Intervistë me Dr. Anton Pançevin. Intervistoi Selim Ibraimi nga ISSDMaqedonia-@CSSDMacedonia

 

  • Pala bullgare insiston që puna e këtij komisioni të bazohet mbi interpretimin shkencor të ngjarjeve historike duke u mbështetur mbi burimet autentike dhe mbi provat objektive. Ky komision i përbashkët nuk kishte përparime reale dhe nga vjeshta e vitit të kaluar nuk funksionon, sepse përfaqësuesit maqedonas u tërhoqën për një afat të papërcaktuar.
  • Prandaj, kur bisedohet për figura dhe procese historike, shkencëtarët bullgarë përdorin burime dhe fakte autentike që t’i vërtetojnë tezat e tyre, derisa, për fat të keq, përfaqësuesit e Maqedonisë së Veriut janë tepër larg standardeve shkencore dhe paraqesin teza ideologjike dhe krejtësisht të pabazuara dhe të paargumentuara.
  • Këtu duhet të tregohet edhe për një gabim tjetër strategjik të Sofjes zyrtare nga vitet e fundit dhe ai është përqendrimi bullgar mbi Shkupin, derisa nuk trajtohet në mënyrën e duhur fajtori kryesor i kontestit bullgaro-maqedonas – Serbia, dhe qarqet e saj politike dhe akademike, që në të vërtetë duhet të pendohen, të dënojnë dhe të heqin dorë përgjithmonë nga projektet dhe përpjekjet e tyre shoviniste.

 

###

 

ISSD: Z.Pançev si e vlerësoni gjendjen e sigurisë në Ballkan?

Anton Pançev: Sipas meje, ka zhvillime pozitive në muajt e fundit të lidhura kryesisht me Maqedoninë e Veriut, që ka qenë dhe vazhdon të jetë nyja e konflikteve mbarëballkanike. Anëtarësimi i këtij shteti në NATO pa dyshim e ka rritur stabilitetin e brendshëm të tij, por edhe ka ngritur pozicionin e saj rajonal. Më duket se, për fat të keq, sfida më e rëndë për stabilitetin e përgjithshëm rajonl prapë vjen nga Beogradi. Qeveritarët atje “shpejtojnë” të krijonjë krizë pas krize në marrëdhëniet dypalëshe – agresiviteti kundër shtetësisë së Kosovës, ndërhyrjet në punët e brendshme të Bosnjës dhe të Malit të Zi, ende tregojnë prezencën e mentalitetit të vjetër në qarqet politke atje. Por mendoj se në muajt në vendim një rrezik tepër të madh për stabilitetin e të gjitha shteteve të rajonit do të vijë për shkak të përkeqësimit të dukshëm të gjendjes ekonomike dhe sociale si rezultat nga masat kundër epedimisë eventuale COVID-19. Shtetet dhe njerëzit në Ballkan janë të varfër, nuk kanë rezerva të mjaftueshme financiare dhe ngecjet ekonomike do të krijojnë pakënaqësi dhe dëshpërim në shtresa të mëdha të popullsisë që mund të ndikojnë pastaj edhe mbi stabilitetin e brishtë politik.

ISSD: Maqedonia Veriore ka lëshuar disa kritika në adresë të Bullgarisë për sa i përket historisë. Sipas jush ku qëndron e vërteta?

Anton Pançev: Trajtimi i çështjeve historike shkakton shumë mosmarrëveshje në këto shtete. Me Traktatin e miqësisë midis tyre nga viti 2017 u krijua Komisioni i përzier për çështjet e historisë dhe të arsimit që ka për detyrë kryesore përafrimin e teksteve shkollore. Pala bullgare insiston që puna e këtij komisioni të bazohet mbi interpretimin shkencor të ngjarjeve historike duke u mbështetur mbi burimet autentike dhe mbi provat objektive. Ky komision i përbashkët nuk kishte përparime reale dhe nga vjeshta e vitit të kaluar nuk funksionon, sepse përfaqësuesit maqedonas u tërhoqën për një afat të papërcaktuar. Bullgaria dëshiron zbatimin e shpejtë të rezultateve të punës së Komisionit në librat mësimorë, si edhe vazhdimin e punës së tij në përgjithësi. Sofja zyrtare mbron tezën se ky komision duhet të ngrihet në punën e tij mbi parimet e mirëfillta shkencore. Çdo qëndrim duhet të argumentohet me burime objektive. Prandaj, kur bisedohet për figura dhe procese historike, shkencëtarët bullgarë përdorin burime dhe fakte autentike që t’i vërtetojnë tezat e tyre, derisa, për fat të keq, përfaqësuesit e Maqedonisë së Veriut janë tepër larg standardeve shkencore dhe paraqesin teza ideologjike dhe krejtësisht të pabazuara dhe të paargumentuara. Megjithatë, zyrtarët dhe shkencëtarët bullgarë gjithsesi nuk dëshirojnë që t’ua imponojnë me forcë qëndrimet e tyre përfaqësuesve maqedonas në lidhje me çështjet e lartëpërmendura, si edhe në lidhje me çështje të tjera. Ata kërkojnë debate të ndershme, por edhe rezultate reale në afate të shkurtra. Debatet, vlerësimet dhe rezultatet prej tyre duhet të bazohen mbi realitetin objektiv etnik, kulturor, gjuhësor, fetar në këto troje nga epoka e Mesjetës së Hershme deri fundin e shek. XX. Ky realitet mund të ketë trajtime të ndryshme në disa aspekte, sidomos në shek. XX, dhe historiografia bullgare u ka shërbyer qëllimeve politike të regjimeve të ndryshme ideologjike në Bullgari dhe ende nuk është pastruar nga disa mite (ndonëse asnjë historiografi në botë nuk mund të ketë pretendime në ndriçimin “perfekt” të së kaluarës), por trajtimi dhe përfundimet gjithmonë duhet të mbështeten mbi fakte, argumente dhe burime të kohës të shqyrtuara në mënyrë krahasimtare.

ISSD: Në proces afatgjatë si i shihni raportet në mes Maqedonisë Veriore dhe Bullgarisë?

Anton Pançev: Marrëdhëniet midis Republikës së Bullgarisë dhe Republikës të Maqedonisë së Veriut janë komplekse dhe gërshetohen në shumë dimensione. Mosmarrëveshjet më kryesore janë të lidhura me vlerësimin e shumë ngjarjeve dhe personaliteteve historike, me krijimin e “gjuhës maqedonase” dhe në përgjithësi me karakterin etnik të një pjese të madhe të popullsisë nga territoret e Maqedonisë së Veriut të sotme. Pas krijimit të shtetit të Maqedonisë, është plotësisht e vërtetë se Bullgaria ka pasur një qasje të mirë dhe ka treguar vazhdimisht dëshirën e saj për marrëdhënie të mira me Maqedoninë e Veriut. Ky pohim mund të provohet me shumë ngjarje dhe procese nga këto 30 vite, kur Bullgaria e ka përkrahur shtetin e Maqedonisë (së Veriut) në skenën ndërkombëtare. Bullgaria e ka mbështetur anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe integrimin në BE. Mirëpo, u pa se anëtarësimi në NATO nuk çoi deri në përparime të dukshme, në qëndrimet e shkencëtarëve dhe liderëve nga Maqedonia e Veriut për sa u përket çështjeve të diskutueshme. Kuvendi i Bullgarisë pranoi dhe votoi unanimisht një Deklaratë për integrimin e Republikës të Maqedonisë së Veriut në BE më 10 tetor 2019. Faktori politik bullgar është unifikuar plotësisht sa i përket Maqedonisë së Veriut (ndoshta për herë të parë në historinë më të re bullgare) dhe ka një pozicion të saktë dhe të prerë. Bullgaria nuk mund të lejojë Maqedonia e Veirut të hyjë në BE me këto qëndrime antibullgare, sepse ato rrezikojnë në thelb tërësinë dhe bazën e historisë, të kulturës, të gjuhës, të kishës, të identitetit bullgar. Historia dhe proceset kulturore dhe etnike në trojet e Maqedonisë së Veriut nuk kanë qenë dhe nuk janë vetëm një pjesë mekanike në ekzistimin e Bullgarisë dhe të popullit bullgar, por kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë pjesa më e rëndësishme në historinë dhe ideologjinë bullgare. Pra, Bullgaria tashmë nuk mund të lëshojë pe më, sepse çdo hezitim në këtë drejtim do të dëmtonte rëndë vetë ekzistimin e kombit bullgar.

Këtu duhet të tregohet edhe për një gabim tjetër strategjik të Sofjes zyrtare nga vitet e fundit dhe ai është përqendrimi bullgar mbi Shkupin, derisa nuk trajtohet në mënyrën e duhur fajtori kryesor i kontestit bullgaro-maqedonas – Serbia, dhe qarqet e saj politike dhe akademike, që në të vërtetë duhet të pendohen, të dënojnë dhe të heqin dorë përgjithmonë nga projektet dhe përpjekjet e tyre shoviniste.

ISSD: Rusia vazhdon të jetë aktive në Ballkan. Pse e bën këtë Kremlini?

Anton Pançev: Rajoni i Ballkanit gjithmonë do të ketë rëndësi për gjeopolitikën ruse për shkak të afërsisë gjeografike, të historisë, të rolit të Gadishullit për projektet energjetike të Moskës dhe jo në vend të fundit, për arsye të rrethanave gjeopolitike dhe ushtarako strategjike në kuptimim e ngushtë të këtyre termave. Këto janë “rregullat e lojës” në marrëdhëniet dhe në konkurrencën ndërmjet shteteve dhe sidomos ndërmjet Fuqive të Mëdha. Në këtë kontekst, aktiviteti dhe ndikimi rus, që është i paevitueshëm duke i marrë parasysh resurset e mëdha ruse në krahasim me këto të shteteve të rajonit, duhet të ndiqet me vëmendje nga udhëheqësit politikë, nga ekspertët relevantë, sepse Rusia është ndër faktorët e rëndësishëm në rajonin tonë. Problemet vijnë nga paaftësia e elitave të vendeve ballkanike t’i mbrojnë interesat e shteteve të tyre përballë presionit rus. Le ta marrim shembullin e Bullgarisë – shteti dhe tregu bullgar është në varësi të madhe nga resurset energjetike ruse, pra nga importi i gazit (sidomos) dhe i naftës. Rafineria e vetme bullgare është pronë e një kompanie ruse dhe ka dyshime të shumta se nuk paguhen tatimet reale. Vetëm para disa muajsh çmimi i gazit rus për tregun bullgar u ul dukshëm falë ndërhyrjes së rregullacioneve të BE-së, ndryshe Bullgaria në dekadat e fundit e paguante gazin me çmimet më të larta në Evropë. Pra, mendoj se problemet në relacionet midis vendeve ballkanike dhe Rusisë duhet kërkuar më shumë në shtetësinë e dobët te ne sesa në Moskë, sepse edhe rusët mbrojnë dhe ndjekin interesat e tyre, siç i perceptojnë atje. (ISSDMaqedonia-@CSSDMacedonia)

 

Dr. Anton Pançev

[box type=”note” align=”aligncenter” ]Pançev:”Bullgaria nuk mund të lejojë Maqedonia e Veirut të hyjë në BE me këto qëndrime antibullgare…”[/box]

 

[box type=”shadow” align=”aligncenter” ]Anton Pançev është Dr. i Shkencave politike nga Universiteti i Sofjes “Shën Kliment Ohridski”, filolog dhe profesor i gjuhës shqipe në Departamentin e Ballkanistikës në Universitetin e Sofjes[/box]

 

[box type=”warning” align=”aligncenter” ] Shënim: Ndalohet përdorimi i gjuhës së urrejtjes së çfarëdo natyre. Bordi redaksional i ISSDMaqedonia -@CSSDMacedonia rezervon të drejtën të redaktojë dhe të mos publikojë materiale që shkelin të drejtat e njeriut, lirinë e shprehjes, shtypin e lirë, integritetin individual, etnik, gjinor dhe social. Publikimi i intervistave dhe i analizave ka për qëllim përpunimin e çështjeve me karakter social, ndëretnik, ekonomik, politik dhe të sigurisë në interes të qytetarëve. Parandalimi i krizave të brendshme dhe të jashtme nëpërmjet platformave dhe mediave neutrale, të balancuara, të ndershme dhe objektive, është një nga prioritetet e programeve tona të Ndërtimit të Paqes, Menaxhimit të Konflikteve, Sundimit të Ligjit dhe programeve kundër Ekstremizmit të Dhunshëm. Pikëpamjet e autorëve dhe të ekspertëve të jashtëm jo gjithherë pasqyrojnë linjën dhe politikën redaksionale të ISSDMaqedonia. Ju faleminderit! [/box]