Dr. Selim Ibraimi- Kemi hyrë në muajin e tretë të pushtimit rus të Ukrainës dhe të dyja palët ende nuk kanë shpallur fitore të plotë. Një gjë është e sigurt, Rusia nuk arriti të pushtojë plotësisht Ukrainën dhe të marrë nën kontroll Kievin, por shkaktoi shkatërrime masive të qyteteve, mijëra civilë të vrarë dhe miliona refugjatë. Pas fazës së parë të dështimit të strategjisë pushtuese të Rusisë, Moska siç pritej ndryshoi strategjinë dhe taktikat e saj duke u kthyer në zonat e dikurshme të Donbasit të vitit 2014 dhe duke vazhduar me bombardimin qytetit të Mariupolit. Pra, Rusia shpreson që në të ardhmen me betejën për Odesën, të arrijë të lidhet me Transnistrinë. Në fakt, nëse rusët arrijnë të ruajnë këtë status quo, atëherë ndarja e Ukrainës dhe bllokimi i saj nga Deti i Zi do të jetë një skenar real dhe i plotë.
Tani për tani, Ukraina duhet të vazhdojë të luftojë dhe të sulmojë territoret e kontrolluara nga Rusia. Por, forcat ushtarake ukrainase nuk mund ta bëjnë këtë pa armët moderne të SHBA-së dhe NATO-s. SHBA ka premtuar miliarda dollarë për të ndihmuar Ukrainën. Mirëpo për të nxjerrë Rusinë nga Ukraina, SHBA-ja duhej të kishte dërguar prej kohësh armë, nëpërmjet Polonisë për të mposhtur ushtrinë ruse. Në të njëjtën kohë ukrainasit do të kishin avancuar dhe parandaluar shkatërrimin e qyteteve nga rusët. Gjithsesi, me ndihmën konkrete të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, Ukraina do të ketë një shans më të mirë për të negociuar me rusët. Kur jemi tek blerja e armëve dhe e ndihmave të huaja, parashtrohet pyetja se sa i suksesshëm ka qenë në terren përdorimi i dronit turk- ‘Bayraktar’ nga ushtria ukrainase? Sigurisht që po! Padyshim ky duhet të jetë një sinjal i mjaftueshëm për SHBA-të, të fillojnë urgjentisht dërgimin e armëve të avancuara në Ukrainë dhe në vendet fqinj. Për të qenë një Ukrainë e fortë, ajo tani ka nevojë për armë të forta, dhe SHBA-ja e ka premtuar këtë!
Presidenti amerikan J. Bajden vizitoi fabrikën e raketave ‘Javelin‘ në Alabama dhe kjo është një shenjë e mirë se, SHBA synon të luftojë Rusinë në Ukrainë. Këto veprime të SHBA-së janë të rëndësishme për Ukrainën në luftën për të ruajtur integritetin e saj territorial. Nga ana tjetër, tani është koha për një ekuilibër të ri të fuqisë ushtarake, pasi rusët e dobësuar ka të ngjarë të qëndrojnë vetëm në pjesët e okupuara të Ukrainës. Por, në plan afatgjatë, për të parandaluar skenarin e arritjes ruse në Moldavi dhe më gjerë, armatimet dhe teknologjia ushtarake amerikane duhet të dërgohet pikërisht tani.
Në të njëjtën kohë, strategjia e re e SHBA-së do të parandalonte një destabilizim të mundshëm të Ballkanit. Dhe kjo do t’i dërgonte një sinjal të fortë Serbisë dhe serbëve të Bosnjës apo edhe atyre në veri të Kosovës se, nuk mund të luajnë me fatin e kombeve të tjera apo me stabilitetin e rajonit. Strategjia nuk duhet të lidhet vetëm me dërgimin e armëve në Ukrainë, por edhe ndaj aleatëve të SHBA-së në Ballkan, për të balancuar fuqitë ushtarake të shteteve ballkanike. E gjithë kjo duke marrë parasysh në kuadër të përpjekjeve të Serbisë për të armatosur dhe modernizuar aftësitë e saj ushtarake, me armë të avancuara kineze dhe ruse. Mediat amerikane kanë raportuar se inteligjenca e ndarë nga SHBA-të, ka ndihmuar forcat ukrainase të vrisnin disa nga gjeneralët kryesorë rusë gjatë luftës në Ukrainë. Uashingtoni i ka ofruar Kievit që nga fillimi i sulmit rus, informacione inteligjente shkruan gazeta amerikane NYT. Mbetet të shihet ndihma konkrete në mjete të rënda dhe të avancuara ushtarake si për Ukrainën dhe aleatët e saj në Ballkan. (I) (@CSSDMacedonia)
Përktheu nga gjuha angleze Blerim Abedini
Ibraimi mban titullin Ph.D. në Shkenca Politike nga SEEU dhe MA në Marrëdhënie Ndërkombëtare nga Webster University në Scott Air Force Base, Shtetet e Bashkuara.