Nga Daut Dauti- Tendenca e SHBA-ve dhe UE-së për ta larguar Serbinë nga Rusia në disfavor të shqiptarëve, është naive dhe e tejkalon edhe kufirin e komedisë. Një gjë të tillë mund ta besojnë vetëm ata që nuk e njohin historinë e Serbisë dhe Ballkanit. Serbia, që nga themelimi si shtet, ka qenë e pavendosur nëse do të duhet të shkonte me Perëndimin apo me Rusinë. Dinastia e Obrenoviqëve dhe ajo e Karagjorgjeviqëve kanë qenë në armiqësi të përhershme mu për këtë gjë.
Obrenoviqët kanë qenë pro austro-hungarezë (pro perëndimorë) kurse Karagjorgjeviqët pro rusë. Në fakt, vrasja makabre e mbretit serb Aleksandar Obrenoviq më 1903 në sfond e kishte eliminimin e ndikimit austro-hungarez dhe sjelljen e ndikimit rus me anë të dinastisë së Karagjorgjeviqëve që u kthye në pushtet. Ardhja e idesë pro ruse në Beograd me Karagjorgjeviqët e ka forcuar pansllavizmin dhe e ka shkaktuar Luftën e Parë Botërore.
Që nga atëherë e deri sot në Serbi nuk është larguar ndikimi rus. Forcat politike në Serbinë e sotme që dëshirojnë ta vazhdojnë idenë perëndimore të obrenoviqëve, janë të dobëta e gati të mosqenme. Kjo nuk është punë që rregullohet me dy a tri mbledhje të Evropës dhe Amerikës për ta zhdukur këtë ndikim. Madje, tashti tentohet që kjo të bëhet në llogari të Kosovës. Ky është një naivitet i mbështjellur me turp e që prodhon pasoja të rrezikshme. (Marrë nga profili i autorit në Facebook)