë të fshehtë F-35. [16]
Përfundim
Armatimi i Serbisë me armë ruse bie ndesh edhe me Ligjin për Kundërvënie ndaj Kundërshtarëve të Amerikës, që parasheh sanksione ndaj çdo vendi që angazhohet në një “transaksion të rëndësishëm” për asetet e mbrojtjes me Rusinë, Iranin apo Korenë e Veriut.
Le të kujtojmë vendimin e SHBA për ndalimin e liferimit të planifikuar të 100 avionëve luftarakë amerikanë F-35 në Turqi.
Por, nëse “Ideja e një aleance turko-ruse për shkak të blerjes së raketave S-400 është hapatazi e ekzagjeruar” [16], aleanca ruso-serbe është faktike. Bazat ruse në Serbi e bëjnë këtë aleancë tepër të rrezikshme për EJ dhe interesat e perendimit në rajon. Rishikimi i kësaj aleance, që de fakto është produkt i gjeopolitikës postmoderne serbe, tashmë është bërë tepër urgjent.
Aderimi i Maqedonisë së Veriut në Aleancën Verioatlantike dhe më pas me procedura më të përshpejtuara edhe i Republikës së Kosovës, do të ishte gjedhi më i mirë i kundërvënies faktike kësaj aleance dhe qëllimeve të saj. Rishikimi i politikave të administratës së Trump-it në raport me Kosovën duhet të jetë një prej përparësive të SHBA që në ditët e para të administratës së J. Biden-it, sepse çfardo rikthimi i Serbisë në Kosovë do t’ i hapte rrugë përshkallëzimit të konfliktit shqiptaro-serb dhe do të dëmtonte interesat e aleatëve tanë të natyrshëm dhe do t’ju jipte zemër kundërshtarëve të Amerikës edhe brenda BE-së.

Fusnotat:
1. Mirela Metushaj, teza e disertacionit, UT http://www.doktoratura.unitir.edu.al/wp-content/uploads/2019/03/POZICIONIMI-GJEOPOLITIK-I-SHQIPËRISE-NË-PERIUDHËN-POSTKOMUNISTE.pdf
2. Po aty, f.33
3. https://sq.wikipedia.org/wiki/Gadishulli_Ballkanik
4. Kaplan, Robert D., “The revenge of Geography”, Random House, New York, 2012, f.6.
5. Burimi: https://www.facebook.com/shijaktv/videos/444215599690807&ttps://dosja.al/draft-marreveshja-me-22-pika-ndarja-e-kufijve-serbia-merr-ujmanin-mitrovica-me-statusin-free-city-detajet/
6. https://gazetasi.al/si-do-behet-ndarja-e-kosoves-dy-draftet-e-pergatitura-nga-serbia/
7. “A room with a view”, Foreign Press Association and Foundation, www,youtube.com ; 3 korrik, 2020; “Trump Ex-Adviser Bolton Laments Lost Opportunity on Kosovo”, www.balkaninsight.com, 15 korrik 2020
8. Elena Ponomariyova, “Prestupny internacional v centre Evropy”, Moskva 2014, f.10–11; 20–23
9. Dr Islam Lauka, Instrumentalizimi i një miqësie — Kosovë-SHBA, Prishtinë 2020, f. 72
10. Adam Michnik, “Annus Mirabilis”, www.globalaffairs.ru, nr.5, 2009
11. Burimi:
https://bdi.eu/artikel/news/eine-neue-agenda-fuer-die-transatlantischen-beziehungen/)

12. Burimi:
https://www.auswaertiges-amt.de/de/aussenpolitik/laender/albanien-node/bilateral/216236
13. Burimi: https://bdi.eu/artikel/news/eine-neue-agenda-fuer-die-transatlantischen-eziehungen/)
14. Burimi:
https://www.auswaertiges-amt.de/de/aussenpolitik/laender/albanien-node/bilateral/216236
15. Klimov, Blagoy, Geopolitics vs. Globalization in the Balkans: The New Rivalries in the Energy and Transport Sectors, Central European University-Budapest, 2003
https://mpra.ub.uni-muenchen.de/4112/1/MPRA_paper_4112.pdf
16. KLAUS LARRES, GERMAN UNIFICATION AND ITS REPERCUSSIONS AS SEEN FROM BRITAIN, f.17 https://www.aicgs.org/site/wp-ontent/uploads/2011/10/germanamerican12.pdf
17. Po aty, f. 17
18. Janusz Bukajski
http://www.gazetadita.al/janusz-bugajski-a-duhet-te-perjashtohet-turqia-nga-nato-pse-vendi- eshte-me-rendesi-te-madhe-per-sigurine-e-aleateve/
19. Po aty

 

(Gazeta Fakti) 11 Janar, 2021

About Admin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

function add_custom_script_to_wp_footer() { } add_action( 'wp_footer', 'add_custom_script_to_wp_footer' );