Nga Prof. Dr. Etem Aziri  –Sikurse duket shqiptarët për nga natyra lindin politikolog. Secili ka aftësi të sqaron politikën si përditshmëri dhe politikëbërjen si proçes. Sot e shoh sa kam gabuar kur jam përcaktuar të studioj shkencat politike dhe aq më shumë që kam shkruajtur libra të tërë, për partitë politike.

Hoxha dhe prifti ndjehen shumë keq kur ndonjë laik e interpreton KURANIN dhe BIBLËN. Juristët qeshin kur dikush interpreton ligjet dhe kushtetutën. Mjekët as që lejojnë të jepni vlerësim për ndonjë ”ilaç”! Gjuhëtarët publikisht na tallin nëqoftëse e kemi përdor gabim, ”y” dhe “ë”. Mos i përmend profesionet tjera se bëhet goxha shumë. Sikurse duket vetëm politikologjia si në teori ashtu dhe praktikë, qenka ,”livadh i hoxhës” dhe çdo kush mundet ta kullo bagëtinë kur dhe si dëshiron.

Secili është kompetent që me kompetencaplota të debaton për zgjedhjet, për partitë politike, për sistemet zgjedhore, për funksionimin e qeverive, për demokracinë etj. Askush askujt nuk ja merr të drejtën e të shprehurit. Ajo është e garantuar me kushtetutë. Megjithatë, gjella me kripë e kripa me “karar”!

Besoj se një kohë do të merremi me zgjedhjet në Kosovë e pastaj me zgjedhjet vendore në RMV. “Populli çdo herë preferon ndryshime, dhe më vonë befas e godit me shuplakë ballin, se përsëri paska gabuar”. Përfundimisht të sqarojmë! Vetë fjala parti nënkupton ndarje, ndarësi. Andaj, asnjë parti në botë nuk vepron në shërbim të popullit, por vetëm në dobi të një grupi më të vogël ose më të madh njerëzish. E dyta, partitë politike veprojnë nën presion të vrazhdë të grupeve të interesit dhe grupeve për presion. Ata grupe e kanë nën kontroll të plotë çdo parti politike, pa përjashtime.

Imunitet ndaj grupeve të interesit nuk ka asnjë politikan në glob. Mundemi të flasim për garnituara politike më pak ose më shumë të korruptuara por, jo për garnitura të pa korruptuara. Unë në një rast theksova se më lehtë është të shteret një oqean me filxhan kafeje, sesa të pastrohet partia nga hajnat! Ne si shqiptarë e kemi zakon të themi “hajnat tonë janë më pak hajna se hajnat e të tjerëve”. Që shoqëria të jetë funksionale, partitë politike duhet të jenë në të njëjtat dimensione të politikës së përgjithshme në një shtet. Votuesit të përcaktohen për programet, e jo për individët që i takojnë një subjekti ose një koalicioni. Të jeni të sigurtë, se edhe pas zgjedhjeve në Kosovë dielli do lind në mëngjes dhe to të perëndojë në mbrëmje. Bile, po i njëjti diell!

Nëqoftëse ndonjëri nga ne mendon se ndonjë garniturë politike do të trazon politikën vetanake në shoqëri e ka shumë gabim. Pas fitores liderin (liderët) e partive fituese në zgjedhje i vizitojnë diplomatët e shteteve vendimmarëse në marëdhëniet ndërkombëtare. Ua urojnë fitoren dhe u përshpërisin dy tre fjalë të ëmbla në vesh. Ai që nuk i kupton fjalët e ëmbla të ndërkombëtarëve, menjëherë duhet ta mëson këngën boshnjake “Put putuje Llatif Aga”. Nëqoftëse nuk i pëlqen kënga boshnjake, atëherë më lehtë do e mësojë këngën shqipe “Ani morra rrugën nanë”. Çfarë pavarësie, sovraniteti shtetërorë kanë shtetet që nuk mundin ta ushqejnë popullin me bukë e kryp, ku dallimet sociale janë mbi çdo shkallë të tolerueshmes etj, etj…

Si mendoni, pse njerëzit aq shumë i tërheq politika!? Çka ka të veçantë profesioni i politikanit?! Vetëm një gjë, PRIVILEGJET. Si mendoni, pse profesorët universitarë, mjekët specialist dhe profesionistët tjerë i braktisin profesionet e veta dhe ikin në politikë?

Vetëm mos më thoni për të mirën e përgjithshme, për popullin. Jo zonja e zotëri, kjo bëhet vetëm për privilegjet që i ofron politika. Naiva janë ata të cilët mendojnë se dikush kyçet në politikë për një rrogë. Në RMV politikan më i sinqertë ka qenë Lupço Gjorgjievski i cili në një emision kur e pyetën për privilegjet në politikë tha:

“Nuk ju them asgjë për postet e larta shtetërore, do ju rrëfej sa është i privilegjuar një nënpunës i rëndomtë që i takon partisë në pushtet.”

Para do vitesh, udhëton prej Ohri një funksionar me mikun e vet. Fillon të ankohet për vështirësitë me të cilat ballafaqohet si politikan. Mikut i erdhi shu keq dhe e këshilloi ta braktisë politikën. Pa humbur kohë politikani ja ktheu. Deri tani (prej Ohri deri në Tetovë), t’i tregova anët negative të funksionit politik, do të fillojë të t’i tregojë privilegjet por, duhet të vazhdojmë së bashku deri në Paris. Besoj e kuptuat!

Dhe për fund të nderuar politikanë, meterologët prognozojnë se në ditët në vijim do të ketë borë. Ju lutem pastroni oborret e juaja dhe leni fqinjët vet ti pastrojnë oborret e tyre. Ata që ju duartrokasin dhe ju arsyetojnë e bëjnë për interesa shumë konkrete e jo se ju besojnë. Shqiptarët këtu janë popull me 3-4 universitete. Ata e dinë alfabetin e politikës shumë mirë. Qofshi në pozitë ose opozitë mëshiroheni!  Së paku mos e nënçmoni edhe aq shumë inteligjencën tonë. Ne jemi bartësit e sovranitetit mos harroni! Ju jeni kalimtarë, populli është i përjetshëm! (ISSDMaqedonia-@CSSDMacedonia)