Roland Gjoni: “Kosova nuk duhet të ngutet në marrëveshje të fshehta me Serbinë”

Exit News intervistoi Dr. Roland Gjoni, ekspert për nacionalizmin dhe formimin e shtetit, në lidhje me zhvillimet më të fundit politike në Kosovë.

 

Exit News: Javën e kaluar, Zyra e Prokurorisë Speciale e Kosovës me seli në Hagë njoftoi publikisht se ajo ka ngritur akuza kundër Presidentit Thaçi ndërsa ai ishte duke shkuar në një takim të nivelit të lartë me Presidentin e Serbisë të ndërmjetësuar nga Shtëpia e Bardhë. Pse akuza u bë publike dhe pse në këtë kohë?

Dr. Gjoni: Fshehtësia rreth iniciativave diplomatike mes Kosovës dhe Serbisë e bën shumë të vështirë analizën e saktë. Njoftimi i akuzës ndaj Thaçit para konfirmimit të saj nga gjyqtarët e seancës paraprake është i paprecedent.

Koha, në të cilën ndodhi, tregon synimin për të prishur një marrëveshje eventuale midis Presidentit Thaçi dhe Vuçiçit të ndërmjetësuar nga i dërguari special i presidentit Trump, Richard Grenell.

Sidoqoftë, pretendimi i kryeprokurorit se ai ishte i detyruar t’i përgjigjej një fushate të fshehtë të udhëhequr nga Thaçi dhe Veseli për të minuar punën e gjykatës shfuqizuar ligjin mbi bazën e të cilit funksionon gjykata, duket si shpjegim jobindës. Në fakt, nisma e ndërmarrë nga Thaçi, Haradinaj dhe Veseli në dhjetor 2017 u braktis për shkak të presionit të tepërt ndërkombëtar.

Që atëherë, nuk ka pasur nisma kushtetuese ose ligjore për të ndryshuar mandatin ose shfuqizuar gjykatën. Nëse një nismë e ngjashmë është diskutuar fshehurazi kohët e fundit, nuk ka gjasa që Kryetari i Parlamentit ose Kryeministri, të dy që vijnë nga LDK, ta sponsorizonin, miratonin ose mbanin atë sekret nga publiku.

Sidoqoftë, me pak informacion të disponueshëm, nuk është e paarsyeshme të mendosh që kryeprokurori mund të ketë informacione se Grenell po ndërmjetëson një marrëveshje e cila do të përfshinte amnisti për krimet brenda juridiksionit të gjykatës speciale. Koha e njoftimit publik mund të jetë përzgjedhur për të parandaluar çdo premtim të shkruar ose të pashkruar për amnisti ose imunitet nga ndjekjet penale në kompetencë të Zyrës së Prokurorisë Speciale.

Sipas mendimit tim, SHBA-të që nga fillimi kanë shprehur mbështetje të pakufizuar për krijimin e një gjykate për gjykimin e pretendimeve të ngritura në raportin e Dick Marty në vitin 2011. Një prokuror amerikan ka udhëhequr Task Forcën Hetuese të BE-së e cila konfirmoi pjesërisht gjetjet e Dick Marty. Për më tepër, SHBA-të bënë shumë presion ndaj udhëheqjes së Kosovës për të miratuar ligjin për gjykatën speciale dhe që nga viti 2015, prokurorët e lartë amerikanë kanë udhëhequr zyrën e prokurorisë.

Megjithëse, administrata e Trump ka një imazh se nuk është shumë e qëndrueshme, i sheh gjërat si marrëdhënie tregtare dhe shpeshherë në kundërshtim me normat ndërkombëtare dhe institucioneve shumëpalëshe, nuk ka shans që Departamenti i Shtetit të jepte garanci për amnisti për krimet e luftës për askënd nga anëtarët e ekipeve negociuese të Kosovës ose Serbisë.

Asnjë administratë amerikane nuk mund t’i garantojë mbrotje ose falje për askënd që akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Edhe nëse Grenell, Thaçi dhe Vuçiç kanë diskutuar mundësinë e përfshirjes së një klauzole amnistie në projekt-marrëveshjen, kjo amnisti është e pavlefshme sipas të drejtës ndërkombëtare.

Kjo ngjarje tregon vetëm rreziqet që sjell negociimi i një marrëveshje për paqen, të bëra diplomaci sekrete pa një proces gjithëpërfshirës dhe transparent.

Në fakt, Presidenti Trump dhe këshilltarët e tij të lartë mund të ndiqen penalisht në bazë të ligjit amerikan dhe ndërkombëtar sapo të mbarojë mandati i tij presidencial nëse ekzistojnë provat të tilla, që vërtetojnë se ata kanë lehtësuar, kushtëzuar ose miratuar amnisti për krime të tilla.

Në mënyrë të ngjashme, nëse ndërmjetësit përdorin ndjekjen penale si një kërcënim për përfaqësuesit e Kosovës ose Serbisë, si një mjet për t’i detyruar ata të pranojnë marrëveshje të pafavorshme, rezultatet e kësaj marrëveshje janë absolutisht të pavlefshme, sipas nenit 52 të Konventës së Vjenës për Traktatet dhe kështu nul sipas ligjit ndërkombëtar.

Cili do të jetë ndikimi i akuzës tek Presidenti Thaçi dhe më pas në Kosovë?

Gjoni: Në këndvështrimin juridik, edhe nëse gjyqtari i seancës paraprake konfirmon akuzën, Presidenti Thaçi prezumohet i pafajshëm derisa të merret një vendim i formës së prerë nga gjykata, vendim i cili mund të zgjasë nga pesë deri në dhjetë vjet.

Implikimet politike të akuzës në pritje janë më të menjëhershme, brenda dhe jashtë vendit.

Thaçi luajti një rol aktiv në rrëzimin e kryeministrit Kurti përmes një mocioni mosbesimi në mes të pandemisë së Covid-19. Ai pranoi se ka siguruar një votë vendimtare për të miratuar qeverinë e re të udhëhequr nga LDK.

Për shkak se Presidenti i Kosovës ka deklaruar vazhdimisht se Kosova nuk kishte kohë për të humbur dhe duhet të ishte e gatshme për të nënshkruar një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, thashethemet rreth akuzës në pritje do ta dobësojnë atë brenda vendit.

Ndërkombëtarisht, Thaçi i vendosi të gjitha fatet e tij politike në drejtimin e dialogut Kosovë-Serbi larg BE-së dhe drejt Shtëpisë së Bardhë. Edhe pse shumica e kritikave të Thaçit për politikën e BE-së ndaj Kosovës janë shumë të vlefshme, qëndrimi i tij gjithnjë e më i paqartë kundër BE-së ka bërë që shumë liderë evropianë do të ishin të lumtur ta shihnin atë jashtë loje.

Rënia e autoritetit në Kosovë dhe në vendet anëtare të BE-së do ta bëjë të vështirë për presidentin Thaçi që të udhëheqë negociatat e ardhshme, edhe nëse ai nuk tërhiqet në pritje të rezultatit të akuzës.

Aktakuzat gjithashtu do të sjellin pasoja të mëdha për aktorët e tjerë politikë dhe Kosova mund të shkojë drejt një rikonfigurimi dramatik të arenës politike.

Ish-kryetari i Kuvendit Veseli është një nga figurat më me ndikim politik në Kosovë dhe kryetari i partisë së dytë më të madhe opozitare. Akuzat ndaj tij do të ndryshojnë dinamikën politike brenda dhe jashtë PDK-së.

Për më tepër, ish-kryeministri Haradinaj dhe drejtues të vjetër nga të gjitha partitë kryesore që ishin pjesë e UÇK-së tashmë janë marrë në pyetje dhe mund të përballen me akuza në muajt e ardhshëm.

Sondazhet e bëra nga organizata ndërkombëtare dhe vendase tregojnë se shumica e publikut të Kosovës e shikon hetimin e drejtuesve të UÇK-së si një padrejtësi ndaj Kosovës, luftës së saj çlirimtare dhe trashëgimisë së UÇK-së. Pakënaqësia e përhapur mund të mos çojë menjëherë në trazira sepse udhëheqja e tanishme shihet gjithashtu nga shumë shqiptarë si përgjegjës për kapjen e shtetit, korrupsionin e përhapur dhe ngecjet në procesin e konsolidimit të shtetësisë së Kosovës pas pavarësisë.

Sidoqoftë, është e drejtë të supozohet se Kosova do të përballet me njëfarë niveli paqëndrueshmërie, kur të ndodhin aktakuza dhe arrestime bëhen publike.

Gjykata speciale tashmë është realitet. Sidoqoftë, nxitja e trazirave të brendshme kundër gjykatës speciale e cila është pjesë e sistemit kushtetues të Kosovës vetëm sa do të dobësojë shtetësisë së Kosovës. Çdo përpjekje për të shmangur drejtësinë përmes garancive amerikane dhe / ose BE nga akuza nuk ka shumë të ngjarë të jetë e suksesshme. Përpjekjet për të nxitur trazira civile ose për ta bërë të pamundur funksionimin e gjykatës vetëm sa do t’i ofrojnë argumente Beogradit se Kosova është një shtet i dështuar dhe pavarësia e saj nuk duhet të ishte mbështetur nga bashkësia ndërkombëtare

Cilat janë pasojat e fitores së fundit elektorale të Presidentit të Serbisë Vuçiç për marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë?

Gjoni: Presidenti Vuçiç ishte politikisht shumë i fortë edhe para zgjedhjeve të fundit. Një shumicë e re dhe  më e madhe do të thotë se sundimi i tij në çdo aspekt të jetës së Serbisë nga media, biznesi, gjyqësori dhe shoqëria civile do të mbetet i pa sfiduar për të ardhmen e parashikueshme.

Aftësia e tij për të lundruar në gjeopolitikën botërore dhe për të përmirësuar qëndrimin e Serbisë në botë është rritur shumë nga qasja e pabarabartë e BE-së gjatë dialogut Kosovë-Serbi. Natyra burokratike e udhëhequr nga BE i bëri burokratët e BE-së si Mogherini dhe Hahn gjithnjë e më shumë të varur nga liderët joliberalë si Vuçiç për të treguar njëfarë përparimi në Ballkanin Perëndimor.

Mes raporteve për hapat pas në demokraci dhe prirjet autoritare që kanë karakterizuar konsolidimin e pushtetit të Vuçiqit, Serbia tani konsiderohet një kryesuese e zgjerimit të BE-së për shkak të aftësisë së Vuçiqit për të luajtur SHBA, BE, Rusi dhe Kinë kundër njëri-tjetrit ndërsa merr mbështetje dhe investime nga të gjithë ata.

Në lidhje me këtë, stili i udhëheqjes së Vuçiçit duket se është një kombinim i politikës së mosanësimit të Titos për të maksimizuar përfitimet nga aleancat e larmishme ndërkombëtare dhe pragmatizmi i skajshëm i Millosheviqit i cili përdorte e minoritetet serbe në vendet fqinje (Kosovë, BiH dhe Mali i Zi) për të zgjeruar dominimin e Serbisë në rajon.

Për më tepër, pozicioni aktual i Vuçiqit u bë i mundur edhe nga dështimet e udhëheqjes së Kosovës në shumë fronte dhe varësia e frikshme e Kosovës nga mbrojtësit ndërkombëtarë. Letrat e cnjohjes së Kosovës nga vendet e ndryshme të paraqitura nga Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç japin prova të mjaftueshme që Serbia ka arritur ta interpretojë dialogun e vazhdueshëm të udhëhequr nga BE si një pranim i nënkuptuar nga liderët e Kosovës që pavarësia e Kosovës nuk është punë e kryer dhe se liderët e Kosovës pranojnë negociata rreth statusit final.

Deri në një farë mase, suksesi i Vuçiçit është ndihmuar edhe nga dështimi i Shqipërisë për të ngritur zërin për Kosovën ndërkombëtarisht dhe përpjekjet e tij të suksesshme për të neutralizuar rolin e Shqipërisë në Ballkanin Perëndimor pas Samitit të Nishit të 2015 me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Në veçanti, propozimet e fundit të Ramës për të negociuar marrëveshje për një zonë Mini-Shengen me Serbinë, përkundër kundërshtimeve të Kosovës, kanë përmirësuar imazhin e Serbisë në rajon në dëm të Kosovës. Republika e Shqipërisë nuk ka kufij me Serbinë dhe marrëveshjet e drejtpërdrejta Shqipëri-Serbi për lirinë e lëvizjes dhe heqjen e kufijve cënojnë aspekte të rëndësishme të shtetësisë së Kosovës.

Në skenën botërore, fakti që Vuçiç ka mundur të bindë ish-zyrtarë të nivelit të lartë dhe ata aktual të BE-së dhe SHBA-ve, si Federica Mogherini, Johannes Hahn, John Bolton, Ëess Mitchell dhe Richard Grenell që Serbia meriton të kompensohet me territor në Kosovë mund të konsiderohet një sukses i madh.

Nën Vuçiç, Serbia po rigjallërohet, megjithëse nuk pranon asnjë lloj faji, për mizoritë që ajo ka shkaktuar gjatë luftërave në Ballkan të viteve 1990. Kjo është e dukshme në dështimin e Vuçiçit për të njohur përgjegjësinë për genocidin në Srebrenicë, mohimin e tij për masakrën e Reçakut në Kosovë dhe fjalimin e tij të vitit të kaluar në Kosovë ku ai kritikoi Millosheviçin për dështimin në arritjen e rezultateve të synuara por mbështeti publikisht qëllimet e Millosheviqit për të imponuar dominimin serb.

Vuçiçi duket se beson se ai mund të rimarrë në tryeza bisedimesh atë që humbi Millosheviçi gjatë luftërave përmes një politike të suksesshme dhe mëndjeprehtësie gjeopolitike që përfundimisht do t’i lejojë Serbisë bindë të tjerët pëe një rishqyrtim të marrëveshjeve që zgjidhën konflitet në Jugosllavi në favor të ambicieve territoriale të Serbisë. Kjo po bëhet gjithnjë e më e dukshme për liderët e vjetër në BE, por pak kanë guximin ta korrigjojnë Vuçiçin.

Aktakuza e Thaçit dhe figurave të tjera të UÇK-së mund të forcojë edhe më tej pozicionin negociues të Serbisë pasi Vuçiç do të vazhdojë ta projektoj veten time si një palë fleksibël që komandon një shumicë shumë të madhe në Serbi, nuk ka linja të kuqe ose tabu kur bëhet fjalë për negociatat me Kosovën.

Sidoqoftë, unë ende besoj se qëllimi përfundimtar i Vuçiçit është të sfidojë shtetin e Kosovës pafundësisht, me shpresën se fuqitë ndërkombëtare mund të lejojnë që Serbia të përfitojë nga korrigjimet territoriale në Ballkan.

Përmbledhtazi, besoj se Vuçiç do të vazhdojë të njëjtën strategji të mosnjojes së Kosoves derisa mosnjohja e Kosovës të bëhet shumë e kushtueshme për Serbinë.

Si mund t’i përgjigjet Kosova kësaj situate komplekse ndërkombëtare për të përfunduar njohjen e shtetësisë së saj? Si e shihni të ardhmen e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë?

Gjoni: Kosova përballet me pengesa serioze në përfundimin e ndërtimit të shtetit të saj dhe arritjen e njohjes së plotë ndërkombëtare. Disa nga këto pengesa janë rezultat i trashëgimisë së lindjes së Kosovës si një shtet i kontestuar dhe mjedisi ndërkombëtar në ndryshim që nga viti 2008.

Për shembull, ishte e qartë që nga viti 2008 që mos arritja e njohjes nga pesë shtete anëtare të BE-së do të dëmtonte Kosovën dhe do të forconte aftësinë e Serbisë për të sfiduar Kosovën ndërkombëtarisht.

Kjo tani është bërë më e qartë dhe ndërsa është një ekzagjerim të thuash që Kosova kurrë nuk do të anëtarësohet në BE, është e drejtë të thuhet se rruga e Kosovës në BE është e pasigurt pa njohje nga të gjithë anëtarët e BE. Në mënyrë të ngjashme, duke pasur parasysh veton ruse dhe kineze në Këshillin e Sigurimit, anëtarësimi në Kombet e Bashkuara do të jetë shumë i vështirë për Kosovën, pavarësisht nga procesi i normalizimit me Serbinë.

Në të njëjtën mënyrë, për sa kohë që KFOR është i pranishëm nën rezolutën e OKB 1244 dhe derisa Kosova nuk njihet nga të gjithë anëtarët e NATO-s, do të jetë shumë e vështirë për Kosovën të anëtarësohet në NATO ose ta bëjë ushtrinë e saj funksionale në komunat me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës pa marrë leje nga trupat e KFOR-it.

Këto kufizime strukturore nuk duhet të nënvlerësohen megjithëse udhëheqja e Kosovës ka bërë disa gabime strategjike që nga pavarësia. Për shembull, Kosova dështoi të përdorë mbështetje dhe ndihmë ndërkombëtare për të ndërtuar një sistem të fortë drejtësie të aftë për të ofruar drejtësi për të gjithë viktimat e krimeve pa marrë parasysh përkatësinë etnike të autorëve ose viktimave.

Me kalimin e viteve, moshetimi i krimeve të luftës është një nga shkaqet kryesore për krijimin e gjykatës speciale e cila tani ka një juridiksion specifik kohor për krimet që dyshohet se janë kryer nga ish-pjesëtarët e UÇK-së.

Diplomatët ndërkombëtarë nuk flasin më për faktin se shumë pak njerëz janë dënuar nga sistemi i drejtësisë së Serbisë për rreth 13,000 viktima në Kosovë. Pothuajse nuk përmendet që më shumë se 1133 nga shqiptarët e vrarë ishin fëmijë dhe mijëra gra shqiptare ishin viktima të dhunës seksuale në duart e forcave ushtarake dhe paraushtarake jugosllave.

Gjithashtu, gjatë dialogut, udhëheqja e Kosovës i mundësoi Serbisë të rrisë ndikimin e saj mbi sistemin e brendshëm kushtetues të Kosovës, përmes premtimeve të bëra për Asociacionin e Komunave Serbe dhe krijimin e Listës serbe, e cila funksionon si një degë e partisë së Vuçiçit në Kosovë.

Për më tepër, duke ndjekur kërkesën e UNESCO-s pa siguruar numrin e nevojshëm të votave për anëtarësim, udhëheqja e Kosovës vendosi një precedent shumë të keq duke siguruar stimuj të mëtejshëm për Serbinë për të intensifikuar fushatën e saj të mos njohjes dhe të dobësojë pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.

Deri në një farë mase, të gjitha partitë qeverisëse në Kosovë dhe segmente të mëdha të shoqërisë civile kanë refuzuar të merren me realitetet e vështira të ndërtimit të një shteti, kryesisht, duke u mbështetur në SHBA-të, dhe vendet e fuqishme anëtare të BE-së si Gjermania dhe Franca për të mbështetur Kosovën pafundësisht.

Unë mendoj se udhëheqja e Kosovës duhet të mos i injorojë këto sfida dhe nuk duhet të besojë më në zgjidhje magjike nga SHBA-të ose BE.

Ekziston një perceptim i përhapur midis kundërshtarëve të Thaçit në Kosovë se situata e pasigurt e Kosovës mund të jetë e përkohshme. Ekziston gjithashtu një pritje e gabuar se SHBA do të jenë më mbështetëse nëse Trump humbet zgjedhjet e nëntorit.

Unë nuk pres që zgjedhjet presidenciale në SHBA ose reformat brenda BE-së do të ndryshojnë thelbësisht situatën ndërkombëtare në favor të Kosovës.

Kjo duhet të pranohet si realiteti i ashpër i Realpolitik global në të cilin shtetet nuk kanë partneritete të përhershme, por interesa vetjake të përhershme

Në rastin më të keq, sa më shumë udhëheqja e Kosovës vazhdon politikën e saj për “të mos bërë asgjë”, aq më i paqartë do të bëhet pozicioni i saj ndërkombëtar përballë besueshmërisë në rritje të Serbisë.

Kjo gjendje e mohimit të realitetit dhe vartësie jo të shëndetshme nga mbështetja ndërkombëtare nuk e ka ndihmuar Kosovën të kapërcejë realitetet e vështira të përfundimit të procesit të shtetësisë dhe nuk ka gjasa të japë rezultate pozitive në të ardhmen.

Pavarësisht nga zhvillimet publike të gjykatës speciale, Kosova duhet të fillojë të përgatitet vetë për të lundruar këto sfida në një botë gjithnjë e më të pasigurt, përballë zvogëlimit të mbështetjes së aleatëve ndërkombëtarë.

Në këtë kontekst, forcimi i kapacitetit shtetëror nënkupton përqendrimin në konsolidimin e shtetit të së drejtës, zhvillimin e ekonomisë, investimin në aftësitë e tij mbrojtëse dhe të sigurisë, marrjen e një roli më proaktiv në ndërtimin e aleancave rajonale dhe forcimin e shtrirjes së tij drejt fuqive të mëdha dhe shteteve jo njohëse pa pritur që dikush të bëjë punën për Kosovën.

Si përmbledhje, unë mendoj se çdo marrëveshje përfundimtare me ose pa ndryshimin e kufijve do të bëhet shumë e vështirë pasi skena politike e Kosovës mund të pësojë ndryshime dramatike në muajt e ardhshëm. Kosova duhet të vazhdojë të punojë në përmirësimin e marrëdhënieve, të shmangë përshkallëzimin e tensioneve ose ndonjë konflikt të armatosur me Serbinë, por nuk duhet të diskutojë shtetësisë e saj me Serbinë dhe as të mbivlerësojë rëndësinë e njohjes nga Serbia për qëndrueshmërinë e saj si shtet.

 

Dr. Roland Gjoni është hulumtues në fushën e konflikteve etniko-nacionaliste në universitetin University College Dublin, Irlandë. Ai ka punuar për mbi 15 vjet në Kosovë në role këshilluese për politikat publike dhe ligjin, si pjesë e organizatave ndërkombëtare.