SELIM IBRAIMI -INSTITUTI I STUDIMEVE TE SIGURISË DHE ZHVILLIMIT
Varfëria, korrupsioni, klientelizmi, nepotizmi dhe jostabiliteti politik-ndëretnik vazhdojnë të mbajnë peng të ardhmen e Ballkanit.
I
–Në përgjithësi, amerikanët do të kishin përparësi ndaj fuqive të tjera që janë të interesuara për vakumin aktual të Ballkanit, por kjo më tej do të varret nga politika e Trumpit dhe nëse Uashingtoni dëshiron të mbajë edhe më tej një prani të konsiderueshme forcash në Ballkan.
Në botën e re, Bashkimi Europian duhet të miratojë politika të reja për Ballkanin Perëndimor, si një politikë për parandalimin e trazirave në shtetet kufitare të BE-së.
Për të kapërcyer këtë zhvillim, është i mundur të fillohet procesi i shpejtë i pranimit të këtyre shteteve të brishta në BE.
Por kjo nuk është e lehtë për politikëbërësit, kështu që shansi i vetëm është: ndërtimi i aleancave të reja në Ballkan, si kundërbalancë ndaj zonave të reja gjeopolitike që do të përpiqeshin të parandalonin aleancën e vendeve pro-perëndimore në Ballkan.
Në fakt, kjo do ta ndihmonte NATO-n në kohë të pasigurisë. Në një mënyrë tjetër do të përdoret si ‘zonë e sigurtë’ nga vendet anëtare të BE dhe demokracitë e reja të brishta të Ballkanit, kundër aktorëve tjerë.
Nëse transformimi nuk ndodh, atëherë në dekadën e tretë mund të shohim një pamje të re të shteteve me dy forma të qeverisjes: e para, fuqia politike do të përqëndrohet në dorën e kastave të fuqishme politike dhe e dyta, rajoni do të humbë dinamikën dhe do të kthehet në mini-shtete me epiqendra të ndryshme të pushtetit.
Procesi i Berlinit shihet si një rrugë për integrimin në BE, por e gjithë kjo do të varet nga aktorët lokalë, sepse në kohën e pasigurisë globale, procesi i transformimit të rajonit në një tokë të perspektivës nuk është aq i lehtë.
Por, BE pa mbështetje nga ShBA,do ta ketë të vështirë të vazhdojë iniciativat e reja në rajon. Zbatimi i tyre do të kërkojë kohë dhe gjenerata të reja të liderëve.
Teatri i përgjithshëm i luftës së heshtur, nuk konsiston vetëm me përpjekjet ndërkombëtare për kthimin e shtetit ligjor, luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar në Maqedoni dhe Ballkan, por kjo ka një nëntekst të rolit të ShBA-ve në demokratizimin e rajonit dhe planeve afatgjata nga kërcënimet dhe aktorët malinj, kundër Ballkanit dhe interesit stategjik amerikan.
Në këtë luftë të jashtme, rishikimi i kufijve dhe kthimi në vijat e tyre natyrore do të aktualizohet në dekadat e të këtij shekulli. Aksionet e grupeve etnike serbe në Bosnjë dhe Kosovë, paraqesin raste klasike të kundërta të luftës së heshtur për paqë dhe stabilitet në Europën Juglindore.
Mos të harrojmë se ndryshimi paqësor i kufijve, pa luftë dhe zënka fqinjësore, duhet të shihet edhe si një ndër modelet për zgjidhje afatgjata të konflikteve në Ballkan. Për paqë të qëndrueshme dhe siguri, qetësia relative nuk është zgjidhje e preferuar për Ballkanin Perëndimor dhe Maqedoninë.
Atëherë cili është roli i botës demokratike ndaj Ballkanit dhe popujve, sidomos të atyre shteteve të reja që për nga pozita gjeografike gjenden afër ngatërresave rajonale dhe përherë janë të prirura për trazira të brendshme? E gjithë kjo është shumë e qartë, se ata popuj-shtete fragjile duhet të heqin dorë nga politikat e shfrytëzimit dhe dominimit të të tjerëve. Ata duhet t’i trajtojnë të gjitha çështjet me drejtësi dhe të jenë shembull pozitiv për shtetet tjera në Europë.
Paralelisht me këtë, Fuqitë e Mëdha, sidomos ShBA do të kursente mjete financiare në ndërtimin e kombeve në rajonet ku gjeografia dhe kompozimi etnik heterogjen janë kërcënime serioze për shtetet e brishta.Megjithatë në fund të dekadës, shtetet e Ballkanit të lidhura dikur me hapësirën bizantine, osmane dhe ish-jugosllave po merren ende me problemet e shekullit 19-20.
11.4.2018
Pjesë nga “Territori i luftës së heshtur”-(Trende dhe dinamika të reja gjeopolitike në Europën Juglindore)
Selim Ibraimi
2018