O SA MIRË TË JESH SHQIPTAR NË RMV, O HEJ!!

Nga Prof. Dr. Etem Aziri

Dikur Engelsi shkruante se në Ballkan jetojnë fise primitive që e frenojnë Internacionalizmin Proletar! Sa ka gabuar Engelsi? Ndoshta i ka pasur inat popujt e Ballkanit! Mendoni në këtë drejtim!

Gëzohem shumë që ne shqiptarët në RMV “e kemi marë fatin në duart tona“. Aq më shumë, kemi zgjidhje për çdo problem të mundshëm. Më kujtohen fjalët e një kolegu pak më të moshuar se unë i cili shpesh thoshte: “Hallall o bura, ju jeni fenomena, më shumë shkruani se sa lexoni“. Mua më shumë më pëlqen, kur lexoj në rrjetet sociale si e mësojmë zotin Zaev se si duhet të udhëheq me shtetin. Ala më shumë më pëlqen zoti Zaev kur e luan rolin e “baba dimrit“ dhe nga “strajca” e tij magjike i avanson herë të drejtat e shqiptarëve e herë të drejtat e minoriteteve tjera në RMV. Çka të bën i ngrati ashtu i ka hallet, është i detyruar. Përderisa vëllezërit bullgarë haptazi i thonë se është fjala për po të njëjtin popull të ndarë sipas tyre artificialisht, ai përmes avansimit të serbishtes tërthorazi i kërcënon se mundet RMV-në ta shndërron në “Banovinë“. Ndaj, e gjithë kësaj reagon opozita shqiptare. “Ne jemi këtu”- thonë ata. “Pa mos na pyet neve as një hap nuk mundesh të bësh në këtë drejtim”. Si njeri i thjeshtë që jam më intereson. Sipas kushtetutës, a dallon statusi i shqiptarëve krahasuar me minoritetet në RMV. Kur do ta kuptojmë se vllehët, serbët dhe të tjerët pa problem munden të bëhen kryeministra por jo edhe shqiptarët. Pse?! Nga ana tjetër, Mickovski shumë është i brengosur për regjistrimin! Frikësohet trimi prej nënshkrimit të dyfishtë, ndërsa me gojë të veten dëshmon se shqiptarët do ti pranojnë rezultatet e regjistrimit sipas njërit variant nëqoftëse janë 20%, ndërsa sipas variantit të dytë nëqoftëse numri i tyre nuk është më pak se 25%. Mrekulli! Shihet prej Hëne se problemi qëndron te organizimi klanor i shtetit.

Kjo që ndodh në RMV është e qartë si loti, sepse ka një emërues të përbashkët- interesat e kolltuqeve mbi interesat e qytetarëve dhe të shtetit. Megjithatë, ka një dallim shumë të madh ndërmjet elitave maqedonase dhe elitave politike shqiptare. Kur është në pyetje interesi maqedonas ata janë në skajshmëri-unik, ndërsa elitat shqiptare skajshmërisht- jo unik.

Unë çdo herë do ta them: “se pa një bashkëpunim minimal të liderëve shqiptarë të pozitës dhe opozitës asgjë nuk do të lëviz në kahje të duhur. A është normale, së paku një herë në muaj mos të ulen thjesht ta pinë një kafe (dhe vetëm të heshtin) Aliu, Ziadini, Afrimi dhe Bilalli. Sa e di unë këta nuk kanë kurrfarë armiqësie (përveç kolltuqeve) mes veti. Ky popull ka pasur edhe më herët lider. Mua më kujtohet koha kur pa kurrfarë problemi (pa ndërmjetësues) do të uleshin e bisedonin: Arben Xhaferi, Abdurraman Haliti dhe Iljaz Halimi.

Unë jam i vetëdijshëm se sot kolltuqet janë mbi të gjitha, çështje jete o vdekjeje. Një ditë do të ndodh rrotacioni i pushtetit. Përsëri do të kemi një palë të kënaqur dhe një palë të pa kënaqur. Nëqoftëse dikush mendon se ndërrimi i pozitave në ekzekutiv do ta avanson statusin e shqiptarëve në RMV e ka shumë gabim. Shqiptarët do ta zëvendësojnë një padron me një tjetër. Të nderuar miq! A keni menduar ndonjëherë se të gjithë ne si qytetarë, jemi në pozitë të skllevërve. Dallimi qëndron në atë se në RMV skllavëria është dy shkallëshe. Maqedonasit janë skllevër të shtetit ndërsa, shqiptarët janë skllevër të skllavopronarëve shqiptarë (partive politike) plus edhe skllevër të shtetit. Deri kurrë mundet të durohet kjo skllavëri që në shumë aspekte e tejkalon skllavërinë e shoqërive skllavopronare. Ne jemi të lirë vetëm në momentin kur votojmë.

Një çështje tjetër, a mendoni se pa një pajtueshmëri brenda shtetit mundet të arrihet pajtueshmëri ndërshtetërore? Zaevi pranon ndryshime në tekstet shkollore, visa-vi Greqisë dhe Bullgarisë. Në rregull, ashtu e kërkon momenti historik! Por çka ndodh me historinë më të re këtu? Deri dje, por edhe sot sipas maqedonasve “Balli Kombëtarë“ trajtohet si organizatë pro-fashiste. Nëqoftëse bullgarët kanë qenë pak okupator si dhe pak administratorë, i pyes publikisht historianët: cilin qytet në pjesën lindore të Maqedonisë e kanë sulmuar Ballistët? Gjithashtu i pyes kush i kishte shikuar nga ky prizëm si tradhtarë Xhema, Loka, Haqifi, Mefailat e Kërçovës ose Liman Kaba dhe Ibe Palikuqa?!

Si do të trajtohet konflikti i vitit 2001 në tekstet shkollore në RMV?

“Si agresion nga Kosova ose si rrjedhojë e diskriminimit institucional ndaj shqiptarëve ndër vite e decenie! A mundet RMV të jetë shoqëri me perspektiva të qëndrueshme duke e zhdukur gjuhën e urrejtjes në plan të jashtëm dhe në të njëjtën kohë duke e toleruar gjuhën e urrejtjes brenda shtetit?! Të nderuar anëtar dhe simpatizantë të partive politike, thoni mjaft, jepni fund kësaj skllavërie të sofistikuar. Shqiptarët në RMV paraqesin një tërësi me një histori të lavdishme. Nga ky vend e kanë origjinën dy Nobelista. Në ndërkohë u gëzova shumë që e nderuat personalitetin e Ismail Kadaresë, por për fat të keq nuk kam lexuar që dikush të ketë uruar ditëlindjen Ferid Muratit! Ndoshta ai është më pak i vlefshëm, është vetëm Nobelist!

Ne do të vazhdojmë të postojmë fotografi, do të shkruajmë dhe do të komentojmë, të vetëdijshëm se asgjë nuk do të ndryshojmë. Më falni që do ta uli nivelin e komunikimit por nga fshatrat e Gostivarit populli thotë: “Qeni leh e ujku pordh“! Ta harrojmë interesin e përgjithshëm, interesin e kombit dhe të pajtohemi se ndryshe janë dukur burrat që i kanë mbrojtur ato interesa. Një ditë, shumë kohë më parë, në provim më erdhi një aktivist partiak. Kishte një hall të madh. Nuk gjente askund pllaka për banjo. Pak u habita! Megjithatë, kur më dha sqarime plotësuese e kuptova. Ata pllaka nuk shiteshin me metër katrorë por me copë. Pasi iku, meqë kam ligjëruar aritmetikën si i ri në një fshat të Gostivarit, e bëra një kalkulim! Qenefi (banjo) i studentit si aktivist partiak kushtonte më shumë se shtëpia ime. (CSSDMacedonia)