Nga Selim Ibraimi- Papritmas bëri thirrje për kryengritje. Të gjithë i besuan në atë kohë. Qëndrimi në pushtet e kishte transformuar njeriun e butë të luftës në një njeri të egër. Bizneset e pas luftës e kishin bërë të pamëshirshëm. Por, derisa koha e kishte nxjerrë jashtë vetes, një gjë ishte e sigurtë për të. Rrënimi i figurës së tij kishte filluar që kur detektivi XI, kishte zbuluar se lideri në emër të popullit kishte bërë pasuri të jashtëzakonshme. Disa të tjerë që e njihnin më mirë, tregonin disa muabete se lideri ishte edhe i pa besë. Në çarshi flitej se patriotizmi i tij ishte i rrejshëm. Vrasjet misterioze të miqve, dredhirat tjera, grumbullimi i pasurisë për anëtarët e familjes në një valixhe sekrete dhe shumë punë jo të mira, bënë që ai të mbyllet në kullën e tij. Imuniteti i deputetit bëri që për disa vite të mbetej i paprekshëm nga organet ligjzbatuese. Duke dashur që ta kthejë besimin e humbur në popull, një ditë ju drejtua publikut duke thënë se "për të do të shkruajë historia, sepse ka bërë vepra të mira për të tjerët, për intergrimet dhe shumë pak për vete". Pa e përfunduar fjalimin, një djalosh i ri nga audienca i kishte thënë se "sigurisht do t'iu kujtojë historia ashtu njëjtë si Rrahman Morinën". Ai ishte emocionuar shumë. Nga shqetësimi i tepruar kishte urdhëruar ta arrestonin të riun që ishte shprehur keq ndaj tij. Vitet kalonin, ndërsa në fund doli se lideri dinak kishte qenë i përfshirë në shumë punë të këqija, andaj askush nuk e respektonte më. Patriotizmi i tij gjithashtu mori fund, kur një dokument i zbuluar nga detektivi XI, tregonte për aktivitetin e tij në Lëvizje dhe keqpërdorimin e fondeve publike. Historianët dhe gazetarët e rrejshëm të liderit u munduan shumë që nëpërmes publikimeve, ai të mbetet në histori. Por, e vërteta e detektivit XI ishte e pamohueshme për veprimtarinë e liderit. Ai u kujtua nga populli si udhëheqës i pamëshirshëm që punoi më shumë për perandorinë e tij financiare dhe aspak për popullin e mashtruar. (2023)
