Rejhan Neziri:”Shanset për radikalizim në familjet që e njohin fenë mirë dhe e praktikojnë atë, janë shumë të vogla”

[box type=”shadow” align=”aligncenter” ]Intervistë ekskluzive me teologun dhe ekspertin e çështjeve të ekstremizmit të dhunshëm z.Rejhan Neziri.Intervistoi Selim Ibraimi nga ISSDMaqedonia -@CSSDMacedonia.[/box]

 

Ekstremizmi i dhunshëm fetar

(CVE)

  • Në botën moderne kjo është e pandalshme. Në botën shqiptare e kemi nga të gjitha anët, nga të gjitha fetë dhe kulturat. Është e vështirë, është sfidë më vete, sidomos në një fazë dhe në një shoqëri ku ka mbizotëruar për një kohë të gjatë homogjeniteti. Jo vetëm rrymat e reja islame shihen si të papërshtatshme dhe si kërcënim për popullatën shumicë shqiptare muslimane, por edhe rrymat e reja krishtere shihen me të njëjtin sy nga shqiptarët e krishterë autoktonë. Personalisht prirem nga ajo që të ketë heterogjenitet dhe diversitet të shëndoshë, paqësor, jo të dhunshëm. Diversitetin nuk e shoh si kërcënim, por si pasuri dhe thesar.

 

ISSDMaqedonia: Cilët janë sipas jush, faktorët e ekstremizmit të dhunshëm fetar?

 

Rejhan Neziri: Varësisht nga vendi dhe rrethanat jetësore, ndryshojnë edhe faktorët që e mundësojnë radikalizimin dhe ekstremizmin e çdo lloji, por edhe të atij me motive fetare. Arsyet, shkaqet dhe motivet janë të ndryshme dhe të shumëfishta: shtytëse dhe tërheqëse, të brendshme dhe të jashtme, dhe aq më tepër, ato ndërveprojnë me njëra-tjetrën sikur të ishin një përzierje komplekse. Shkaqet që çojnë në ekstremizëm, sipas ekspertëve, mund të trajtohen në tri nivele: a. në nivelin individual, i cili përfshinë, ndër të tjera: problemet e identitetit, integrimin e dështuar në shoqëri, ndjenjën e tjetërsimit apo tëhuajësimit, margjinalizimin, diskriminimin, deprivimin relativ, poshtërimin (e drejtpërdrejtë ose të ndërmjetuar), stigmatizimin dhe refuzimin, shpesh të kombinuar me nëpërkëmbjen morale dhe ndjenjën e hakmarrjes, b. në nivelin rrethanor, i cili nënkupton mjedisin më të gjerë radikal – rrethin social mbështetës ose madje edhe bashkëpunues – i cili shërben si një pikë grumbulluese për zonën më të gjerë të grupit referues të ekstremistëve, i cili grup është shkelur dhe është duke i vuajtur padrejtësitë, çka për rrjedhojë mund të radikalizojë pjesë të një grupi të rinjsh dhe të çojë në formimin e organizatave ekstremiste dhe terroriste, dhe c. në nivelin shtetëror apo politik, i cili nënkupton rolin e qeverisë dhe të shoqërisë në vend dhe jashtë, radikalizimin e opinionit publik dhe të partive politike, tensionimin e marrëdhënieve shumicë-pakicë, sidomos kur bëhet fjalë për diasporën e huaj, si dhe rolin e mungesës së mundësive socio-ekonomike për të gjithë sektorët e shoqërisë, gjë e cila çon në mobilizimin dhe radikalizimin e të pakënaqurve, që disa herë mund të marrë dhe formën e terrorizmit. Pra, këtu kemi një gërshetim të faktorëve të ndryshëm personalë, socialë, politikë, ideologjikë, por thuajse aspak fetarë. Duhet theksuar se feja, e me këtë edhe xhamia, nuk është faktor radikalizimi për të rinjtë muslimanë. Ajo ndërfutet më vonë në këtë proces nga elementë të caktuar për të legjitimuar veprimet ekstremiste dhe terroriste të tyre ose edhe spontanisht gjatë interesimit dhe hulumtimit për fenë nga ana e këtyre të rinjve. Ajo që bie në sy me rastin e identifikimit të të rinjve muslimanë që po radikalizohen, është fakti se ata rrjedhin kryesisht nga familje jofetare ose nga familje që e njohin dhe e praktikojnë fenë shumë dobët. Shanset për radikalizim në familjet që e njohin fenë mirë dhe e praktikojnë atë, janë shumë të vogla.

 

ISSDMaqedonia: Nga Ballkani për në Lindjen e Mesme disa qindra individë shkuan në luftërat në Siri dhe Irak, si e konsideroni këtë lëvizje dhe a mund të bëhet ndonjë paralele me luftërat në Lindjen e Mesme dhe Anatolli gjatë viteve 1915-1916?

 

Rejhan Neziri: Shqiptarët përgjatë historisë janë solidarizuar me popuj dhe ushtri të caktuara, që i kanë njohur si të vetat ose si të shtypura. Ndër të tjera e kemi edhe pjesëmarrjen e afro 34 të rinjve shqiptarë (në mesin e tyre edhe Asim Vokshi, Xhemal Kada etj.) në luftën civile të Spanjës të viteve 1930-ta. Besoj që ky është një fenomen jo pastër shqiptar. Bashkëngjitja e të rinjve dhe e të rejave shqiptare në radhët e këtyre organizatave ekstremiste dhe terroriste të Lindjes së Mesme nisi më shumë me qëllim humanitar dhe solidarizues, për t’i ndihmuar në logjistikë popullit të atjeshëm kundrejt udhëheqësve tiranë. Nuk kanë munguar as rastet kur janë nisur drejtpërdrejtë edhe për të luftuar në krah të muslimanëve të atjeshëm të shtypur. Në fillim, radhët e atyre që luftonin atje nuk ishin gjithaq të qarta. Më vonë kur u qartësua se kush kundrejt kujt po lufton, për çfarë synimesh dhe çfarë strategjie luftarake po përdornin, atëherë thuajse ishte vonë t’i zmbrapsje njerëzit tanë që atje, sepse në ndërkohë ata ishin identifikuar edhe ideologjikisht me grupin e caktuar luftarak. Sidomos me daljen në skenë dhe me shtrirjen e shpejtë të ISIS-it në tokat siriane dhe irakiane, u shpërhap, në masë të madhe përmes internetit dhe rrjeteve sociale, pretendimi famoz se u krijua shteti i shumëpritur “islam”, i cili premton paqen, mirëqenien dhe sigurinë për muslimanët. Kjo shërbeu edhe si një mjet joshës për shumë të huaj, ndaj edhe shqiptarë, që të bënin hixhret (të shpërnguleshin) atje për të jetuar përfundimisht në të ëndërruarin shtet islam. Ndërkaq shumë shpejt u kuptua se kjo ishte një tullumbace e cila së shpejti do të plaste. Kjo nuk ishte kështu për të indoktrinuarit, të cilët besonin fuqishëm se po e bënin gjënë e duhur, në kohën e duhur, duke u gjetur në prehrin e këtyre organizatave, për ta çlirimtare.

 

ISSDMaqedonia: Gjatë procesit të riatdhesimit të luftëtarëve të huaj në Ballkan, çfarë roli pozitiv mund të luajë kleri fetar?

 

Rejhan Neziri: Imamët dhe hoxhallarët në përgjithësi mund të kenë rol pozitiv vetëm në procesin e përpunimit të ideve fetare ekstremiste në kokat e këtyre ish-luftëtarëve. Ata mund t’ua ofrojnë atyre qasjen jetë-afirmuese dhe paqe-ndërtuese të Islamit, kundrejt asaj militante. Nuk mjafton vetëm shkëputja fizike nga grupet ekstremiste, duhet të kryhet edhe deradikalizimi i tyre, pra braktisja dhe refuzimi i ideologjisë ekstremiste të cilën e kishin përqafuar më parë. Këtu rol të madh luajnë imamët e përgatitur dhe trajnuar mirë, jo vetëm nga aspekti teologjik, sepse këtë ideologji duhet ta shembin në radhë të parë me argumente fetare. Këto ideologji ne shpesh i damkosim si jo islame, për ta hedhur një barrë të rëndë nga shpina jonë. E vërteta është se këto ideologji mbështeten në tekste të shenjta fetare, në rastin tonë në Kur’an dhe në sunnetin, praktikën, e Muhammedit a.s. Pra, këta imamë, ndër të tjera, duhet të dëshmojnë se këto grupe ekstremiste mbështeten në mënyrë të gabuar në tekstet fetare, se ato me këtë rast aspak nuk kanë mundur të bëjnë dallimin midis rrethanave historike dhe karakterit historik të teksteve fetare nga njëra anë dhe rrethanave të sotme si dhe interpretimit të teksteve fetare sipas kontekstit të sotëm, nga ana tjetër. Problemi kyç qëndron aty se këto grupe fillimisht e gjenerojnë ambientin dhe klimën e të shkelurve dhe të shtypurve, e pastaj, si rrugëdalje të vetme e paraqesin fenë e ngurtësuar e të interpretuar në formën që do t’u përshtatej nevojave të tyre militante. Pra, kemi luftë të mbështetur gabimisht dhe në mënyrë abuzive në mësimet fetare. Në takimet e tyre me këta ish-luftëtarë hoxhallarët do të duhej t’i theksonin këto aspekte dhe kontekste. Kjo kërkon kohë dhe durim… por, jo vetëm angazhimin e hoxhallarëve. Këtu duhet të përfshihen edhe punëtorë socialë, psikologë e sociologë si dhe të gjithë ata faktorë që i patën krijuar kushtet lehtësuese për përhapjen e ideve radikale dhe ekstremiste si dhe më vonë për lindjen dhe paraqitjen e grupeve ekstremiste. Këtu kam parasysh familjen, shkollën, mektebin apo xhaminë bashkë me Bashkësitë Islame në nivel shteti, organizatat joqeveritare, mediat, partitë politike, qeveritë e kështu me radhë. Të gjithë këta, në forma dhe nivele të ndryshme, në një farë forme kanë dështuar në parandalimin e radikalizimit. Pikërisht këtu qëndron edhe përgjegjësia për riatdhesim, risocializim dhe riintegrim të shëndoshë të këtyre ish-luftëtarëve dhe familjeve të tyre në shoqëri. Si parandalimi ashtu edhe deradikalizimi bëhen me angazhimin e përbashkët të të gjithë këtyre faktorëve dhe institucioneve. Askush nuk e ka luksin ta përjashtojë vetveten nga kjo përgjegjësi

 

ISSDMaqedonia: Socializimi i tyre në vendet përkatëse është jashtë standardeve për shkak të mungesës së kushteve. A mendoni se informimi dhe rehabilitimi adekuat shtëpiak është një ndër masat e duhura?

 

Rejhan Neziri: Fillimisht duhet të matet potenciali i rrezikshmërisë së tyre për shoqërinë ku ata kthehen. Në bazë të kësaj edhe do të ndërmerren masat adekuate për risocializim dhe riintegrim. Në mënyrë paralele, sidomos kur janë në pyetje ish-luftëtarët, do të duhet t’u nënshtrohen programeve të përshtatshme për deradikalizim. Programe të këtilla kanë zhvilluar shtete të ndryshme lindore dhe perëndimore, të cilat mund të përvetësohen duke u përshtatur sipas nevojave dhe rrethanave të vendit. Kjo në radhë të parë është punë e shtetit. Do të ishte shumë joserioze dhe naive që shteti këtë punë, pra procesin e deradikalizimit, t’ia lërë në dorë shoqërisë e aq më tepër familjes, të cilat janë të paafta dhe të papërgatitura për këtë punë komplekse. Rehabilitimi shtëpiak mund të vijë në pyetje vetëm për gratë dhe fëmijët si dhe për ata që tanimë besohet se nuk paraqesin rrezik për shoqërinë.

 

ISSDMaqedonia: Si i shihni rrymat e ndryshme fetare në Ballkan që nuk përputhen me Islamin?

 

Rejhan Neziri: Në botën moderne kjo është e pandalshme. Në botën shqiptare e kemi nga të gjitha anët, nga të gjitha fetë dhe kulturat. Është e vështirë, është sfidë më vete, sidomos në një fazë dhe në një shoqëri ku ka mbizotëruar për një kohë të gjatë homogjeniteti. Jo vetëm rrymat e reja islame shihen si të papërshtatshme dhe si kërcënim për popullatën shumicë shqiptare muslimane, por edhe rrymat e reja krishtere shihen me të njëjtin sy nga shqiptarët e krishterë autoktonë. Personalisht prirem nga ajo që të ketë heterogjenitet dhe diversitet të shëndoshë, paqësor, jo të dhunshëm. Diversitetin nuk e shoh si kërcënim, por si pasuri dhe thesar. Këtu, natyrisht, nuk mund t’i përfshij rrymat manipuluese, dezintegruese, ekstremiste dhe të dhunshme. Jam kundërshtar i prerë i tyre. Me këto duhet të merren jo vetëm bashkësitë e etabluara fetare, por edhe vetë shtetet, të cilat e kanë për detyrë ta ruajnë jo vetëm lirinë e besimit, por edhe paqen dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të saj. Shtetet ballkanike, për të dëshmuar se kinse janë pjekur për integrime evro-atlantike ose për arsye të tjera, shpeshherë u japin përparësi konfesioneve dhe grupeve fetare të reja, duke i anashkaluar dhe madje duke i diskriminuar bashkësitë e mëdha fetare, të cilat janë edhe autoktone. Kjo mund të jetë gjithmonë një arsye plus drejt një radikalizimi dhe ekstremizmi të ri. (ISSDMaqedonia-@CSSDMacedonia)

 

Shënim:  

[box type=”info” align=”alignleft” ]Rejhan Neziri është imam dhe mësues i lëndës fetare islame në Kreuzlingen të Zvicrës.Z.Neziri është bashkautor i librit: “Ekstremizmi në emër të Islamit”, DAIGS, Cyrih 2018. Rejhan Neziri është i lindur në Tearcë të Tetovës, Maqedonia Veriore, 1972. I filloi studimet në Universitetin e Sarajevës dhe i ndërpreu për shkak të luftës. Studimet i vazhdoi dhe i përfundoi në Universitetin e Bursës në Turqi, 1998. Magjistraturën në lëminë e sociologjisë së fesë, i mbaroi me sukses në po të njëjtin universitet në vitin 2000. Ai është autor dhe përkthyes i disa librave dhe shumë artikujve.[/box]