Nga Selim Ibraimi, Uashington- Me vite të tëra kërkonim shqiptarë të punësohen në Ministrinë e Jashtme të Maqedonisë Veriore (MV). Disa individë zunë pozita në kohën e PPD-së, të tjerë ishin nga rrethi i brendshëm i LSDM-së e disa të tjerë me Gligorovin apo Cërvenkovskin. Një grup tjetër duke i shfrytëzuar linjat e nepotizmit me partitë dhe shtetin- agjencitë e zbulimit, arritën të marrin disa pozita të larta në ministri, konzulata dhe në ambasadat e MV-së.
Sot, diplomacia e MV-së dhe e qeverisë së komunistëve të moderuar drejtohet nga një kuadër i BDI-së, nga mjeku i dalluar, kryediplomati Bujar Osmani dhe kuadro tjera që varen kryesisht nga udhëheqësit maqedonas. Kurse ministri Osmani është në varësi nga kryeministri Zaev dhe sektorët tjerë të inteligjencës që janë në funksion të qeverisë dhe ministrive.
Nuk ka shumë dilema këtu se të zgjedhurit e partive dhe ata që i kanë ndryshuar qëndrimet partiake së pari janë në funksion të shtetit, interesave dhe sigurisë maqedonase. Rrallë ndodh që zyrtarë të lartë të punësuar në MPJ, në MPB apo qoftë edhe në agjencitë e zbulimit të konsultohen dhe raportojnë së pari në parti se çfarë qëndrimi diplomatik dhe politik duhet të mbajë kur si përfaqësues vizitojnë shtete të huaja ose debatojnë rreth çështjeve të sigurisë kombëtare.
Vërshimi i individëve të pëlqyer nga shteti dhe qarqet politike në diplomaci, ka prodhuar “diplomatë” dhe “ekspertë” që sot i shohim në MPJ, konzulatat dhe ambasadat e MV-së.
Mendoni se çfarë përfaqësimi mund të kenë shqiptarët në SHBA nëse do të emërohet si ambasador Lubomir Fërçkovski, një nacionalist i viteve të 80- dhe 90-ta. Nuk është i vetmi Fërçkovski, ka edhe disa të tjerë shqiptarë që shesin kombëtarizëm por, për shkak të pozitave janë bërë pjesë e konceptit “Një shoqëri për të gjithë”. Klasa dhe grupi që i mbështet profilet e përmendura do të vazhdojë të paraqesë qëndrime thjesht të njëanëshme dhe në kundërshtim me interesat nacionale të shqiptarëve në Ballkan.
Fundja, figurat e kapura në MV, me një Kosovë dhe Shqipëri që nuk kanë politikë të jashtme, nuk çka pret më shumë, bashkë me “ekspertët” dhe “diplomatët” që sot përfaqësojnë kinse votuesin shqiptarë në institucionet e MV-së. Mos të harrojmë se në diplomacinë e MV-së ka profesionistë të dalluar nga të gjitha grupet etnike por, që janë të diskriminuar nga drejtuesit e sektorëve dhe grupet që vendosin se kush do të drejtojë një institucion apo përfaqësi diplomatike. (ISSDMaqedonia- CSSDMacedonia)
Foto kredit: MPJ Twitter