STACIONI I FUNDIT!

Nga Prof. Dr. Etem Aziri

Moto e Bektashive është “Pa mëmëdhe nuk ka fe”. Kurse motoja e imja është se, “Pa bashkëpunim mes pozitës dhe opozitës, çështja shqiptare nuk do të ecë përpara”!

Megjithatë sikurse duket, shumica e shqiptarëve në RMV mendojnë ndryshe. Sipas tyre përçarjet brenda shqiptare janë çelësi për ardhmërinë e kësaj pjese të kombit. Ndonëse janë shumicë edhe unë “dakordohem,” me ata. Zoti qoftë me ne.

Me rastin e gozhdimit të Isait, ai shikoi kah qielli dhe tha: ” Zot fali ato, nuk dinë se çfarë bëjnë”.

Unë me profesorët tjerë kemi menduar se kemi nxjerrë kuadro që do të ballafaqohen me problemet e kohës, kuadro që do t’i duan liderët partiak por çdo herë do të mbrojnë të vërtetën. Sikurse duket paskam gabuar shumë! Disa herë publikisht kam parashtruar pyetjen- pse profesorët qëndrojnë indiferent ndaj përditshmërisë politike? Më në fund e kuptova edhe atë që populli e do skllavërinë si dhe vështirë është t’ju imponohet zgjidhje tjetër!

Sokrati kur i zbërtheu anët negative të demokracisë u ekzekutua nga demokracia athinase; Platoni duke sqaruar burrështetasve të kohës së tij modelin ideal të qeverisjes, gati e përjetoi fatin e skllavit; Rusoi pasi e shkruajti veprën “Mbi edukatën” u bë armik i përbetuar i gjithë shteteve perëndimore! Parashtroj pyetjen, pse qenia njerëzore aq shumë trembet nga e vërteta? Prej sot e kuptoj logjikën e të madhit At Gjergj Fishta, “Le ta dijë bota mbarë”!

Çfarë mundet të pres një njeri nga një popull që e tradhtoi Xhemë Hasën, Lok Lakavicën, Haqif Reçanin e gjithë të tjerët në momentet kur Xhem Hasa Gostivari i përgatiste psiqikisht vëllezërit e idealit, se afron koha “kur duhej ta kthenin pushkën gjermanit”!

Do ta përfundoj shkrimin me një rëfim nga përvoja ime e punës. Kishte rastisur një “trim” prej Gostivari, tre herë mos ta kaloj provimin në një nga lëndët që i ligjërojë. Prindi i tij përmes do shokëve insistonte të më takonte. Një ditë ndava kohë dhe u takuam. Në kafene të ulur qëndronin katër persona, prej tyre tre i njoha. Pasi u ula vazhduam bisedën; Tema zgjedhjet dhe partitë. Unë duke e shpreh mendimin tim i panjohuri (prind i studentit) më ndërpreu me fjalët: “Mos e vazhdo se nuk paske lidhje”. Tre tjerët filluan të qeshin me të madhe, pa bërë shumë zhurmë sepse jam skajshmërisht frigacak prandaj e pagova pijen dhe u largova.

Në ndërkohë ata që më njihnin i kanë treguar se unë jam profesori që ai me muaj po lutej për një takim. Të nesërmen në ora 7 në mëngjes dikush trokiste në derën e zyrës. E hapa derën dhe e pashë trimin pak të shqetësuar: “Mos ma merr për të madhe profesor, unë jam budallë. Djali im është akoma budallë, i ngjan dajallarëve”. Normal e lëshova në provim. Dhe krejt për fund meqë është komunikimi i fundit i kësaj natyre ti pyes dy miq që nuk i njoh e as që dua ti njoh!

Nëqoftëse Aleanca Dega në Gostivar ka aq shumë intelektual, si nuk e gjetën që ta bëjnë një anëtarë të Komisionit Shtetëror Zgjedhorë? Dhe e dyta, nëqoftëse Gostivari është fitues që nuk mohohet atëherë pse vendi në KSHZ-së nuk i takoi degës së Gostivarit?

Nuk kam asgjë kundër personit të deleguar, përkundrazi shumë e respektoj se është aktivist i devotshëm. Dhe ju trima të FB-së, mos kujtoni se vetëm ju keni kontribuar për fitoren?! Mos harroni se unë dhe ekipi im tre muaj të tërë në mes dimri i kemi përgatitë me kërkesën personale të doktor Arben Taravarit, aktet normative të partisë që ju e përvetësoni!

Mos harroni, liderët dhe partitë janë kalimtare, populli mbetet! Unë duhet t’i kërkoj falje publike zotit Menduh Thaçi! Edhe pse asnjëherë nuk kemi pas kurfarë konflikti krijova bindje të gabueshme se ai e frenon demokracinë brendapartiake. Më në fund e kuptova se ai është demokrat ndaj të cilit duhet adhuruesit e demokracisë të tregojnë RESPEKT!