function add_custom_script_to_wp_head() { } add_action( 'wp_head', 'add_custom_script_to_wp_head' );
Home / CRITICAL SECURITY / FUNKSIONET E ZGJEDHJEVE

FUNKSIONET E ZGJEDHJEVE

Nga Prof. Dr Etem Aziri- Duke u nisur nga fakti se për shqiptarët në Kosovë dhe RMV, viti 2021 është vit zgjedhor, është detyrë e politikologëve, sociologëve, psikologëve, filozofëve dhe juristëve t’i shprehin qëndrimet e tyre ndaj zgjedhjeve dhe funksioneve të tyre. Aq më shumë, kur shqiptarët në disa momente janë tej mase dhe të ndjeshëm. Përplot janë rrjetet sociale me komente të simpatizantëve partiak. Këta janë shenja të qarta se diçka nuk është në rregull me shoqërinë shqiptare në përgjithësi. Zakonisht pas zgjedhjeve pason dëshpërimi që fatmirësisht zgjatë shkurt.

Megjithatë të mos harrojmë se zgjedhjet përbëjnë formën më të rëndësishme të legjitimimit të pushtetit dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në jetën politike të një shoqërie. Në princip, ata bëjnë të mundur rotacionin apo ndërrimin e elitave politike dhe paraqesin një ndër mekanizmat kryesorë të rendit demokratik. Fatkeqësisht zgjedhjet praktikohen edhe në vendet të cilat nuk i „stolis” demokracia. Në ato shoqëri zgjedhjet trajtohen si teknika për formimin e organeve shtetërore. Andaj, zgjedhjet jo çdo herë kanë përmbajtje demokratike. Pra, zgjedhjet dallojnë prej shteti në shtet dhe varen nga shumë faktorë që veprojnë si të gërshetuar: zhvillimi socio- ekonomik, kultura politike, ideologjia e subjekteve garuese, propaganda dhe agjitimi, listat zgjedhore, etj.

Demokracia në aspektin e zgjedhjeve nënkupton plotësimin e dy parakushteve: zgjedhësve t’ju jepet mundësia e përzgjedhjes dhe t’ju sigurohet mundësia që të zgjedhin. Parakushti i parë, ndërlidhet me tipin e sistemit politik ndërsa parakushti i dytë me funksionimin e shtetit.

E drejta e zgjedhjes është në kundërshtim të plotë me „shtetin e kapur”. Pa shtet ligjorë nuk ka zgjedhje të lira dhe demokratike! Në vendet si Kosova dhe RMV-ja, zgjedhjet trajtohen thjesht si mjet për marrjen e pushtetit. Në këta vende do të mundemi të flasim për demokraci vetëm atëherë kur zgjedhjet do të shndërrohen në mekanizëm për arritje të marrëveshjeve dhe pajtueshmërive shoqërore. Andaj është shumë vështirë të vlerësohet niveli demokratik i zgjedhjeve. Ndërmjet- demokratikes dhe jo demokratikes ekziston një shkallëzim jo çdo herë lehtësisht i matshëm. Për shembull në RMV (nuk bën përjashtim edhe Kosova), zgjedhje demokratike cilësohen ato zgjedhje ku votuesi nuk pengohet në momentin e hedhjes së fletës së votimit në kutinë e votimit. Megjithatë si duhet të trajtohen një sërë procesesh që ndodhin „pas kuintash” ku për fat të keq përfshihen shpeshherë edhe vetë institucionet e sistemit.

Gabojnë të gjithë ata të cilët zgjedhjet apriori i identifikojnë me demokracinë. Personalisht jam mbështetës i Sartorit dhe Veberit. Sartori thekson se „kuptimi i zgjedhjeve nuk qëndron në atë që, demokracinë ta bëjnë demokratike por atë ta bëjnë të mundshme”. Nga ana tjetër Veberi potencon se „mjetet e partive politike për marrjen e pushtetit mund të jenë shumë të ndryshme, që nga ushtrimi i rëndomtë i dhunës e deri te blerja e votës”. Ai nuk e përjashton edhe korrektësinë gjatë zgjedhjeve.

Për vendet që synojnë demokracinë dhe preferojnë kyçjen në strukturat euro-atlantike, domosdoshmëri është- krijimi i kushteve dhe mundësive të barabarta për subjektet pjesëmarrëse në zgjedhje. Pra, shteti ligjorë duhet të siguron kushte për zgjedhje kompetitive. Shtetet me organizim klanor si RMV dhe Kosova, vallë sa munden të organizojnë zgjedhje kompetitive (garuese në kuptimin e plotë të fjalës)- vlerësoni vetë?! Zgjedhje kompetitive mund t’ju ofrojnë votuesve vetëm partitë që disponojnë me kapacitete demokratike që në përmasa të mjaftueshme egoizmin partiak e zëvendësojnë me vullnetin e popullit. Parti të tilla janë partitë politike që i artikulojnë interesat e përbashkëta sociale, promovojnë në teori dhe praktikë- socializimin politik dhe pjesmarrjen e mirëfilltë të qytetarëve në sistemin politik, etj. Për fat të keq, partitë politike në RMV dhe në Kosovë janë parti „të një lideri” dhe vështirë i përmbushin kriteret e lartë përmendura. Ata edhe pas kaq vite veprimi funksionojnë kur janë në pushtet si grupe interesi ndërsa kur janë në opozitë si parti politike.

Sidoqoftë, zgjedhjet veç tjerash paraqesin një formë të komunikimit të elitave politike me popullin. Ata fatmirësisht shpesh herë paraqesin faktorë stabiliteti, pra një lloj „ventili” për tejkalimin e tensioneve dhe konflikteve në shoqëri. Këtë rol e kanë zgjedhjet në RMV dhe Kosovë ndër vite. Zgjedhjet gjithashtu janë një orientim i mirë për elitat partiake, por edhe barometër efikas për matjen e nivelit të demokratizimit të rendit politik.

Duke u nisur nga kjo që u tha, votuesit (populli) nuk duhet shumë të brengosen se çfarë i japin partive, por çfarë marrin nga ata. Një gjë duhet të qartësohet, pa një bashkëpunim të arsyeshëm ndërpartiak shoqëria shqiptare në RMV dhe në Kosovë do të mbetet jashtë dinamizmit të dëshiruar.

Nëqoftëse qytetarët e Kosovës mendojnë se një subjekt i vetëm (pa një bashkëpunim me subjektet tjera) do të bën pozicionimin e duhur të Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare, bëjnë gabim serioz politik. Nga ana tjetër partitë politike në RMV synojnë barazinë e plotë por në praktikë, nuk kanë fuqi një sheshi ose një rruge në Tetovë, Shkup e Gostivar ta emërtojnë me emrin e një heroi të kombit. Besoj se nuk do të përmend dikush „Sheshin Skënderbeu” ose „Nënë Tereza”. Atо janë personalitete që i tejkalojnë kufijtë kombëtarë. (ISSDMaqedonia-@CSSDMacedonia)

 

About Admin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

function add_custom_script_to_wp_footer() { } add_action( 'wp_footer', 'add_custom_script_to_wp_footer' );