Nga Selim Ibraimi, Uashington- Vetmia që e shoqëron një lider është më thellë kur ai ballafaqohet me veten e tij për dështimet apo objektivat e parealizuara. Kështu duket një lider në botën liberale dhe në vendet që kanë zhvillim të konsiderueshëm ekonomik dhe përgjegjësi pozitash. A  mund të besojmë ne se një ditë udhëheqësit tanë do të jenë të përgjegjshëm për detyrat dhe zotimet që i kanë marrë apo i morën?

Lideri i cili dëgjohet më shumë dhe kërkohet sot është kryetari i BDI-së z. Ali Ahmeti, një ndër ish drejtuesit politikë të UÇK-së në Maqedoni në vitin 2001 dhe i kthyer në politikan me koncepte majtiste pas vitit 2002 kur ai me shokë u ngjitën në pushtet. Afro dy dekada Ahmeti dhe partia e tij kanë pasur disa suksese, por kanë qenë të vogla krahasuar me zotimet që ai dhe partia e tij i dhanë në vitin 2002 dhe në mandatet pas.

Vërshimi i figurave të vjetra të PPD-së në BDI, angazhimi i këshilltarëve amatorë rreth tij, planifikues ekonomikë pa përvojë, grupe interesi që synonin arritjet financiare të grupit e jo të votuesve, gabime të njëpasnjëshme në strategji dhe shumë momente tjera që e ulën poshtë BDI-në, e bënë Ahmetin të duket politikan i realizueshëm vetëm për veten dhe jo për të ardhmen që do të linte gjurmë në popull dhe në transformimet demokratike.

Tash z. Ahmeti mund të krahasohet me një gjeneral apo strateg i cili ka mbetur pa ushtarë dhe këshilltarë, për shkak të mungesës së planeve dhe strategjisë për të parashikuar betejën dhe fundin e tij. Kthimi i një udhëheqësi politiko- ushtarak në qeveri dhe qeverisje në të gjitha versionet pa figura të dëshmuara që do të zhvillonin politikën e re në Shkup, ishte e destinuar të kthehej në një lojë politike në dëm të popullit të tij dhe në shërbim të rrethit të ngushtë dhe Shkupit zyrtarë.

Lideri ‘pa popull’ dhe autoritet është i vetmuar dhe i zhveshur nga prestigji dhe kujtesa e mirë historike. Nuk mund të jesh udhëheqës i mirë poqese i gjithë qyteti apo shteti të është boshatisur nga banorët ose i djegur nga ushtritë armike.

Partia e tij nuk mund të bënte ndryshime në propozim ligjin e shtetësisë, regjistrimit, gjuhës dhe statusit që kjo parti i konsideron si të mbyllura. Në botën antike kishte disa indikatorë kur një udhëheqës ishte i suksesshëm apo do të dështonte. Urrejtja dhe madhështia ishin dy tipare që përcaktonin fatin e një udhëheqësi apo të një strategu ushtarak.
Kur Josip Broz Tito vizitoi Tetovën në vitin 1972 u përshëndet dhe u mirëpritë nga populli dhe fatosat e vegjël.
Kur pandemia do të kalojë dhe mjegulla do të tërhiqet, shumë votues nuk do të jenë të pranishëm në fushatat e liderit, përvjetoret e partisë dhe në fund nuk do të kenë as popull. (ISSDMaqedonia- CSSDMacedonia)