Urim HASIPI-“Tetova duhet të çlirohet nga retorika nacionaliste”. Për kënd e keni këtë mesazh ministre e kulturës e Maqedonisë së Veriut (Bisera Kostadinovska-Stojçevska)? Kujt i adresohet ky mesazh i juaj në pres konferencën e sotme. Mendoj se fjalia juaj është retorikë nacionaliste, paragjykuese dhe ofenduese parasegjithash për qytetarët e Tetovës!
Unë mendoj se ju, e keni gabuar adresën kur e thoni këtë fjali se “Tetova duhet të çlirohet nga retorika nacionaliste”. Ju pyes- Keni hasur ndonjëherë ndonjë mbishkrim “Vdekje për Maqedonasit”, diku në Tetovë? Jo, nuk keni hasur. Mbishkrimet “Vdekje për Shqiptarët”, i gjejmë në mesin tuaj, në vendin prej nga vini ju Manastiri (Bitola). Retorika nacionaliste madje në Maqedoninë e Veriut e ka zanafillën pikërisht në Manastir.
Në qytetin tuaj janë djegur dhe dëbuar shqiptarët. Mjafton t`i shohësh nëse duash mbishkrimet në Shtëpinë e Alfabetit në Manastir, dritaret e thyera dhe mjafton ta kthesh kujtesën ndër vite, sidomos në vitin 2001, kur janë djegur shtëpitë e shqiptarëve që jetonin me shekuj në qytetin tuaj. Qyteti juaj e ka vulën e nacionalizmit. Në Tetovë nuk është djegur asnjë shtëpi, e asnjë maqedonasi. Në Tetovë nuk ka mbishkrime nacionaliste kundër maqedonasve.
Në Tetovë ka diskriminim klasik nga qeveria ku jeni ju pjesë e saj, nga qeveritë e kaluara e kështu me rradhë. Në Tetovë ka edhe shumë institucione tjera të kulturës dhe ju nuk e keni parë të arsyeshme që asnjëherë të vizitoni këta institucione.
Ju nuk e keni parë të arsyeshme për aq kohë sa jeni në këtë pozitë të përkrahni Verën Kulturore në Tetovë, sikurse edhe paraardhësit tuaj.
Ju, nuk e keni parë të arsyeshme që asnjë artist shqiptar ta pranoni në takim për të ariturat e tyre në karrierë qoftë brenda shtetit qoftë jashtë. Ju, deri më tash nuk keni marrë pjesë në asnjë shfaqje të Teatrit të Tetovës.
Pse? Sepse nuk kuptoni shqip, apo se aty ka nacionalizëm, përkundrazi aty ka art, kulturë dhe profesionalizëm. Ju nuk e keni vizituar as Koloninë Artistike që mbahet në Tetovë nga ana e Galerisë së Arteve në Tetovë.
Kjo, galeri është krijuar me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prandaj, ju jeni paragjykuese ndaj Tetovës, sepse nëse një drejtoreshë nuk ju përkulet dhe nuk është në një vijë me ju, për dislokimin e bibliotekës, ju paragjykoni edhe atë si drejtoreshë por edhe qytetarët e Tetovës.
Më tutje, ju thoni se citoj, “Erdhëm në përfundim se Tetova duhet të jetë qytet modern, qytet evropian, i çliruar nga retorikat nacionaliste dhe duhet të paraqet një shembull për të gjithë në bazë të koncepti- Një Shoqëri për të gjithë”. Me këtë ju jepni konstatime se Tetova nuk është qytet modern.
Po, Tetova nuk është qytet evropian se qeveria e juaj nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim.
E keni lënë Tetovën pa investime kapitale, edhe ato investime që bëhen janë të degraduara.
Shkupi shpallet qytet i kulturës dhe në Tetovë ende bibliotekën nuk e keni përfunduar.
Sa e sa herë ka patur reagime se kushtet aktuale ku është biblioteka e Tetovës nuk janë adekuate për ruajtjen e librit, ju kur nuk i keni dëgjuar ato thirrje, ato lajme apo ato shkrime.
Nuk kanë qenë thirrje nacionaliste apo shoveniste, por kanë qenë thirrje për kujdes ndaj librit dhe me këtë automatikisht është kujdes ndaj kulturës.
Çliroheni njëherë vet nga kjo retorikë, sepse ne nuk kemi asnjë kompleks qoftë për të qenë evropian, qoftë për të qenë nacionalist.
Ju, duhet t`u kërkoni falje qytetarëve të Tetovës, sepse paga juaj që ju vjen çdo muaj, është meritë edhe taksapaguesve shqiptarë të Tetovës, por edhe buxheti prej nga financohen projektet e kulturës, ku Tetova çdo herë degradohet, poashtu janë para të taksapaguesve të Tetovës.
Sa për atë se sa jemi Evropian neve në Tetovë, ju tregoj se në Tetovë ka një Universitet që është themeluar nga Bashkimi Evropian dhe funksionon shumë mirë.
Ne asnjëherë nuk kemi dalur në protesta kundër një populli tjetër, përkundrazi naclionalizmi është shfaqur në protesta kundër shqiptarëve dhe gjuhës shqipe e kështu me rradhë. (@CSSDMacedonia) https://www.facebook.com/urim.hasipi
Bisera Kostadinovska-Stojçevska