Zaevi dhe Kasami kundër Ahmetit

Nga Selim Ibraimi- Grafa etnike që Besa dhe Bilall Kasami u zotuan dikur se kanë arritur marrëveshje me kryeministrin Zaev, duket se është vënë në harresë nga Zaevi dhe qeveria e tij. Kasami si politikan i dalë nga BDI-ja e Ali Ahmetit në një lojë me Zaevin duke dashur të tregojë se i ka hedhur LSDM-së, dy vite pas mbeti pa argumentin kryesor të fushatës. Tash i vendosur nën drejtimin e politikave të LSDM-së, Kasami është larg kërkesave dhe pritjeve të anëtarësisë së Besës. Anëtarë lokalë dhe nga pjesët e vendit ku Kasami ka disa dhjetra simpatizantë, paraqiten të dëshpëruar nga premtimet e Bilall Kasamit dhe grupit të tij. Grafa etnike ishte pjesë e propagandës për të arritur një ditë në karriget qoftë të VMRO-së apo të LSDM-së.

Fati ishte në anën e Kasamit që të hyjë në koalicion me ish komunistët dhe të vazhdojë veprimtarinë me Zaevin. Kasami dhe kryesia e lartë mbrojtjen e shohin tek LSDM-ja. Nga qeverisja disa mujore shihet se ata kordinohen mirë me LSDM-në dhe asnjëherë nuk flasin ndryshe nga Zaevi dhe LSDM-ja. Autonomia partiake e tyre nuk ekziston, andaj nuk kanë shumë hapësirë tek votuesit dhe opinioni shqiptarë.

Grafa dhe shumë lojëra tjera që do të vijnë para fushatës zgjedhore lokale do të jenë në shërbim të ish komunistëve të LSDM-së dhe përçarjes së votës së elektoratit shqiptar. Fragmentimi do të shkojë në dëm të BDI-së, e cila që tani duhet të ketë kujdes nga “mini aleanca LSDM- Besa” kundër BDI-së në zgjedhet lokale me premtime që vështirë realizohen. Aktualisht Kasami dhe anëtarët e lartë të kryesisë së grupit janë në raporte të shkëlqyera me BDI-në, krahasuar me akuzat e dikurshme të Kasamit kundër BDI-së për korrupsion dhe krim. (@CSSDMacedonia)