Matoshi:”Sundimi i tregut nga Serbia mund të neutralizohet vetëm me politika ekonomike mes Shqipërisë, Kosovës dhe MV-së”

Intervistë me Ruzhdi Matoshin, profesor në (UBT-Kosovë). Intervistoi Selim Ibraimi nga ISSDMaqedonia

 

[box type=”shadow” align=”aligncenter” ]Lirisht mund të potencoj se zhvillimet në infrastrukturë dhe marrëveshjet për liberalizim të tregut (Mini- Shengen), favorizojnë Serbinë kundrejt vendeve të tjera të Ballkanit e sidomos kundrejt Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut ku dy ekonomitë së fundmi edhe nga situata e pandemisë kanë përjetuar një shok në ekonomitë e tyre. Serbia këtë përparësi e mundëson duke luajtur edhe taktikisht ndaj Perëndimit në të shumtën e rasteve e paraqet veten si viktimë[/box]

 

ISSDMaqedonia: Si e komentoni Marrëveshjen e Uashingtonit dhe impaktin e saj rajonal?

Matoshi: Diplomacia i trajton  shumë raste problematike sipas status- quo deri sa të kuptojë zgjidhjen e problemeve që kanë palët. Mirëpo, në rastin e Kosovës dhe integrimet euroatlantike në Ballkanin Perëndimor, situata e pozicioneve të ngurta nuk i kontribuon zhvillimeve pozitive në procesin e integrimeve. Marrëveshja e Uashingtonit mes Kosovës dhe Serbisë pikërisht mendoj se është një projekt ku pretendohet të  thyhet satus quo-ja e situatës dhe të mundësohet  ridizajnimi i rrugëtimit të reformave dhe proceseve integruese përmes realizimit të projekteve ekonomike. Intenca e SHBA-së është që në këtë proces të integrimit euroatlantik t’a fusë edhe konkretizimin e shtetësisë së Kosovës e cila duhet të njihet edhe nga Serbia dhe paralelisht të merr ulëse në OKB. Para Marrëveshjes së Uashingtonit, kemi pasur situatë konfliktuoze mes dy vendeve, ishin nëse mund t’i themi disa ç’njohje të shtetit të Kosovës dhe dështime në anëtarësimve në organizmat ndërkombëtarë siç është  UNESKO dhe Interpol. Kjo Marrëveshje synim kryesor  ka vënien në binarë të sigurtë të procesit të integrimeve euroatlantike si të Kosovës ashtu dhe të Serbisë .

 

ISSDMaqedonia: SHBA po investon disa miliarda dollarë në Ballkan me fokus Serbinë dhe Kosovën. Në planin afatgjatë çka duhet bëjnë shqiptarët e Kosovës?

Matoshi: SHBA-të me investimet në infrastrukturë në të dyja vendet, kanë poashtu për qëllim t’i devalovojnë qëndrimet e deritashme politike mes të dyja shteteve duke i marrë si pengesë  rreth ecjes përpara. Momentalisht investimet e paralajmëruara nga Marrëveshja në Uashington mundësojnë zhvillim rajonit, por një avantazh më të konsiderueshëm i mundësojnë Serbisë. Kjo e fundit ka përjetuar një rritje ekonomike në vazhdimësi, Serbia momentalisht ka një Bruto Prodhim Vendor (BPV) prej 50 miliard dollarë. Lirisht mund të potencoj se zhvillimet në infrastrukturë dhe marrëveshjet për liberalizim të tregut (Mini- Shengen) favorizojnë Serbinë kundrejt vendeve të tjera të Ballkanit sidomos kundrejt Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut ku dy ekonomitë së fundmi edhe nga situata e pandemisë kanë përjetuar një shok në ekonomitë e tyre. Serbia këtë përparësi e mundëson duke luajtur edhe taktikisht ndaj Perëndimit në të shumtën e rasteve e paraqet veten si viktimë ku përjetoj bombardime nga perëndimi në vitin 1999-të. Ky shtet tenton të mos e llogarit veten përgjegjës  për shkaktimin e luftërave në ish Jugosllavi. Mos të harrojmë faktin se ishte Serbia që bëri gjenocidin në Srebrenicë. Ajo ende vazhdon të mbajë lidhje ekonomike dhe ushtarake me Rusinë e kjo e fundit përpiqet që përmes shërbimeve hibride të dëmtojë Perëndimin dhe t’i prish ekuilibrat në Ballkanin Perëndimor. Kosova momentalisht ka probleme të theksuara në aspektin e brendshëm dhe atë e rëndon së tepërmi mos anëtarësimit në OKB. Ndodhitë me Gjykatën Speciale, mospasje të një stabilitet të shumicës qeverisëse në Parlament, ku baza me vetëm një deputet më shumë se sa opozita vë në çdo kohë rrezikun e rënies së Qeverisë. Në Kosovë ende mungon konsensusi politik i brendshëm për çështje të interesit shtetëror gjë që ndikon të ketë huti në definimin e prioriteteve. Kosova nga asistenca ekonomike amerikane në planin afatgjatë do të përfitojë në projektet infrastrukturore, rrugore dhe hekurudhore, duke i forcuar lidhjet me  Serbinë dhe Shqipërinë. Kosova mendoj se do të shëndërrohet në një vend tranzit i mallrave jo vetëm mes Serbisë dhe Shqipërisë por edhe vendeve tjera fqinje.  Por, Kosova ka dhe çfarë të japë dhe të përfitojë nga resurset e veta natyrore kurdo të kemi linja moderne infrastrukturore duke përmendur këtu rreth 20 lloje të mineraleve, me lignit ku renditet në vendin e tretë në botë.

Ruzhdi Matoshi

ISSDMaqedonia: Nga këndvështrimi ekonomik fitojnë serbët apo kosovarët nga integrimi në Unionin Ekonomik?

Matoshi: Serbët para taksës që vendosi Kosova për mallrat e tyre, eksportet i kishin afër 500 milion euro në Kosovë dhe panë rëndësinë e tregut kosovar që ka për ekonominë e tyre dhe prandaj insistimi i tyre për një “Mini-Shenegn Ballkanik” është për t’i hapur horizonte ekonomisë së tyre dhe të rrisin dinamikën e zhvillimit të sektorëve që kanë lidhshmëri me ekonomitë në Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Shqipërinë. Nga kjo shohin përfitime dhe rritje të GDP-së Serbia dhe Shqipëria, ndërsa Kosova heziton me të drejtë nga këta zhvillime të Unionit Ekonomik Ballkanik, sepse dëmton iniciativën prodhuese vendore të cilat do jenë në atak nga prodhimet serbe që çmimi konkurrues në treg do të dominoj prodhimet vendore dhe të shteteve si Maqedonia dhe Shqipëria. Prandaj kërkohet një përgjigje për dominimin ekonomik që do ta bëjë Serbia. Unioni ekonomik mund të vjen në shprehje vetëm me politikat ekonomike të koordinuara pse jo mes Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë se Veriut, me  lidhjet të qëndrueshme rrugore dhe hekurudhore, modernizimi i porteve ne Shqipëri, vërja ne funksion i minierave në Kosovë, e krejt këto mund të vendosin një balancë ekonomik.  Nga ana tjetër, bregdeti në Shqipëri prej 316 km është shume premtues për turizëm  dhe por shume faktorë ekonomik si shërbyes ashtu dhe turistik si në këtë vend ashtu dhe në Maqedoninë e Veriut  ngelin shumë larg për të dëshiruar.  Prandaj mbisundimi i tregut nga Serbia mund të neutralizohet vetëm me politika bashkëpunuese ekonomike mes Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë se Veriut. Mbledhjet qeveritare të përbashkëta deri më tani mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe të dyja këto me Maqedoninë e Veriut,  asnjë projekt konkret nuk patën shumë suksese, më shumë  ishin takime për fotografi.

Uashingtoni në veprim. Pala serbe dhe kosovare gjatë nënshkrimit të Marrëveshjes Ekonomike më 4 shtator 2020

 

ISSDMaqedonia: Si shpjegohet zhvillimi i korridoreve në Ballkan?

Matoshi: Korridoret në Ballkanin Perëndimorë gjithmonë kanë qenë nën presionet vendimmarrëse të politikës, termi korridor në kuptimin e gjerë të fjalës nuk nënkupton ndërtimin vetëm të një rruge por ajo përfshin një rrjet infrastrukturor siç janë rrugët, hekurudhat, portet detare, aeroportet, sistemet e kontrollit të navigimit, gazsjellësit, naftësjellësit etj. Kjo pasi skemat e korridoreve kane një domethënie më shumë për zhvillimin ekonomik, dhe përplasjet gjithmonë kanë ekzistuar për implementim dhe ndërtim të korridoreve.  Pikërisht këtu e kemi Greqinë e cila gjithmonë është munduar të thithë investime rreth korridoreve, ajo synon të thithë të gjithë trafikun e mallrave dhe t’i detyrojë të gjithë vendet e Ballkanit t’a bëjnë transportin jo vetëm rrugor por dhe te kombinuar nëpërmjet saj nga korridoret dhe portet si: Patra – Igumenicë, Greqi – Bullgari dhe Greqi- Maqedonia e Veriut, pra janë prioritete që të kontrollojnë te gjitha transportet e mallrave.

Rival i korridoreve të cilat i mbron Greqia janë korridoret Perëndim -Lindje, pra korridori Durrës-Burgaas i cili në njërën anë lidh Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë dhe anën tjetër portet italiane si Brindisi e Bari. Ky korridor përndryshe është korridori VIII dhe ende duhet investime rrugore dhe hekurudhore që të japin impaktin në ekonomi dhe në eksport.  Korridori  Durrës – Prishtinë “Rruga e Kombit” i cili përfundon në Nish drejt Beogradit, do të jetë një lidhje e re ku pritet të ulë fluksin e eksporteve nga porti Selanikut i cili mban një lloj monopol sa i përket aktiviteteve të mallrave. Portet kanë rëndësinë në eksport, andaj investimet në Portin e Durrësit dhe të Vlorës padyshim do të japin një mundësi më shumë për eksport të mallrave se sa ai i Selanikut dhe porteve tjera greke.

 

ISSDMaqedonia: Sipas jush, cila fuqi botërore do të dominojë në Ballkan, duke filluar me Rusinë, Kinën apo SHBA-të?

Matoshi: Ndikimet nga jashtë në zhvillimin e demokracisë në vendet e Ballkanit Perëndimorë kanë qenë në vazhdimësi të pranishëm. Qeveritë e vendeve ballkanike janë shoqëruar me korrupsion, krim të organizuar, lider diktatorë dhe deformues të pashoq të qeverisjes. Rusët dhe kinezët këto vende të cilat kanë dashur t’i dominojnë janë munduar t’ua prishin demokracinë dhe zgjedhjet të lira të cilat i kanë përdorur si instrumente për të instaluar lider që do të pranonin ndikimin e tyre (rasti i Nikolla Gruevskit në Maqedoninë e Veriut). Prandaj ndikimi rus dhe ai kinez në Ballkanin Perëndimor, po marrin goditje permanente nga Perëndimi dhe SHBA të nëpërmjet implementimit te demokracisë dhe qeverisjes për qytetarë dhe zhvillim ekonomik. SHBA-të dhe vendet perëndimore kërkojnë nga vendet ballkanike sa më parë te përqafojnë idenë e demokracisë liberale e cila mundëson qeverisjen e 4 pushteteve (parlamentit, qeverisë, gjyqësorit dhe medias ) të cilat si mision në punën e tyre kanë lirinë, barazinë dhe shprehjen e individualitetit për çdo shtetas të tyre. (Selim Ibraimi, ISSDMaqedonia-@CSSDMacedonia)

 

[box type=”note” align=”aligncenter” ]Shënim: Ndalohet përdorimi i gjuhës së urrejtjes së çfarëdo natyre. Bordi redaksional rezervon të drejtën të redaktojë dhe të mos publikojë materiale që shkelin të drejtat e njeriut, lirinë e shprehjes, shtypin e lirë, integritetin individual, etnik, gjinor dhe social. Publikimi i intervistave dhe i analizave ka për qëllim përpunimin e çështjeve me karakter social, ndëretnik, ekonomik, politik dhe të sigurisë në interes të qytetarëve. Parandalimi i krizave të brendshme dhe të jashtme nëpërmjet platformave dhe mediave neutrale, të balancuara, të ndershme dhe objektive, është një nga prioritetet e programeve tona të Ndërtimit të Paqes, Menaxhimit të Konflikteve, Sundimit të Ligjit dhe programeve kundër Ekstremizmit të Dhunshëm. Pikëpamjet e autorëve dhe të ekspertëve të jashtëm jo gjithëherë pasqyrojnë linjën dhe politikën redaksionale të ISSDMaqedonia. Ju lutemi, nëse vendosni të botoni materialet tona të institutit, shkruani burimin dhe autorin e analizës apo të intervisitës.[/box]