Rruga drejt qeverisë, kundërshtarët po përgatiten të ulen në të njëjtën tryezë

Nga Selim Ibraimi – Shqiptarët në Maqedoninë Veriore nuk kanë opsione të mira për cilën parti të votojnë në zgjedhjet e 15 korrikut. Kritikët thonë se ky është fryti i punës dhe projekteve jorealiste të BDI-së së Ahmetit dhe partive të tjera që kanë qenë në pushtet. Partia Besa e z. Kasami në koalicion me LSDM-në e Zoran Zaevit do të përpiqet të devijojë votuesit e BDI-së, Aleancës së Shqiptarëve-Alternativës dhe PDSH-së në fushën e tyre. Nëse ata do të kenë sukses mbetet për tu parë. Qëllimi i koalicionit është të krijojë një avantazh ndaj VMRO-DPMNE-së dhe një situatë jo të favorshme për VMRO-në dhe BDI-në të formojnë qeverinë e ardhshme.

LSDM, Besa dhe Aleanca e Shqiptarëve mund të formojnë qeverinë e radhës me ish-kryeministrin Zoran Zaev, pa harruar PDSH-në e z.Thaçi, i cili mund t’i bashkohet grupit të udhëhequr nga LSDM-ja. Sela mund të bashkohet me koalicionin, por, duke e ditur që marrëdhëniet e tyre personale dhe rivalitetet politike me Kasamin dhe Zaevin, nuk janë  të mira, Sela ka pak gjasa të bashkohet me LSDM-në. Por këtu është një lojtar kryesor Alternativa që ka marrëdhënie të mira me ish-kryeministrin Zaev dhe nga këtu dyert e Selës drejt qeverisë mund të hapen, pasi ASH-ja është në koalicion parazgjedhor me Alternativën e Afrim Gashit.

Disa burime thonë se qeveria e re do të konsiderohet e qëndrueshme nëse VMRO-DPMNE-ja e Kristian Mickovskit dhe BDI-ja e Ali Ahmetit bien dakord të formojnë një qeveri, por kësaj here nuk dihet se cila parti do të mbetet jashtë lojës. Sidoqoftë, koalicioni i ri do të jetë i vështirë për tu formuar, pasi BDI-ja është e ndarë se me cilin grup do të krijojë koalicionin dhe nëse do t’i jepet mundësia të marrë drejtimin kryesor në negociatat për qeverinë e re. Pozicionet e Ahmetit janë të lëkundura dhe ai nuk ka të njëjtën fuqi si më parë, pasi reputacioni i tij është në rënie.

Gjithçka është e mundur në Maqedoninë Veriore, sepse kemi shumë të panjohura dhe raporti i forcave është i tillë  ashtu si është i ndërtuar nga vetë grupet e interesit. Sidoqoftë, ne do të kemi një fitues dhe një qeveri të re, e cila duhet të merret me rritjen e rasteve të infeksioneve  nga COVID-19 dhe numrit të lartë të vdekjeve.