Nga Selim Ibraimi- Përderisa partitë politike dhe liderët e tyre të mërzitshëm po bëjnë pazare të posteve qeveritare, qindra qytetarë të Maqedonisë Veriore po qëndrojnë të grumbulluar me orë të tëra para objekteve bankare për të kryer shërbimet e domosdoshme. Kjo është një shenjë se një vatër e re e krizës dhe shpërndarjes së virusit po zhvillohet para syve tanë.

A e din ministri i shëndetësisë, i financave, MPB,  Zaevi, Ahmeti, Kasami, Mickovski, Gashi dhe Sela se si jetojnë qytetarët e thjeshtë dhe me çka ballafaqohen ata gjatë kësaj kohe? Sigurisht se kanë dëgjuar, po ende si kanë parë radhët e gjata të banorëve që qëndrojnë para bankave.

A ka një farë rendi në këtë shtet, logjikë të qeverisjes dhe të ballafaqimit me pandeminë? Qeveria e re duhet të krijojë menjëherë rend publik, sepse nuk do të ketë arsyetime tjera se pse numri i rasteve është rritur dhe është i pakontrollueshëm? E tash me këtë mentalitet politik do të shkojmë në BE dhe do t’i hapim kapitujt me Bashkimin Evropian?!

Punonjësit bankarë nuk kanë kurfarë zgjidhje tjetër veçse të rrezikojnë veten nga mos respektimi i protokolleve nga vetë ata që i sjellin dhe nga qytetarët që qëndrojnë më orë para dyerëve të institucioneve bankare.

Këtë farë malltretimi qytetarët nuk e meritojnë dhe shërbimet administrative duhet të rregullohen ashtu siç i ka hije një shteti në kohë pandemie dhe një qeverie që pretendon se do të na anëtarësojë në Bashkimin Evropian. A nuk jetojmë në kohën e virusit vdekjeprurës dhe ne në Maqedoni dëshirojmë të sillemi se asgjë nuk po ndodh që kur pandemia shpërtheu dhe u përhap?!

(ISSDMaqedonia-@CSSDMacedonia)