Nga Selim Ibraimi– Tensionet e brendshme etnike po rriten në Maqedoninë Veriore. Mungesa e sundimit të ligjit, ndikimi politik në gjyqësor dhe paragjykimet ndëretnike e kanë bërë të vështirë për shtetin të funksionojë në mënyrë të barabartë për të gjitha grupet etnike.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) e Ali Ahmetit e cila merr pjesë në pushtetin maqedonas që nga viti 2002, po e njëjta ka qenë pjesë e qeverive që kanë prodhuar çështje gjyqësore të trilluara për shqiptarët, thonë kritikët e politikave të tij. Së bashku me BDI-në, një parti e quajtur BESA është pjesë e koalicionit të ish komunistëve maqedonas (LSDM) dhe e qeverisë së kryeministrit Zoran Zaev, ku me BDI-në dhe LSDM-në, sipas opozitës shqiptare vazhdojnë të qeverisin në bazë të shkeljeve të të drejtave themelore.

Që nga viti 2002, është bërë shumë pak përparim në fushën e të drejtave të njeriut, një situatë e cila ka prodhuar rezultate konfliktuale midis qeverisë dhe shqiptarëve të Maqedonisë Veriore. Vendimet e fundit nga gjykatat shtetërore janë baza për trazira të vazhdueshme etnike në Maqedoninë Veriore.

Bazuar në raportet lokale, një pjesë e përgjegjësisë bie mbi politikanët shqiptarë të cilët ende nuk kanë gjetur mekanizma demokratikë për të parandaluar qeverinë dhe institucionet maqedonase të veprojnë padrejtësisht dhe kundër të drejtave të njeriut.

BE dhe SH.B.A. në disa raporte kanë shprehur shqetësime rreth sundimit të ligjit, krimit të organizuar politik dhe përkeqësimit të marrëdhënieve ndëretnike.
Në 2001 të dy grupet etnike u përleshën për disa muaj derisa Bashkësia Ndërkombëtare ndërhyri në konfliktin e armatosur. Të premten në Shkup, mijëra shqiptarë etnikë kanë protestuar kundër dënimeve të padrejta gjyqësore në rastin “Monstra” dhe të “Almirit”, një fëmijë shqiptar i cili u vra nga një pjestarë maqedon në vitin 2016.

Në zgjedhjet e ardhshme analistët besojnë se partitë BDI dhe BESA do të dënohen nga votuesit, ndërsa LSDM mund të ketë numrin më të ulët të votuesve shqiptarë.

Selim Ibraimi –është një analist shqiptaro-amerikan i politikës ndërkombëtare dhe studiues i çështjeve të Ballkanit. Ai u diplomua për gazetari (BA). Ai mban një diplomë master (MA) në marrëdhëniet ndërkombëtare nga Universiteti Webster, Scott Air Force Base në Shtetet e Bashkuara. Ibraimi është autor i disa librave dhe botimeve për Ballkanin. Paqja e Ftohtë (10 vjet rikonfigurime gjeopolitike në Ballkan) -2016. Territori i luftës së heshtur (Trende dhe dinamika të reja gjeopolitike në Evropën Juglindore) -2018. Beteja vendimtare (Murtaja e ndryshimeve kufitare në Ballkan) -2019. Ibraimi  jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara dhe Maqedoni. Ai është drejtor i Institutit për Studime të Sigurisë dhe Zhvillim – Maqedoni (ISSDM).