Shitja e municioneve serbe që ndryshoi Perëndimin, ndihmon Ukrainën dhe po godet Bosnjën dhe Kosovën

SELIM IBRAIMI- Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç paralajmëroi Perëndimin se do të ndalojë eksportin e armëve dhe të municionit. Kjo është mjaft e kuptueshme se Beogradi qysh herët nëpërmes kompanive të treta, ka shituar armë që më pas janë dërguar në Ukrainë. Në mungesë të armatimit të mjaftueshëm për ushtrinë ukrainase, ndihma serbe në rrugë të ndryshme ka qenë e rëndësishme dhe në kohë. Për këtë rol të Beogradit zyrtarë, Perëndimi e ka lejuar Serbinë të veprojë i lirë dhe as është shqetësuar për vendosjen e sanksioneve kundër Serbisë.

Deklarata e presidentit serb Vuçiç është një indikator tjetër për rolin e fshehur deri më tani të shtetit serb në luftën e Perëndimit kundër Rusisë në Ukrainë. Dhe prej këtu shumë gjëra marrin kuptim, dhe duken me qartë veprimet diplomatike se pse SHBA-të dhe BE-ja janë shumë të buta me Serbinë. Deputeti Michael Broth nga SPD-ja gjermane ka deklaruar se “BE dhe SHBA janë të vonuara të riformësojnë strategjinë në lidhje me Ballkanin Perëndimor dhe Serbinë. “Presidenti Vuçiç minon parimet drejtuese të BE-së, ai nxeh nacionalizmin dhe urrejtjen. Ajo që na duhet vërtetë është lidershipi i guximshëm për të nxitur pajtimin, sundimin e ligjit dhe demokracinë”.

Analistë ndërkombëtarë thonë se Vuçiçi nuk e do Serbinë në BE. Sipas analistes Ivana Stander “ai (Vuçiçi), dëshiron që Serbia në rrugën drejt BE-së të marrë vetëm paratë e BE-së dhe t’i përdorë për mbijetesën e tij politike, diktaturën dhe forcimin e shtetit mafioz.” “Serbia në vitin 2023 është ajo që Rusia ishte në fillim të viteve të 90-ta të shek. 20-të, dhe Perëndimi po bën sërish të njëjtin gabim”. Këto janë disa mendime që bëjnë zbërthimin e rolit serb në rajon, politikës së Perëndimit dhe së fundi ndihmës strategjike serbe në Ukrainë. Rusia nga ana tjetër ka ndaluar dhe po vonon dërgesat e grurit nga Deti i Zi. Kjo shkelje e rëndë e “Nismës së Drithit të Detit të Zi” vë në rrezik mungesën e ushqimit për miliona njerëz. Rusia duhet t’i përmbahet marrëveshjeve, por nuk e ka në plan të bëjë zgjerimin e nismës.

Ukraina përkundër lidhjeve të forta historike me Perëndimin, ka arritur të mbetet shteti ky mbrohet demokracia dhe rendi evropian. Në ndërkohë, në Ballkanin Perëndimor me Serbinë autokratike, Perëndimi synon të ruajë paqen dhe të bëjë disiplinimin e shteteve të vogla. Përkundër mungesës së demokracisë dhe shumë kritikave nga jashtë, Serbia ka arritur të jetë një ndërrues i lojës me Fuqitë e Mëdha.

Dërgimi i armëve serbe në Ukrainë, është një evolim tjetër në tregtinë e armëve dhe të forcimit të pozitës së Serbisë në politikën evropiane. Shitja e armëve nga Serbia në Ukrainë, tregon se Beogradi është në qendër të lojës, që mund të ndihmojë në ndërkohë veten dhe fuqitë e tjera evropiane për të fituar luftën bashkë me ukrainasit. Kjo nuk mund të pjestohet vetëm thjesht si tregti e shitjes së armëve. Serbët e kanë kuptuar në vitet e fundit se më e rëndësishme është leximi i sjelljes së liderve të Perëndimit dhe pastaj është lehtë të manipulohet me politikat e tyre.

Serbia marshon në situata të ndryshme dhe duke u paraqitur si lojtar i fortë, ka bërë që Perëndimi të mbetet pa pozicion, duke e pranuar përfundimisht pozicionin serb të “stabilitetit” ndaj rajonit ose të përballet me pasojat që dalin nga “Bota serbe”. Lidhur me lojën e municioneve të Serbisë dhe varësinë e Perëndimit, politika e Serbisë do të ndryshojë jo vetëm rajonin, por edhe perceptimin e BE-së dhe të SHBA-së ndaj Serbisë dhe rolit të saj në Ukrainë. Beogradi edhe pse thotë se nuk ka të bëjë me shitjen e armëve, e vërteta është ndryshe.

Perëndimi dhe Serbia janë në të njëjtën faqe në luftën në Ukrainë, dhe qeveria serbe ka një hapësirë të madhe për të luajtur me Perëndimin dhe shtetet e rajonit si Bosnja dhe Kosova, duke ushtruar presion ndaj SHBA-së dhe BE-së për të ndërmarrë veprime politike e diplomatike që janë të paarsyeshme ndaj këtyre shteteve. Realiteti është se armët serbe si duket po i kryejnë punë Perëndimit në Ukrainë. Dhe në këtë kohë të keqe e në veçanti për Kosovën dhe Bosnjën, shitja e municioneve serbe ka bërë që rajoni të duket ndryshe dhe Perëndimi të mbetet pa masa ndaj shkelësve të ligjit. Por, për Serbinë ky është një rikthim i madh në politikën evropiane, si dikur në shek. 19-20-të, falë industrisë së prodhimit të armëve.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.