NGA SELIM IBRAIMI-
“Javën tjetër unë do të ndërmarr hapat e fundit kushtetues për të mundësuar formimin e një qeverie të re me një legjitimitet të plotë nga parlamenti, i aftë për të luftuar COVID-19 dhe për t’i shërbyer popullit. Tarifat dhe reciprociteti duhet të bien për të forcuar mbështetjen e SHBA-ve dhe BE-së për Kosovën”- deklaroi Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi një një postim në Twitter.
I dërguari special amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell e përcolli më tej qëndrimin e presidentit Thaçi duke thënë se”pasi të bien tarifat / reciprociteti (mbase këtë javë?), atëherë dialogu fillon me zell. Unë kam folur me udhëheqësit në Serbi dhe Kosovë për të sqaruar se ata duhet të fillojnë të ndërtojnë besimin që sot dhe në përgatitje – dhe ata janë angazhuar ta bëjnë këtë. Më shumë për të ardhur së shpejti”.
Në kundërshtim me dy lojtarët e procesit të dialogut në kohë të pandemisë, përfaqësuesja gjermane në Parlamentin Europian dhe raportuese për Kosovën – një zë mjaft kritik i politikave të ambasadorit Grenell ndaj Kosovës, Viola von Cramon, theksoi po në Twitter se “ndoshta i ri për të, por tarifat janë ulur nga qeveria në detyrë dhe kryeministri i saj Albin Kurti. Nëse dikush është i interesuar të udhëheqë një dialog, ai / ajo mund ta fillojë atë me qeverinë në Kosovë në çdo kohë. Nuk ka nevojë ta rrëzosh atë në një krizë COVID-19”.
Më tej i dërguari special i BE-së Mirosllav Lajčák tha se kishte vazhduar diskutimet me liderët politikë në rajon. “Unë fola me partnerë shtesë përfshirë kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe Goran Rakic. Ne patëm bisedime të dobishme në lidhje me rifillimin e dialogut, COVID-19 dhe masat e ndihmës”.
Për më shumë, Zyra e BE-së në Kosovë lëshoi një deklaratë ku thuhet:
“Në krizën shëndetësore të COVID-19, ju, populli i Kosovës, po tregoni qëndrueshmëri dhe përgjegjësi. Ndërkohë që të gjithë jemi të pritje të kthimit të planifikuar me kujdes në normalitet, sa më shpejt që të jetë e mundur, këmbëngulja juaj mbetet e domosdoshme për ta zvogëluar ndikimin e shpërthimit dhe për të parandaluar një krizë edhe më të rëndë.
Përballë kësaj pandemie globale, politika duhet të lihet mënjanë, dhe aktorët politikë duhet të punojnë së bashku për të siguruar që qytetarët, pa asnjë dallim, të marrin ndihmën e nevojshme mjekësore dhe mbështetjen ekonomike”.
“Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe rajonal mundet vetëm ta përmirësojnë këtë përpjekje; të gjitha nismat e bashkëpunimit rajonal duhet të shihen pozitivisht. U bëjmë thirrje udhëheqësve politikë dhe institucionalë në Kosovë që të mbështesin të gjitha përpjekjet kombëtare dhe ndërkombëtare për zbutjen e ndikimit social dhe ekonomik të koronavirusit, dhe të përmbahen nga politizimi i ndihmës së vlefshme dhe të nevojshme ndërkombëtare”.
Analizë
Deklaratat e zyrtarëve europianë dhe amerikanë në dialogun serbo-kosovarë, tregojnë se ka një përçare të thellë se kur duhet të fillojnë bisedimet dhe çfarë duhet të përmbajë paketa e negociatave.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti në kundërshtim me pozicionin aktual amerikan, ka refuzuar të hyjë në negociata përfundimtare që do të prodhojë një marrëveshje në dëm të Kosovës dhe siç ka thënë ai një marrëveshje që tashmë është diskutuar në Uashington në mes Thaçit dhe Vuçiçit.
Partitë politike në Kosovë që e votuan mocionin e rrëzimit të qeverisë së Albin Kurtit, janë të gatëshme të hyjnë në bisedime më palën serbe dhe të formojnë qeverinë që po e formon presidenti si krah për të vazhduar bisedimet me Serbinë dhe dialogun që e mbështet në këtë formë përfaëqsuesi amerikan, ambasadori Richard Grenell. Nga reagimet gjermane mund të vërehet se Berlini preferon një rrugë tjetër të normalizimit të raporteve Serbi-Kosovë.
Nuk ka shenja se linja trans-atlantike do të koordinohet në rast se pala kosovare -serbe dhe amerikane, do të pajtohen me korrigjim kufijsh. Berlini është kundër këtij opsioni, por, BE deri më tani nuk ka ofruar ndonjë plan që do t’i jepte fund konfliktit historik.
Në thelb edhe nisma e dikurshme europiane me mbështetjen e ish diplomates së lartë të BE-së Frederica Mogeherini nuk prodhoi asnjë rezultat në terren, por vetëm që e avancoi Serbinë përballë palës jo të organizuar të Kosovës dhe e ofroi edhe më shumë Beogradin zyrtar me politikën e administratës së Trumpit për sa u përket ndërrimeve territoriale.
Në praktikë, këto negociata ka gjasa të mos e nxjerrin Kosovën në përparësi ose të paktën t’i rruajë kufijtë e saj, përshkak të ndërrimit të rrethanave në rajon dhe në Uashington.
Opsioni i vetëm për Kosovën mbetet që të bëjë rivlerësimin edhe njëherë të kapaciteteve të brendshme dhe të shqyrtojë ndonjë mundësi me Uashingtonin dhe Berlinin se cila rrugë së pari do të pajtojë gjermanët me amerikanët dhe pastaj të bisedohet për marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi.
Megjithatë, pala kosovare që dëshiron të formojë qeverinë e re duke përjashtuar VV, është e interesuar të vazhdojë me planet e nisura nga presidenti Thaçi dhe Vuçiç me ndërmjetësimin e ambasadorit Grenell. Aktualisht pozicioni amerikan është më i fortë duke u mbështetur tek Thaçi, Mustafa dhe liderët tjerë opozitarë.
Se si do të reagojë VV e Kurtit, popullata e Kosovës dhe BE-pas formimit të mundëshm të një qeverie të re e cila nuk është aq bindëse se ka për qëllim shëndetin publik dhe krizën e COVID-19, do të shihet gjatë javëve në vazhdim me ngjarje të reja për rajonin dhe aktorët e kyçur në këtë lojë. (ISSDMaqedonia-@CSSDMacedonia)