Blerim Abedini, ISSD-NM

Ka të ngjarë kur ekonomia stagnon në botë, me të edhe politika dhe motivet njerëzore bien. Pasi që bota është e rrumbullakët ashtu edhe kriza përhapet në gjithë rruzullin tokësor. Pra bota nuk i ngjan mitologjisë greke derisa balenat e mbanin në shpinë!

Jemi dëshmitarë të ngjarjeve që shpesh herë janë të pakuptueshme. Kemi rënie ekonomike, ngjarje që cënojnë paqën në botë, cënojnë sistemet prioritare të shoqërisë. Po ashtu ndodhin tregti ilegale të materieve narkotike, prodhimi sintetik i narkotikëve, nepotizmi i punësimeve partiako-familjare, teza të kopjuara për gradat e arritura, sulme kibernetike ndërshtetërore me prapavijë politike dhe monetare. Po ashtu, ndryshimet klimatike rrezikojnë florën dhe faunën dhe paraqitjen e dukurive ekstreme natyrore që shkatërrojnë për një çast objekte të tëra me viktima në njerëz. Derisa Kombet e Bashkuara theksojnë se ndryshimet klimatike do të stabilizohen në vitin 2050,  shkencëtarë të këtyre lëmive theksojnë të kundërtën duke drejtuar gishtin tek lidershipi që tregojnë neglizhencë ndaj këtyre ekstremeve!

Pa dyshim hierarkia botërore politike ndonjëherë pasivizohet ndaj këtyre dukurive shkatërruese duke u joshur me atë shkatërrim. Është një psikologji joshëse e politikanëve të zgjedhur nga masa e popullit që nuk do të arsyetojnë asgjë për të, sepse psikologjia e tyre është e ndërtuar si pjesë e dukurive negative.

-Krizat politike në botë duke pasuar edhe ato ekonomike sollën marrdhënie të acaruara duke arsyetuar anët e tyre shtetërore.  Lindja e Afërme si burim i krizave të vazhdueshme u keqpërdor nga politikanët e fronit trashëgues si përbetues që do t’i mbyllin këtë burim krizash. Ish një bindje gënjeshtare që më tepër acaroi rajonin duke e shpërndarë flakën në gjysmën e kontinentit aziatik. Tendencat nga pasardhësit politik që të zbutet situata ishte vetëm humbja e kohës në shuarjen e zjarrit nga të papërgjegjshmit. Sidoqoftë politikani i mirë fitoi edhe një mandat që të korrigjoj gabimet e paraardhësit. Pastaj sërish vjen politikan me psikologji joshëse ndaj dukurive negative dhe acaron marrëdhëniet globale deri në atë nivel që bota i ngjan shalqinit të pjekur!

Polariteti në botë është evident. Atë e dimë dhe nuk ka nevojë të arsyetohet sepse 2050 mund të jetë fundi i ndasisë sipas Kombeve të Bashkuara. Pra siç potencova psikologjitë destruktive joshen me shkatërrimet e fuqisë së natyrës me tërmetet në regjionet e caktuara kinse qenka ‘damari’ centrik, me ciklonet oqeanike në gjirin e Meksikës dhe pjesën perëndimore të ShBA, me tornadot rritëse përvjeçare, me zjarret në Kaliforni, Amazon, Australi; Pra, derisa janë larg oborrit tënd këto duken normale pasi që nuk shkaktojnë dhimbje familjare!

Mund të themi se politikanët nuk bashkëpunojnë me specializantët e fushave përkatëse që të zgjedhin dukuritë shkatërruese natyrore. Shtetet rivale kanë akumuluar mbi 10.000 koka bërthamore për të luftuar derisa natyra përgatitet të shkatërrojë njeriun për ta fundosur në bërthamën e saj si armiku i saj.