Ibraimi: "Fronti lindor dhe jugor po ripërsëritet, vetëm tani aktorët e Luftës së Dytë Botërore janë në pozicione dhe rreshtime të ndryshme".

Ka dalë nga shtypi libri i gazetarit dhe studiuesit shqiptaro- amerikan “Ndikimi i Rusisë në Ballkanin Perëndimor”. Recenzentë të librit janë Pr. Dr. Etem Aziri dhe Pr. Dr. Anton Panchev. Botues: Instituti i Studimeve të Sigurisë dhe Zhvillimit në Maqedoninë e V. (2021-2022)

Ibraimi në botimin e tij të fundit “Ndikimi i Rusisë në Ballkanin Perëndimor“, shkruan se Rusia dhe Serbia janë faktorë destabilizues në Ballkan dhe se operacionet hibride dhe psikologjike-informative do të vazhdojnë deri në fund të dekadës. Më poshtë disa vlerësime të ekspertëve të fushës.

*** Pr. Dr. Etemi Aziri nga universiteti “UEJL -SEEU” rreth botimit.

Autori i librit me titull “Ndikimi i Rusisë në Ballkanin Perëndimor”, Dr. Selim Ibraimi, ka arritur të bëjë një studim tejet serioz dhe me rrëndësi të veçantë për qeveritë dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor që synojnë rendin demokratik dhe integrimet në NATO dhe BE. Autori ka arritur të zbërthejë në mënyrë të argumentuar ndikimin e Rusisë në këtë pjesë të Gadishullit Ballkanik pas rënies së regjimeve komuniste në këta vende. Dr. Selim Ibraimi i cili dallohet si njohës i shkëlqyeshëm i marrëdhënieve ndërkombëtare, përmes librit në fjalë ofron shumë argumente bindëse se Rusia në asnjë mënyrë nuk planifikon të heq dorë nga kjo pjesë e Evropës. Përkundrazi sipas autorit të librit, ajo ndikimin e vet e ushtron në një mënyrë shumë të sofistikuar. Qëllimi i ndikimit rus, s’do mend është relativizimi i NATO-s si forcë politike e ushtarake që decenieve të fundit është vënë plotësisht në shërbim të paqes botërore dhe mos inkuadrimin e kësaj pjese të Ballkanit në BE.
Dr. Selim Ibraimi bën përpjekje serioze ta identifikon qartë interesin dhe planet ruse për rajonin e Ballkanit Perëndimor, por mbi të gjitha t’i identifikon metodat e veprimit të Rusisë drejt realizimit të qëllimeve qofshin ata qëllime afat shkurta, qëllime afat mesme ose qëllime afat gjata. Jo rastësisht ai është përcaktuar që ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor ta analizon prej më shumë kënd vështrimeve që ta bind publikun e këtyre shteteve se ndikimi i Rusisë ka një të kaluar historike, ka të tashmen dhe me siguri do të ketë edhe një të ardhme. Jo rastësisht autori në shqyrtimet përfundimtare jep edhe disa vlerësime si duhet të veprojnë shtetet e Ballkanit Perëndimor që ta parandalojnë ose minimizojnë ndikimin rus në vendet e tyre. Libri ”Ndikimi i Rusisë në Ballkanin Perëndimor” në përgjithësi shikuar është ndarë në dy tërësi, dy pjesë që ndërlidhen fuqimisht me njëra tjetrën dhe paraqesin një tërësi logjike. Pjesa e parë ka të bëjë me aspektin teorik ndërsa pjesa e dytë me aspektin empirik. Libri përcillet me një bibliografi tepër të pasur kryesisht të autorëve të jashtëm që ndikon në rritjen e cilësisë të problematikës që trajtohet e cila vetvetiu është interesante dhe sfiduese.

Aziri:” Jo rastësisht autori është përcaktuar që ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor ta analizon prej më shumë kënd vështrimeve që ta bind publikun e këtyre shteteve se ndikimi i Rusisë ka një të kaluar historike, ka të tashmen dhe me siguri do të ketë edhe një të ardhme.”


Dr. Selim Ibraimi duke u bazuar në hulumtimet paraprake të kësaj problematike, ofron një analizë të zhvillimit të shtetit Rus dhe paralelisht me këtë edhe zhvillimit të aktiviteteve diplomatike të këtij vendi në vendet e Ballkanit Perëndimor. Në këtë drejtim autori shtjellon zhvillimin e shtetit Rus në periudhën para dhe pas Revolucionit të Tetorit, duke ofruar dhe analiza të formave të veprimit të diplomacisë ruse në vendet e Ballkanit Perëndimor nga Revolucioni i Tetorit deri në shpërbërjen e BRSS-së, që më pas ofron edhe një analizë të specifikave të veprimit diplomatik të Rusisë në periudhën pas rënies së Murit të Berlinit. Në vazhdim Dr. Selim Ibraimi jep plot dëshmi për tendencat e Rusisë për rikthim në Ballkanin Perëndimor. Ai përqendrohet në analizën e formave të veprimit të Federatës Ruse për të rikthyer pozicionet e dikurshme në vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë dhjetëvjeçarit të fundit. Autori nuk ka hezituar t’i prezanton edhe shumë qëndrime të studiuesve të dalluar ndërkombëtarë të kësaj problematikë. Megjithatë, mbi të gjitha Dr. Selim Ibraimi gjërat i vrojton nga këndvështrimi profesional. Ai merret kryekëput me fushat dhe format e ndikimit rus në këto vende, në veçanti në vendet me shoqëri etnikisht të përzier. Dr. Selim Ibraimi një vëmendje të duhur i përkushton edhe burimeve të influencës ruse dhe reagimit euro-amerikan. Ai ofron një analizë të thuktë dhe shumë komplekse krahasimtare të pozicioneve amerikane dhe atyre ruse në Ballkanin Perëndimor, duke analizuar edhe burimet e shtrirjes së influencës ruse në këtë pjesë të botës, përfshirë këtu edhe fushatat e dezinformimit si dhe tendencat suptile për shfrytëzim të konflikteve të “ngrira” si platformë për realizim të interesave strategjike. Lexuesit lehtë do të konstatojnë se Ibraimi shumë qartë i shtjellon strategjitë e shtetit rus për shtrirje dhe zgjerim të ndikimit në Ballkanin Perëndimor, përfshirë këtu edhe dislokimin e teknologjisë ushtarake si një formë specifike dhe problemore për të realizuar tendencat influencuese. Pos kësaj, autori analizon edhe tendencat për shtrirje të ndikimit rus përmes lidhjes së aleancave me vendet individuale të kësaj pjesë të botës, por edhe tendencat për të ndikuar në Ballkanin Perëndimor përmes unioneve më të gjera ndërkombëtare përfshirë këtu edhe synimin për ndërtim të Unionit Pan-Aziatik.
Megjithatë, Dr. Ibraimi nuk ka qëndrim inferior edhe ndaj SHBA-ve, vendeve të BE-së dhe qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ai shprehet qartë se ndikimi rus në vendet e Ballkanit Perëndimor do të zhvillohet për aq sa atë do e lejojnë SHBA-të, vendet e BE-së dhe elitat politike të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Vendet e BE-së duhet të tregojnë një fleksibilitet më të shprehur për vendet që ardhmërinë e shohin në familjen e madhe evropiane, ndërsa qeveritë dhe elitat politike të vendeve të Ballkanit Perëndimor as në teori e as në praktikë të mos luhaten, “ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit”. Marrë në përgjithësi libri i Dr. Selim Ibraimit, ”Ndikimi i Rusisë në Ballkanin Perëndimor” paraqet një kontribut shumë domethënës dhe do të jetë i mirëseardhur për studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare, studentë, intelektual por dhe njerëz të rëndomtë të cilët duan të mësojnë diçka më shumë për ndikimin e Rusisë në Ballkanin Perëndimor.

  • Autori shtjellon zhvillimin e shtetit Rus në periudhën para dhe pas Revolucionit të Tetorit, duke ofruar dhe analiza të formave të veprimit të diplomacisë ruse në vendet e Ballkanit Perëndimor nga Revolucioni i Tetorit deri në shpërbërjen e BRSS-së që më pas ofron dhe një analizë e specifikave të veprimit diplomatik të Rusisë në periudhën pas rënies së Murit të Berlinit. Në vazhdim Dr. Selim Ibraimi jep plot dëshmi për tendencat e Rusisë për rikthim në Ballkanin Perëndimor.

***Në vijim vlerësimi i Dr. Anton Panchevit, universiteti “KLIMENT OHRIDSKI”– Sofje.


Studimi “Ndikimi i Rusisë në Ballkanin Perëndimor” është ndër librat më të rëndësishëm në fushën e gjeopolitikës sa i përket rajonit të Ballkanit Perëndimor në vitet e fundit. Federata Ruse është ndër aktorët kryesorë në këtë rajon dhe aspektet e politikës së saj duhet të hulumtohen nga këndvështrime të ndryshme. Dr. Selim Ibraimi prezanton një hulumtim origjinal që trajton tema senzitive dhe vendimtare për zhvillimin e gjithanshëm të Ballkanit në përgjithësi, sepse këto tema prekin në mënyrë serioze edhe vendet e tjera ballkanike, si edhe komunitetin euroatlantik. Autori i ka trajtuar të gjitha aspektet e ndikimit rus në Ballkan, strategjitë dhe instrumentet e këtij ndikimi. Paraqitja e retrospektivës historike për shfaqjen dhe rritjen e interesimit rus ndaj Ballkanit dhe të projekteve të ndryshme ruse për përfshirjen e kësaj zone në “sferën ruse” ndihmojnë kuptimin e politikës së tanishme të Moskës ndaj rajonit. Analiza e propagandës ruse tregon veglat e “fuqisë së butë” dhe operacionet hibride ruse. Me shumë rëndësi janë analizat e rolit të energjisë dhe të armatimeve në strategjinë ruse për Ballkanin. Pikërisht me këto instrumente Rusia e shtrin më se shumti ndikimin e saj në Ballkan. Janë shqyrtuar edhe aspekte të tjera të politikës ruse ndaj Ballkanit që e bëjnë monografinë një studim të kompletuar.
Cilësia e punimit shtohet edhe më shumë me përdorimin e dokumenteve zyrtare ruse, që përcaktojnë elemente nga strategjia ruse për Ballkanin, si edhe me shfrytëzimin e burimeve të ndryshme në mënyrë kritike dhe krahasimtare.
Përpunimi i hulumtimit bazohet mbi një metodologji të gjerë, që gërsheton metoda sasiore dhe cilësore. Intervistat e standartizuara të ekspertëve, që burojnë nga vende dhe shkolla të ndryshme historike dhe gjeopolitike, ndihmojnë jo vetëm për ndërtimin e pasqyrës objektive të ndikimit rus në Ballkan duke i tejkaluar paragjykimet ideologjike dhe nacionale, por tregojnë një qasje shumë të suksesshme hulumtuese.

Panchev: “Studimi “Ndikimi i Rusisë në Ballkanin Perëndimor” është ndër librat më të rëndësishëm në fushën e gjeopolitikës.” 


Studimi monografik pasqyron objektivitetin historik të politikës ruse me rëndësi të madhe për Ballkanin. Dr. Selim Ibraimi i ka hulumtuar me përkushtim ngjarjet dhe proceset historike, politike, gjeopolitike, ekonomike, kulturore, ushtarake gjatë dekadave të fundit, duke i analizuar me kujdes dhe me profesionalizëm. Kjo ka sjellë rezultate të mirëfillta shkencore dhe është krijuar një studim serioz me përmbajtjen dhe me formën e duhur në të cilin janë përdorur mjetet e nevojshme shkencore. Punimi ka strukturën dhe metodën e analizës cilësore dhe përfundimet e autorit bazohen mbi faktet dhe proceset me rëndësi për politikën ruse ndaj Ballkanit. Monografia ka hyrë edhe në thelbin e problematikës diplomatike dhe i ka paraqitur projektet, orvatjet dhe qëllimet politike të Rusisë ndaj vendeve ballkanike. Kjo tregon se Selim Ibraimi i ka kuptuar shumë mirë strategjitë ruse që i lejon autorit të bëjë parashikime të besueshme dhe të vlefshme për politikën e Moskës në rajonin e Ballkanit. Ky studim duhet të lexohet me vëmendje nga secili hulumtues që ka interes nga proceset në Ballkan.

  • Paraqitja e retrospektivës historike për shfaqjen dhe rritjen e interesimit rus ndaj Ballkanit dhe të projekteve të ndryshme ruse për përfshirjen e kësaj zone në “sferën ruse” ndihmojnë kuptimin e politikës së tanishme të Moskës ndaj rajonit. Analiza e propagandës ruse tregon veglat e “fuqisë së butë” dhe operacionet hibride ruse.