Acarimi me Uashingtonin kërkon ndryshim të të menduarit strategjik të zyrtarëve të Prishtinës

DR. SELIM IBRAIMI- Edhe pse qeveria amerikane dhe ajo e Kosovës kanë pikëpamje të ndryshme për deeskalimin e situatës në veri të Kosovës, dhe më shumë se për dhjetë vjet Uashingtoni ka pasur ndryshime të mëdha në politikën në Ballkan, dhe ndaj Serbisë, është në interesat kombëtare të Kosovës, që qeveria të vazhdojë të koordinohet përpara çdo problemi me SHBA-të. Në këtë proces është shumë e rëndësishme të marrin pjesë të gjitha agjencitë, Ministria e Punëve të Jashtme, Ambasada e SHBA-së në Kosovë, Ambasada e Kosovës në Uashington DC etj etj. Dhe e rëndësishme është që stafi i Kryeministrit Albin Kurti dhe ai vetë duhet të bëjë më shumë në këtë kontekst.

Në raportin e VOA-së Escobar ka deklaruar se “për Kosovën, do të dërgojë një sinjal të fuqishëm se Kosova nuk është e interesuar të bashkërendohet me ne dhe mendoj se kjo do të ishte për keqardhje. Meqë ra fjala, jo Kosova por kryeministri. Dua ta bëj shumë të qartë se ne nuk e shohim këtë si një ndikim afatgjatë në marrëdhënien tonë por veprimet e ndërmarra ose jo mund të kenë disa pasoja që do të ndikojnë një pjesë të marrëdhënies”. Escobar e ka cilësuar si konfuz qëndrimin e qeverisë së Kosovës kundër këshillave amerikane për të mos dërguar me forcë kryetarët shqiptarë të komunave në veri që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit të bojkotuara nga partitë serbe. “Për ne Asociacioni është mënyrë për të ulur ndikimin e Serbisë në veri të Kosovës dhe për ta vendosur atë në kontroll të Kosovës, nën Kushtetutën dhe strukturën tuaj ligjore. Kështu që unë e shoh si mundësi për të ecur përpara dhe nuk e kuptoj përse kushdo do ta shihte ndryshe. Në fund të ditës Asociacioni edhe pse është negociuar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk është domosdomshërisht lëshim për Serbinë, është njohje e nevojave të një komuniteti pakicë”, tha Escobar.

Edhe më parë që nga viti 2011 ka pasur disa vështirësi në diplomacinë kosovare, por tani është koha që gjërat të ndryshojnë në të menduarit strategjik dhe si të lexohen faktorët si SHBA-ja dhe shtetet evropiane. Nëse kjo rrugë do të ndiqet, atëherë disa çështje dhe keqkuptime mund të zgjidhen shumë shpejt dhe në interes të Kosovës. (@CSSDMacedonia)