Selim Ibraimi- Që nga shekulli i 16-17-të me lindjen e ligjit ndërkombëtar modern u bënë më të zëshme idetë se shtetet e vogla duhet të kenë një mbrojtje në marrëdhëniet ndërkombëtare. Shtetet e mëdha për nga gjeografia, kapaciteti ushtarak dhe ekonomik, dhe natyrisht të projektimit të forcës, kanë tendencë historike që të shtypin ose injorojnë shtetet e vogla që nuk kanë fuqi. Para Kongresit të Vjenës (1814-15), shtetet e mëdha niseshin nga supozimi se shtetet e vogla nuk janë shtete dhe për këtë nuk meritonin ndonjë prestigj në politikën ndërkombëtare. Pas Luftës së Dytë Botërore (LDB) dhe dhënies fund të kolonializmit, në praktikë, shtetet e vogla filluan të sillen ndryshe nga shtetet e mëdha. Si i tilla, shtetet e brishta prej një roli të vogël ndonjëherë në ngjarje të caktuara historike luajnë rol të rëndësishëm për fuqitë e mëdha. Në një qind vitet e fundit, parësore pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore (LPB) për shtetet e reja ka qenë se si të veprojnë më lehtë të njëjtat në politikën e jashtme të ndikuara nga realizmi dhe faktorët strukturorë. Në çështjet e brendshme shtetet e vogla e vënë theksin tek normat dhe identiteti ku kanë ndikim të njëjtat dhe luajnë rol po thuajse deri më sot kur kemi çështje të hapura në mes rusëve dhe ukrainasve apo edhe serbëve dhe kosovarëve etj etj. Me rëndësi në artikullin tonë është të theksojmë disa aspekte teorike, dhe si ato reflektojnë në sjelljet e shteteve të vogla përballë fuqive të mëdha në sistemin ndërkombëtar.

Sipas shkollarëve të marrëdhënieve ndërkombëtare, sistemi ndërkombëtar u lë shteteve të vogla më pak hapësirë për zgjedhje në procesin e vendimmarrjes”. Preokupimi më i madh për këta qeveri është mbijetesa e po të njëjtave vendeve në politikën ndërkombëtare. Dhe kjo përbën interesin thelbësor të shteteve të dobëta  në sistemin ndërkombëtar dhe sjelljet e tyre në raport me fuqitë e mëdha ose shtetet fqinjë që janë më të forta ekonomikisht ose ushtarakisht. Specialisti i njohur  Keneth Ualltz (Keneth Waltz) na jep një vështrim të shkëlqyer të niveleve të analizës së marrëdhënieve ndërkombëtare  kur jemi tek shteti, njeriu dhe lufta. Në politikën e jashtme shpeshherë presionet e brendshme kanë peshë më të madhe në vendimmarrjet e liderëve, shih rastin  këtu të reagimeve të presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti. Më tej autorë të marrëdhënieve ndërkombëtare, porosisin se gjithashtu mjedisi i jashtëm ose atmosfera në politikën ndërkombëtare është më kufizuese për shtetet e vogla. Nga ana tjetër, që nga bota antike e deri në kohët e sotit, ende mbizotëron supozimi që shtetet e vogla kanë gjasa të vogla të përballen me shtetet e mëdha e kërcënuese ose e kundërta, i vetmi opsion mbetet balancimi me të mëdhenjtë. Me sjelljen balancuese, autori  Xhak Levi (Jack Levi) ju referohet fuqive të mëdha dhe më pak shteteve të tjera që bien në rangun e mesëm. 

“Fuqitë e mëdha balancojnë kundër hegjemonëve të mundshëm, ndërsa shtetet më të dobëta në afërsi të shteteve më të forta bëjnë atë që është e nevojshme për të mbijetuar, duke ecur me të fortët në vend që të balancojnë kundër tyre.”  Stefan Ualltz (Stephen Waltz)  ka një pikëpamje të njëjtë si Levi ku thotë: “Sa më i dobët të jetë shteti, aq më shumë ka gjasa që të frenohet. Balancimi mund të duket i pamatur sepse aleatët e dikujt mund të mos jenë në gjendje të ofrojë ndihmë mjaft shpejt”. Për sa u përket aleancave, qysh më herët kemi shkruar se si ato bashkëveprojnë dhe formohen ose si duhet të mirëmbahen në mes shteteve dhe vendeve mike. Aleancat qofshin ushtarake dhe ekonomike që nga antika kanë qenë pjesë qendrore në marrëdhëniet ndërkombëtare  dhe tash. Thuhet se aleancat janë mjetet kryesore të politikës së jashtme me të cilat shtetet rrisin sigurinë e tyre dhe janë përcaktues kryesorë të mbrojtjes dhe sulmit në kohë të luftës. Megjithatë, gjatë Luftës së Ftohtë, aleancat shërbyen edhe për të mirëmbajtur status-quonë  jo vetëm në Evropë, por edhe në pjesët tjera të botës së ndarë ideologjike.

Siç dihet realizmi është teoria që sundon marrëdhëniet ndërkombëtare pasi vë theksin tek aleancat dhe forca. Gjithnjë nëse ndiqet kjo teori edhe në praktikën diplomatike nga qeveritë –shtetet e pasigurta, sigurisht që mund të kenë shumë përfitime me efekte pozitive nëse do të bëheshin bashkë me shtete më të fuqishme. Këtu për analizë mund të sjellim rastin në mes Kosovës dhe SHBA-së ose Maqedonisë së Veriut me SHBA-në, ku në të dyja rastet pavarësisht dallimeve të brendshme, SHBA për të dyja shtetet ka luajtur rolin e garantuesit në një sistem aleance apo të një partneriteti strategjik. Në përgjigje të ndryshimeve në nivelin ndërkombëtar dhe kërcënimeve që paraqet një marrëveshje apo jo për Kosovën nga jashtë, një qeveri këtu mund të mësojë shumë dhe zbatojë disa politika në favor të saj ose në dëm të palës kundërshtare, po gjithnjë në bashkëveprim me aleatin ose me partnerët ku shteti më i vogël ka siguruar strehë dhe siguri. Ky mirëbesim do të duhet ruajtur prej më herët dhe kultivuar dhe aplikuar në rastin më të rrezikshëm nga shteti më i dobët që përballet me kërcënimet e sigurisë. Andaj në këtë rast dhe në të tjerat, që shtetet e vogla të bëhen të zëshme në momente vendimtare për sigurinë kombëtare e vetmja derë për ta mbetet diplomacia shumëpalëshe, ku aty ato qeveri-shtete shihen më mirë. Duhet kuptuar se struktura e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe çështjet e ndërlikuara të politikës kombëtare i kthejnë shtetet e dobëta në shtete të dështuara. Dhe kur dihet se në të shumtën e rasteve edhe gjeografia e luan rolin kryesor të burimeve të kufizuara të një shteti, atëherë dëmi fillestar nuk mund të tejkalohet dhe as anashkalohet nga asnjë qeveri apo shtet. Zakonisht këtu mund të bëhen disa përjashtime për shtetet evropiane dhe ato në Ballkan, ku këta kufizime gjeografike dhe ekonomike mund të kthehen në avantazhe strategjike.

Më tej për lexuesit tanë me rëndësi është të njihen edhe me disa karakteristika të kufizimeve të shteteve dhe rolin e tyre në politikën e jashtme. Kur jemi te kufizimet sasiore,  kemi të bëjmë me madhësinë e një shteti bazuar në faktorë demografikë, gjeografikë  ose ekonomikë. Kufizimet cilësore lidhen me marrëdhëniet dhe me supozimin se shumica e marrëdhënieve të ndërtuara në mes shteteve janë në një gjendje të midis të pabarabartëve. Megjithëse kjo e fundit lexohet si teori e tepruar e analizës së marrëdhënieve ndërkombëtare, në të kundërtën hapja e shtetit në politikat  e jashtme, izolimi gjeografik, dobësia ekonomike dhe varësia nga të tjerët, janë faktorë të rëndësishëm që ndikojnë në angazhimin e shteteve të vogla në sistemin ndërkombëtar ose në faza të ndryshme  kur gjinden para një krize apo vendimi të madh, (këtu përsëri shih rastin e Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë). Pasi shtetet e vogla në praktikë nuk kanë kapacitete për të ndikuar në marrëdhëniet ndërkombëtare, atëherë ashtu si më parë ata duhet të jenë nën ombrellën e një shteti aleat që është në anën e tyre ose në një aleancë më të gjerë me një grup shtetesh që ndajnë të njëjtat vlera. Kur jemi tek shtetet e brishta dhe pa fuqi, mund të përmendim rolin e tyre në kuadër të fuqive të mëdha dhe mundësisë ose të jenë në anën e fituesit ose të humbësit. Mirëpo, e gjithë kjo varet edhe nga kapaciteti i një qeverie për tu përballur me kërcënimet e fuqive më të mëdha si p.sh. ndaj kërkesave për ndryshime që duhet t’i bëjë një shtet në dëm të interesave kombëtare ose jo. Në rast se një shtet me specifika të lartë përmendura gjeografike, ekonomike, ushtarake dhe të brendshme- politike  do të dijë të bëjë leximin e mirë të politikave  të shteteve të mëdha, atëherë mund të fitojnë shumë nga fuqitë si në ndihma financiare dhe në artikulimin e kërkesave strategjike si p.sh. në organizatat ndërkombëtare,  në ndihma materiale nga fuqitë e mëdha dhe në mjete ushtarake. Ndonjëherë me rëndësi është që lidershipi i shteteve të vogla të kuptojë pozitën ndërkombëtare të shtetit të tij, raportet me shtetet fqinjë, kërcënimet që vijnë nga shtete të treta, dhe natyrisht me rëndësi është të analizohet gjendja e fuqive të mëdha jo vetëm brenda territorit të tyre, por edhe raporti i po të njëjtëve me fuqitë konkurruese globale. Zakonisht këtu duhet sjellë si shembull përsëri raportet e Kosovës dhe Serbisë me Perëndimin, dhe ndërveprimi i tyre me politikat globale të fuqive të mëdha e në veçanti të Uashingtonit. Kur dhe cili shtet arrin të bëhet më tërheqës nga një fuqi dhe arrin të sigurojë strehë tek ai shtet (A), po atëherë shteti (B) ka fituar një garanci për sovranitetin. Mësime gjithnjë mund të merren nga e kaluara dhe nga analiza e marrëdhënieve ndërkombëtare për vepruar sot në politikën e jashtme para nënshkrimit të marrëveshjeve. Në fund, mjafton që një qeveri të këtë ekspertë dhe burime të mjaftueshme për t’i vënë në përdorim në raste të vështira për sigurinë kombëtare, pasi të gjitha shtetet e vogla kanë nevojë për ombrellën e sigurisë së më të fortëve dhe ndërmjetësimin diplomatik.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.