Çlirimi i Beogradit nga ushtria sovjetike, roli amerikan në mbijetesën e RSFJ-së dhe të Maqedonisë pas 91

Vshtrim nga Selim Ibraimi- (CSSD)

Çlirimi rus i Ballkanit pati një ndikim të madh në politikën e pas luftës në Europën Juglindore. Kundërshtarë të komunistëve në Ballkan kishin shpresuar se forcat anglo-amerikane do të zbarkonin së pari në gadishull, por këto shpresa u thyen nga uljet e Forcave Aleate në Itali, Francën jugore dhe Normandi. Konferenca në Jaltë dhe Iran në mes Fuqive të Mëdha dhe e fundit në Uashington në mes amerikanëve dhe anglezëve e definoi qartë zbarkimin e ardhshëm të Forcave Aleate në Europë. Winston Churchilli deri në fund të vitit 1944 e përdori Ballkanin si një pazar të negociatave në përpjekjet e tij për të siguruar një marrëveshje më të mirë me Stalinin. Nën propozimin e Churchillit u ra dakord që Rusia do të kishte ndikim mbizotërues në Rumani dhe Bullgari, ndërsa Perëndimi do të gëzonte të njëjtin status në Greqi. Jugosllavia dhe Hungaria duhej të ndaheshin në mënyrë të barabartë, ndërsa Shqipëria nuk u përmend në bisedimet për të ardhmen e Europës dhe Ballkanit. Çekosllovakia më pas ra nën thundrën e kuqe. Besohet se pushtimi rus i Evropës Qendrore dhe ujdia e Perëndimit që këto shtete të mbeteshin nën Rusinë (BRSS) e ndihmuan krijimin e autoritetit të fortë komunist dhe shpërndarjen e idelogjisë që dominoi Europën Juglindore deri në fund të vitit 1989. “Iron Curtani” i ri në mes dy superfuqive krijoi një fatkeqësi për shqiptarët në Ballkan. Zyra e Shërbimeve Strategjike (OSS) më vonë e quajtur si Agjencia Qendrore Inteligjente (CIA), operacionet klandestine për të rrëzuar pushtetin e Enver Hoxhës të filluara në vitin 1946 i ndërpreu në vitin 1953, me urdhër të Presidentit amerikan Dwight D. Eisenhower. Gabimi amerikan tashmë nuk mund të përmirësohej dhe rendi i ri gjeopolitik duhej të balancohej me Jugosllavinë e Titos, i cili hoqi dorë nga Stalini në vitet 1948-1949. Kurse Maqedonia si republikë vazhdoi të konsolidohet deri në vitin 1991, kur u shkëput nga Federata Jugosllave. Amerikanët në vitin 1993 për herë të parë e hapën misionin e tyre diplomatik në Maqedoni nën udhëheqejen Victor D.Comras. Shtetet e Bashkuara e njohën zyrtarisht Maqedoninë në vitin 1994 dhe qeveritë vendosën marrëdhënie të plota diplomatike më vitin 1995. Në nëntor të vitit 2004, SHBA e njohën vendin me emrin e saj kushtetues: Republika e Maqedonisë. Pas largimit të trupave serbe nga Kosova në vitin 1999, kryengritja e shqiptarëve të Maqedonisë në vitin 2001 për amerikanët ishte një alarm rreth politikave të tyre në Maqedoni dhe në Ballkan. Intervenimi i NATO-s, siguria, paqja, shteti i së drejtës dhe ndërtimi i kombeve të reja u bënë pjesë e diplomacisë publike amerikane. (I)

Pjesë nga “Territori i heshtur”
(Dinamika të reja në Europën Juglindore)- 2017