Selim Ibraimi- Britania e Madhe dhe Ukraina më 8 shkurt në Londër kanë nënshkruar “Deklaratën e Unitetit” duke u bërë “aleatë të vertetë”. Përderisa në veri dhe lindje të Evropës po lindin blloqe të reja dhe aleanca, në jug të Ballkanit ende vazhdon të qëndrojë status- quoja e cila rrezikon edhe ashtu paqen e brishtë.

Kur tani Evropa Lindore ka marrë një pamje tjetër pas sulmit rus, dhe kur Ukraina po armatoset me teknologjinë e fundit të SHBA-së dhe të Britanisë, një shprazëtirë e madhe po ndjehet në Ballkanin Perëndimor: disa shtete anëtare të NATO-s kanë një farë sigurie nga aleanca, ndërsa vendet jo anëtare jo vetëm që rrezikohen drejtpërsëdrejti nga Rusia, Kina dhe Serbia, por janë pjesë e një loje më të madhe, të ndryshimeve të brendshme territoriale.

Rrezik potencial ekziston në Kosovë dhe në Bosnjë, e në veçanti në Kosovën e veriut ku tani me përpjekjet ndërkombëtare të SHBA-së dhe BE-së për të themeluar asociacionin e komunave serbe para nënshkrimit të ndonjë marrëveshje përfundimtare në mes dy shteteve, po krijohet një gjendje e re në Ballkan që çon drejt një destabilizimi në një të ardhme të afërt.

Në këtë vrull të  ngjarjeve që vijnë nga DC-ja, Londra, Berlini dhe presioni i Moskës për të traizra në Ballkan dhe në pjesët tjera jo stabile të Evropës, detyrohemi t’i kthehmi metodës gjeopolitike të studimit të ngjarjeve, dhe mundësisht të japin parashikime të sakta për atë se çka në pret në Ballkan, në Evropë dhe në raportet ndërkombëtare.

Siç dihet historikisht  hapësira dhe territori që nga lashtësia kanë luajtur një rol të rëndësishëm në hapjen e konflikteve të reja. Politikat detare dhe në tokë të Fuqive të Mëdha patën rol vendimtar se si kombet u formuan dhe u zhvilluan, dhe si më tej u krijuan kushtet të zhvillohen luftëra të përgjakshme ideologjike dhe për territor. Sot, lufta në Ukrainë dhe pasiguria në Ballkan janë të njëjta, pasi Rusia dhe Serbia mundohen të vendosin një rregull të ri mbi bazë të forcës duke pushtuar terrritore të huaja me të gjitha metodat.

Për të zbërthyer më mirë këtë çështje aktuale të gjeopolitikës moderne, një nga përkrahësit kryesorë të po kësaj teorie Colin Grey, i cili i ndikuar nga britaniku Halford Mackinder dhe holandezi Nikollas Spykman, nënvizoi aderimin e shteteve apo qeverive në “ortodoksinë e gjeopolitikës klasike”. Çfarë kuptimi ka kjo? Kuptimi i gjeopolitikës klasike lidhet me forcën dhe metodat predatore të çdo shteti për të marrë më shumë dhe për tu forcuar si shtet në të gjitha fushat.

Duke u fuqizuar si shtet, qeveria përkatëse synon që të pushtojë  një hapësirë të re territoriale për të krijuar një “tampon zonë” ose një pjesë e cila ka rëndësi strategjike dhe është vitale për shtetin (shih: Donbasin dhe asociacionin e komunave serbe). Grey e përcakton gjeopolitikën si “studim hapësinor dhe praktikë të marrëdhënieve ndërkombëtare, e cila shpjegon dimensionin hapësinor dinamik të disa modeleve të vazhdueshme të konfliktit në marrëdhëniet ndërkombëtare.” “Fuqia tokësore dhe fuqia detare përplasen në Rimlandet euroaziako- afrikane dhe detet margjinale. Kontrolli i Rimlandit dhe deteve margjinale nga një fuqi izoluese nuk është sinonim i kontrollit të ishullit botëror, por nënkupton mohimin e hegjemonisë eventuale globale ndaj fuqisë Heartlandit.”

 Duke u nisur nga mendimtarët e gjeopolitikës klasike, mund të vërejmë se lufta për hapësirë dhe territor nuk do të përfundojë as në Ukrainë dhe as në Kosovë, dhe as më pak me politikat destruktive serbe për minimin e demokracisë në Mal të Zi dhe në Bosnjë. Ajo që mbetet shqetësuese është se Rusia është vendosur në anën e kundërt të historisë, kurse Serbia me butësinë e SHBA-së dhe BE-së, ka krijuar një imazh tjetër të shtetit paqësor në Ballkan. Se deri kurrë do të vazhdojë kjo gjendje nuk dihet.

Për të vërtetuar qëlllimet paqësore të çdo shteti në rajon, mbetet të testohet aktualisht vetëm roli serb në veri të Kosovës, me një tërheqje apo jo prej politikave të copëtimit të tokave të vendeve fqinjë. Këtë Serbia mund ta bëjë lehtë, duke u deklaruar se shndërohet në një shtet me vizion evropian dhe e fillon procesin e dëmshpërblimit ndaj popujve tjerë. Kurse Rusia këtë e ka vështirë ta bëjë, të kthehet në historinë moderne. Serbia ka gjasa, megjithatë është dyshimtë nëse do ta bëjë këtë rrugë.

Përkundër shpresës së SHBA-së për një rajon stabil, duke i parë deklaratat e zyrtarëve serbë brenda dhe jashtë, një gjendje të re vështirë se do të shohim në Ballkan. Ndoshta kjo do të jetë iluzioni i fundit i Perëndimit për një Serbi tjetër e në paqe me kombet për rreth. Kthimi në gjeopolitikën klasike të qeverive e ka bërë të veten, disa duke u bërë aleatë përshkak të agresionit rus, e disa sepse nuk janë në gjendje të përballojnë në vetmi sfidat e kohës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.