Historiku i zgjedhjeve parlamentare në Republikën e Maqedonisë së Veriut (1990-2020)

Nga Dr. Muaz Agushi- Zgjedhjet parlamentare paraqesin mekanizma demokratike, me ndihmën e të cilëve zgjidhen deputetët në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, i cili është organ njëdhomësh përfaqësues i qytetarëve dhe bartës i pushtetit ligjvënës në Republikën e Maqedonisë. Nëpërmjet këtij mekanizmi populli ia beson ushtrimin e pushtetit politik, organit përfaqësues i cili pastaj e prezanton vullnetin e vetë sovran.

Elektorati e mundëson kalimin e sovranitetit nga qytetarët te përfaqësuesit e zgjedhur në mënyrë demokratike. Parimet themelore të zgjedhjeve parlamentare janë të rregulluara me Kushtetutën e RMV- së, ndërsa mënyra, kushtet dhe procedurat për zgjedhje të deputetëve janë të rregulluara me Kodin Zgjedhor. Në përputhje me Kushtetutën e RMV, Kuvendi përbëhet nga 120 deri në 140 deputetë. Numri i saktë i deputetëve është verifikuar në Kodin Zgjedhor dhe ai numër deri në vitin 2008, ishte 120, kurse më pas numri i deputetëve u zmadhua në 123. Deputetët marrin mandate 4 vjeçare në zgjedhje të përgjithshme, të drejtpërdrejta dhe të lira me votime të fshehta.

Zgjedhjet parlamentare të vitit 1990

Pas instalimit të pluralizmit politik, me ndryshimet kushtetuese të vitit 1989, me çka u mundësua formimi i partive politike, votuesit e Republikës së Maqedonisë, për herë të parë patën mundësi të votojnë në zgjedhjet shumë-partiake në vitin 1990 në Republikën e atëhershme Socialiste të Maqëdonisë (RSM). Njëkohësisht, ato ishin edhe zgjedhjet e para të lira shumë-partiake të cilat gjatë vitit të njëjtë u zhvilluan në të gjitha gjashtë republikat e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ).
Në Maqedoni zgjedhjet u zhvilluan sipas sistemit zgjedhor mazhoritar me shumica absolute (në rrethin e parë) dhe shumicë relative (në rrethin e dytë). Në këto zgjedhje deputetët janë zgjedhur në bazë të parimit: një mandat deputeti – një njësi zgjedhore, me ç’rast territori i Republikës u nda në 120 njësi zgjedhore.
Në zgjedhjet e para morën pjesë 18 parti politike dhe 43 kandidatë të pavarur, ndërsa në disa njësi zgjedhore u formuan koalicione të përbashkëta. Në rrethin e parë i cili u mbajt me 11 nëntor, më së shumti vota fitoi partia e vetme e deri atëhershme në pushtet, Lidhja Komuniste e Maqedonisë – Partia për Transformim Demokratik (LKM-PTD). Megjithatë, në rrethin e dytë, më 25 nëntor, më se shumti vota fitoi Organizata e Brendshme Revulucionare-Partia Demokratike për Unitet Nacional Maqedonas (VMRO-DPMNE) e themeluar po atë vit.
Në njësitë zgjedhore, në të cilat partitë morën pjesë në mënyrë të pavarur, në rrethin e dytë të zgjedhjeve fituan: VMRO-DPMNE gjithsej 38 mandate, LKM-PTD 31 mandate, Partia për Prosporitet Demokratik (PPD) 17 mandate, Lidhja e Forcave Reformiste të Maqedonisë (LFRM) 11 mandate, Parta Socialiste e Maqedonisë (PSM) 4 mandate, Partia e Jugosllavisë 2 mandate, Partia Popullore Demokratke (PDP) 1 mandat, ndërsa pjesë e Parlamentit u bënë edhe tre deputet të pavarur.
Ndërsa koalicionet që morën pjesë me kandidatë të përbashkët në disa nga njësitë zgjedhore fituan, LFRM/Partia e Re Demokratike Progresive (PRDR) 6 mandate, Koalicioni PPD-PDP 5 mandate dhe nga një mandate Koalicioni PSM/LFRM/PRSDP dhe koalicioni Partia për Emancipimin e Plotë të Romëve (PERP)/PSM
Në rrethin e parë, nga gjithësej 1.339.021 votues të regjitstruar, në zgjedhje dolën 84,8% ndersa në rrethin e dytë 76,8%. Mandate në Kuvend fituan nëntë parti dhe tre deputetë të pavarur. Për shkak të parregullsive të konstatuara, u anuluan zgjedhjet në 176 vende zgjedhore, nga 33 njësi zgjedhore në 14 komuna.
Për shkak të numrave deridiku të barabarta të forcave politike u krijuan vështirësi për formimin e Qeverisë, kështu që në fund u formua Qeveria teknike. Mandatar ishte Nikolla Klusev (Anëtari i Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve (AMSHA)) i cili propozoi ekspertë të fushave të ndryshme për ministra. Qeveria teknike u formua më 20 mars të vitit 1991. Në mandatin e saj kjo qeveri miratoi Kushtetutën, u organizua Referendum për pavarësi dhe u formua Armata e Republiksë së Maqedonisë (ARM).
Përshkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet partive në muajin gusht të vitit 1992 në Parlament u votua mosbesimi ndaj qeverisë. Presidenti i asaj kohe Kiro Gligorov mandatin për formimin e Qeverisë së re fillimisht ia besoi Lubço Georgievskit, lideri i VMRO-DPMNE, e cila kishte numrin më të madh të deputetëve në Kuvend, mirëpo ai nuk e pranoi dhe e ktheu. Pastaj mandati nga ana e Kryetarit të shtetit iu ofrua Petar Goshevit nga rradhët e LKM/PTD, por edhe ai e refuzoi. Më pas Presidenti i shtetit mundësinë për formimin e Qeverisë ia besoi Branko Crvenkosvkit, liderit të LKM/PTD i cili e pranoi dhe e formoi qeverinë e dytë, e cila ishte qeveri politike. Pjesë e qeverisë së re ishte edhe partia shqiptare PPD.

Deputetët shqiptarë në Legjislaturën (1990-1994)

Partia për Prosperitet Demokratik (PPD): Gazmend Ajdaraga, Eshref Aliu, Zudi Emini, Naser Zyberi, Avdi Murtezani, Naif Mustafa, Mersim Pollozhani, Shaban Prevalla, Ismet Ramadani, Olloman Sulejmani, Asllan Selmani, Neim Salmani, Xhelil Tairi, Agim Fazliu, Sejfedin Haruni, Nexhadin Xhaferi dhe Hisni Shaqiri.
Partia Demokratke Popullore (PDP): Ferit Sadiku
Koalicioni PPD-PDP: Hamid Aliu, Abdurahman Aliti, Xheladin Murati, Muhamet Halili, Vebi Xhemaili.

Zgjedhjet parlamentare të vitit 1994

Zgjedhjet e para parlamentare pas pavarësimit të Maqedonisë, u mbajtën në muajn tetor të vitit 1994 së bashku me zgjedhjet e para presidenciale. Në zgjedhje morën pjesë 38 parti politike dhe 283 kandidatë të pavarur. Fitues i këtyre zgjedhjeve doli koalicioni “Aleanca për Maqedoni”, e udhëhequr nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) pasardhëse e LKM-PTD.
Edhe këto zgjedhje u zhvilluan sipas sistemit zgjedhor mazhoritar me shumica absolute (në rrethin e parë) dhe shumicë relative (në rrethin e dytë), ku deputetët janë zgjedhur në bazë të parimit: një mandat deputeti – një njësi zgjedhore dhe i gjithë territori u nda në 120 njësi zgjedhore.
Në këto zgjedhje të drejtë vote kishin 1.360.729 votues. Në rrethin e parë i cili u mbajt më 16 tetor, pjesëmarrja në votim ishte 77.8% ndërkaq në rrethin e dytë i cili u mbajt me 30 tetor, dolën 57.7% të votuesve. Arsyeja e uljes drastike të votuesve në rrethin e dytë ishte për faktin se partitë opozitare VMRO-DPMNE dhe Partia Demokratike vendosën të bojkotojnë votimin.
Sipas rezultateve të rrethit të parë, koalicioni Aleanca për Maqedoninë, që e përbënin LSDM dhe PSM fitoi 32,6% të votave, VMRO-DPMNE 14,3% të votave ndërsa PD 11 %. Ndërsa në rrethin e dytë, për shkak të bojkotit të opozitës Koalicioni Aleanca për Maqedonin fitoi gjithsej 60 mandate të deputetëve, PL 29, PPD 11, PSM 9, Partia për Prosporitet Demokratik të Shqiptarëve (PPDSH) 4 (kjo parti mori pjesë në zgjedhjet e vitit 1994 me kandidatë të pavarur, pasiqë ende nuk ishte e regjistruar si parti politike), Partia Demokratike Popullore 2. Nga një mandate fituan Lidhja Demokratike e Shqiptarëve-Partia Liberale, Partia Demokratike e Maqedonisë (PDM), Partia Demokratike e Turqve (PDT), Partia Socialdemokrate e Maqedonisë (PSDM) dhe PEER. Qeverinë e formoi Branko Cërvenkovski pjesë e së cilës ishin edhe PSM, PPD dhe PL.

Deputetët shqiptarë në Legjislaturën (1994-1998)

Partia për Prosperitet Demokratik (PPD): Gazmend Ajdaraga, Abdurahman Aliti, Abdyladi Veseli, Naser Ziberi, Nazmi Maliqi, Mevlan Tahiri, Mersel Billali, Xheladin Murati, Abdurauf Pruthi, Ismet Ramadani, Sali Ramadani, Rizvan Sylejmani, Sejfedin Haruni dhe Hisni Shaqiri.
Partia Demokratike Popullore (PDP) dhe më vonë Partia Demokratike Shqiptare (PDSH): Sami Ibraimi, Zeqir Kadriu, Naxhi Purde, Rami Tuda, Arben Xhaferi dhe Rufi Osmani
Lidhja Demokratike e Shqiptarëve – Partia Liberale (LDSH-PL): Hisen Ramadani.

Zgjedhjet parlamentare të vitit 1998

Në këto zgjedhje sistemi zgjedhor u ndryshua. Në vend të sistemit mazhoritar, zgjedhjet u mbajtën sipas sistemit të përzier zgjedhor. Nga 120 mandate, 85 deputetë janë zgjedhur sipas modelit mazhoritar që u shpërndanë në 85 njësi zgjedhore, për të cilat u votua më 18 tetor, ndërkaq 35 mandatet e tjera sispas sistemit proporcional të D’Hontit, ku i tërë shteti ishte një njësi zgjedhore u mbajtën më 1 nëntor. Për listat proporcionale u inkroporua pragu zgjedhor prej 5%.
Nga gjithsej 1.572.976 votues të regjitstruar për këto zgjedhje, për listat mazhoritare në votim dolën 1.146.505 apo 72,9% ndërsa 34.183 ishte numri i fletëvotimeve të pavlefshme. Dalja për listën proporcionale në rrethin e dytë nga gjithësej 1.124.878, në votim dolën 786.246 apo 69,9%. Për listat mazhoritare me kandidatë të tyre dolën 22 parti politike, 4 koalicione dhe 7 kandidatë të pavarur. Në listat proporcionale garonin 12 parti, 4 koalicione dhe një grup zgjedhësish.
Në këto zgjedhje partitë politike shqiptare, Partia për Prosperitet Demokratik dhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH edhepse kishte kaluar shumë kohë prej kur ishte formuar si subjekt politik, ajo akoma kundërshtohej për t’u regjistruar si një subjekt politik me emrin PDSH, andaj akoma vepronte si dy parti, PPDSH-PDP) lidhën një marrëveshje koalicioni. Në këtë marrëveshje u bë ndarja e mandateve të përfaqësuesve shqiptarë për Kuvend, në shtatëmbëdhjetë njësi zgjedhore, në raport: 10 kandidatë për PPD dhe 7 për PDSH, (modeli i shumicës). Gjithashtu, u hartua lista e përbashkët proporcionale e të dy partive politike, sipas parimit, përfaqësuesi me numër “tek” i takonte Partisë Demokratike Shqiptare, ndërsa numri “çift” i takonte Partisë për Prosperitet Demokratik, (modeli proporcional). Partitë nënshkruese të kësaj marrëveshjeje dhe simpatizuesit e tyre obligoheshin që të mos përkrahin kandidatë të pavarur. Marrëveshja në mes të PDSH dhe PPD, u nënshkrua në sallën e Komunës së Tetovës, më 9 shtator, 1998. Atë e nënshkruan dy liderët politik shqiptar Arbën Xhaferi dhe Abdurrahman Aliti.
Këto zgjedhje rezultuan me ndërrimin e pushtetit, me ç’rast fitues ishte VMRO-DPMNE me 49 mandate të fituara për deputet, LSDM me 27 mandate, PPD fitoi14 mandate të deputetëve, Alternativa Demokratike (AD) 13, Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) 11, Partia Liberale – Demokratike (PLD) 4 mandate, PSM dhe Lidhja e Romëve në Maqedoni (LRM) nga një mandat. Lideri i VMRO-DPMNE Lubço Georgevski formoi qeveri në koalicion me AD dhe PDSH. Këto ishin zgjedhjet e para në Maqedoni të monituruara nga misioni i OSBE/OHDIR.

Deputetët shqiptarë në Legjislaturën (1998-2002)

Partia për Prosperitet Demokratik (PPD): Abdurahman Aliti, Rizvan Sulejmani, Mevlan Tahiri, Abdulla Aliu, Iljas Sabriu, Sefedin Haruni, Mersel Bilalli, Azis Pollozhani, Asllan Selmani, Ismet Ramadani, Olloman Sulejmani, Naser Ziberi, Abdilhadi Vejseli dhe Kastriot Haxhirexha.
Partia Demokratike Shqiptare (PDSH): Arbën Xhaferi, Zamir Dika, Nazmi Kadriu, Bilall Lutfiu, Fatmir Etemi, Fadil Bajrami, Muhamed Tahiri, Iljaz Halimi, Jonuz Abdullai, Hisni Shaqiri dhe Aliriza Lloga. (I)

(vazhdon …)