Intervisitë me hulumtuesen dhe analisten Serbeze Haxhiaj

Intervistoi Selim Ibraimi nga Instituti i Studimeve të Sigurisë dhe Zhvillimit-(ISSDMaqedonia)

Kosova dhe Serbia, e mbi të gjitha aleatët e tyre ndërkombëtarë, mund të jenë më të vendosur për të ecur përpara me dialogun dhe ndërtimin e paqes dhe pajtimit. Për këtë ekziston një parakusht që Serbia të kërkojë falje për krimet e kryera, ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe të jetë e gatshme për paqe. Ndërsa partnerët ndërkombëtarë, sidomos BE-ja, të jenë më të vendosur në kushtëzimet e të dyja vendeve për stabilizim të rajonit.

ISSD: Znj.Haxhiaj,si e vlerësoni debatin për korrigjimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë?

Serbeze Haxhiaj:Debati për ndarjen etnike të Kosovës ose siç po quhet korrigjim kufijsh, ka nisur të ringjallë fantazmat e vjetra ballkanike. Në përshtypjen e parë,  debati për shkëmbim territoresh duket i thjeshtë. Pas dekadash armiqësie, të dyja vendet po synojnë një marrëveshje e cila normalizon marrëdhëniet, dhe bën që Serbia ta njoh Kosovën dhe të zhbllokojë rrugën e saj të  konsolidimit të shtetësisë brenda dhe jashtë dhe kështu t’u jepet fund armiqësive. Protagonistët, që dy dekada më parë ishin pjesëmarrës në një luftë që la pas mijëra të vrarë, tani flasin për marrëveshje paqeje.Ndonëse  liderët në Kosovë e as në Serbi nuk i kanë bërë publike detajet, në prapaskenë duket që ka një pëlqim paraprak për shkëmbim territoresh. Një këtë version Serbia synon të marrë  veriun e Kosovës, i cili fare pak kontrollohet nga autoritet në Prishtinë, ndërsa një pjesë të Luginës së Preshevës në jug të Serbisë, t’ia bashkojnë Kosovës.Por, në fakt kjo është vetëm një prelud i një shfaqjeje të rrezikshme, e cila përditë po bëhet gjithnjë e më kërcënuese për paqen edhe ashtu të brishtë në Ballkan. Në skenarin më të mundshëm edhe mund të ketë një marrëveshje të tillë, por kjo nuk do të jetë kurrsesi e mjaftueshme për të arritur paqen dhe pajtimin e gjithashtu edhe tejkaluar armiqësitë e gati një shekulli mes të dyja vendeve.Në anën tjetër, debati po bëhet në një klimë frike dhe ndarjesh të thella  brenda vendit, por në mes, të vetë faktorit ndërkombëtar.

ISSD: Znj.Haxhiaj,cilat janë rreziqet për shtetësinë e Kosovës?

Serbeze Haxhiaj:Nëse hapet çështja e ndryshimit të kufijve, ka gjasa që çështja e shtetësisë së Kosovës të pësojë një plasaritje ose të mbetet në një rreth vicioz të një konflikti të ngrirë. Në anën tjetër, në formën çfarë po plasohet ideja e ndryshimit të kufijve, është një paralajmërim për spastrim etnik, para së gjithash i shqiptarëve në  Luginë të Preshevës, por edhe i serbëve në pjesë të tjera të Kosovës. Gati dy dekada pas luftës së Kosovës, mijëra njerëz ende janë të zhvendosur, duke mos mundur kurrë të kthehen në shtëpitë dhe pronat e tyre. Prekja e kufijve që mund të çojë në zhvendosje të detyrueshme të popullsisë, nuk mund të jetë asnjëherë aq paqësore dhe nuk  mund të prodhojë stabilitet. Në histori, marrëveshjet e tilla për shkëmbim territoresh dhe zhvendosje të popullsisë, kanë prodhuar vetëm probleme dhe brutalitet. Derivat i kësaj mund të jetë vatër e re për zjarrvënie.

ISSD: Znj.Haxhiaj,në mënyrë të veçantë, për të ecur përpara çfarë duhet të bëjnë Kosova dhe Serbia?

Serbeze Haxhiaj:Kosova dhe Serbia, e mbi të gjitha aleatët e tyre ndërkombëtarë, mund të jenë më të vendosur për të ecur përpara me dialogun dhe ndërtimin e paqes dhe pajtimit. Për këtë ekziston një parakusht që Serbia të kërkojë falje për krimet e kryera, ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe të jetë e gatshme për paqe. Ndërsa partnerët ndërkombëtarë, sidomos BE-ja, të jenë më të vendosur në kushtëzimet e të dyja vendeve për stabilizim të rajonit.Një dekadë pas shpalljes së pavarësisë, Kosova dhe Serbia mbesin të mbërthyera në tensione të larta dhe përplasje të vazhdueshme etnike, me një garanci sigurie  të trupave të NATO-s, në mes.

ISSD: Znj.Haxhiaj,çfarë ndikimi gjeopolitik mund të ketë rivendosja e kufijve të rinj për Maqedoninë dhe Bosnjën?

Serbeze Haxhiaj:Për më tepër se tri dekada pas shpërbërjes së përgjakshme të Jugosllavisë, prekja e kufijve do të thotë  kalim te një kapitull tjetër i konflikteve. Kjo do të jetë edhe më e lehtë për faktin se në këto vende vatrat e konfliktit dhe  përplasjet ndëretnike, nuk kanë pushuar ende. Pastaj, janë ende në pritje mijëra varre të hapura për mijëra të zhdukur dhe pesha e krimeve dhe gjenocidit që është kryer, po rezonon fort në krahët e gjeneratës së tashme. Prandaj, hapja e Kutisë së Pandorës për shkëmbime territoresh, duhet patjetër të shmanget sepse ky proces nuk mund të përfundojë këtu. Ndryshimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, gjithsesi se do të shkaktonte një domino efekt edhe në rastin e  Maqedonisë ku territoret e banuara me shqiptarë, do të mund të kërkonin bashkim me Shqipërinë. Republika Serbe e Bosnjës edhe ashtu po kërkon hapur t’i bashkohet Serbisë. Rreziku do të jetë edhe më i lartë duke pasur parasysh strukturën tejet të komplikuar të organizimit shtetëror të Bosnjës në tri njësi, që më shumë po e bën një shtet invalid.Udhëheqësit në luftërat e ish Jugosllavisë e panë spastrimin etnik si mënyrën më të mirë për të krijuar shtete të reja kombëtare, pa  përzierje të pakicave etnike problematike. Tani, ideja për shkëmbim territoresh mund të jetë i njëjti rrëfim, me rezultate po aq të kushtueshme.

ISSD: Znj.Haxhiaj,Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë dhënë reagime të ndryshme. A ka ndonjë përçarje midis Uashingtonit dhe Brukselit?

Serbeze Haxhiaj:Administrata amerikane kohët e fundit i dha një nxitje  tjetër planeve për ndarje, duke përmbysur qëndrimin e gjatë të  Uashingtonit kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan. Por, derisa sinjalet amerikane për ndarje nuk duken të jenë të padëshirueshme, kampi evropian mbetet thellësisht i ndarë, pro dhe kundër ndryshimit të kufijve. Gjermania dhe Britania, vazhdojnë ta kundërshtojnë fuqishëm ndarjen, përderisa të tjerë, si Franca apo edhe Austria, po paralajmërojnë bekimin e kësaj ideje. I fundit ishte kancelari austriak Sebastain Kurtz, që tregoi hapur se Austria por edhe BE-ja, do të mbështesin çfarëdo marrëveshje mes të dy vendeve,  përfshirë edhe atë për ndryshim kufijsh.Duket që BE-ja, dhe SHBA-ja, po i thellojnë plasaritjet e tyre në qëndrimet ndaj  ngatërresave etnike në Ballkan, duke treguar gjithnjë e më tepër pafuqinë për të shuar konfliktet. Megjithatë, në thelb formalizimi i ndarjes së Kosovës përgjatë vijave etnike, si shpresë për të zgjidhur armiqësitë e vazhdueshme, nuk është një platformë aq e sigurt për besim, që kjo të shërbejë si një hap i të dyja palëve drejt hyrjes në OKB, BE apo në organizata të tjera.Që nga Marrëveshjet e Dayton-it, e vitit 1995 që i dha fund luftës në Bosnjë, e sidomos pas ndërhyrjes humanitare të NATO-s, në Kosovë, ka qenë një parim themelor i Perëndimit që të mos ndërtojë kufij përgjatë vijave etnike në Ballkan.Nëse kjo do të lejohet tani, mund të jetë një  ballafaqim me një tjetër kapitull të errët.

ISSD: Znj.Haxhiaj,si e shihni të ardhmen e Ballkanit?

Serbeze Haxhiaj:Evropa mund të përballet shpejt  me një krizë të mundshme në Ballkan, prandaj i duhet të veprojë më shpejt. Formula që ka zgjedhur deri më tani me Ballkanin, e sidomos  me Kosovën, po tregohet jo efektive dhe vetëm mjet për humbje kohe.Vendet e Ballkanit: Kosova, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia, po vuajnë nga  elitat e kriminalizuara në pushtet, po aq sa edhe problemet e pazgjidhura politike dhe etnike.Zotimi i BE-së, për t’i përfshirë nën ombrellën e saj si anëtare shtetet e Ballkanit, nuk është krejt i mjaftueshëm, pasi Rusia dhe Turqia, mund të krijojnë paqëndrueshmëri.

 

[box type=”note” align=”aligncenter” ] Shënim: Ndalohet përdorimi i gjuhës së urrejtjes së çfarëdo natyre. Bordi redaksional rezervon të drejtën të redaktojë dhe të mos publikojë materiale që shkelin të drejtat e njeriut, lirinë e shprehjes, shtypin e lirë, integritetin individual, etnik, gjinor dhe social. Publikimi i intervistave dhe i analizave ka për qëllim përpunimin e çështjeve me karakter social, ndëretnik, ekonomik, politik dhe të sigurisë në interes të qytetarëve. Parandalimi i krizave të brendshme dhe të jashtme nëpërmjet platformave dhe mediave neutrale, të balancuara, të ndershme dhe objektive, është një nga prioritetet e programeve tona të Ndërtimit të Paqes, Menaxhimit të Konflikteve, Sundimit të Ligjit dhe programeve kundër Ekstremizmit të Dhunshëm. Pikëpamjet e autorëve dhe të ekspertëve të jashtëm jo gjithëherë pasqyrojnë linjën dhe politikën redaksionale të ISSDMaqedonia[/box]