Nga Prof. Dr. Etem Aziri- Multietniciteti në princip nënkupton bashkëjetesën e më shumë etniteteve në një shoqëri të caktuar. Shtetet multietnike dallojnë ndërmjet tyre në shumë aspekte: E para, për nga përqindja e participimit të një etniteti në numrin e përgjithshëm të popullsisë; E dyta, për nga niveli i kulturës së përgjithshme të çdo etniteti në shoqëri; E treta, për nga niveli i konsensusit shoqërorë, etj. Si shtete më të dalluara që i stolisin karakteristikat e lartëpërmendura në Evropë llogariten, Zvicra me demokracinë e saj konsesuale dhe Belgjika me demokracinë konsociative (bashkëshoqëruese). Demokracinë konsociative në formën burimore e ka përpunuar Lijphart dhe paraqet një formulë relativisht efikase në tejkalimin e problemeve në shoqëritë e fragmentuara.
RMV si shoqëri ku lufta politike zhvillohet ndërmjet ,”shumicës së vogël” dhe ,”pakicës së madhe”, qe e detyruar pas konfliktit të vitit 2001 që të pranon një model hibrid për tejkalimin e situatës së krijuar në shtet, i cili model do të gërsheton elementet konsesuale dhe konsociative. Ky model që në fakt ishte i imponuar edhe nga faktorët relevant ndërkombëtarë është 100% i favorshëm për ,”shumicën e vogël” dhe për elitat politike të ,”pakicës së madhe”.
Të jem më i qartë për lexuesin e rëndomtë. Ajo që ndodhi me nënshkrimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit është në favor të RMV-së si shtet, etnitetit maqedonas, elitës politike maqedonase, pakicave etnike (turq, rom, serb, boshnjak, etj.), dhe ELITAVE POLITIKE SHQIPTARE në RMV. Çka ndodhi me shqiptarët si popull ?! Pozita e tyre mbeti gati se e njëjta, pa kurrfarë ndryshimi cilësorë krahasuar me periudhën paraprake. Shqiptarët edhe më tutje mbetën në po të njëjtin ,”thes” me pakicat etnike në RMV. Rruga e gurbetit mbeti alternativë e vetme. Shqiptarët si popull edhe më tutje luajnë ,”rolin e gomarit në dasëm”!
Sa u përket qeverive të koalicionit në vendet multietnike ku nuk aplikohet një formulë magjike si ajo që është në Zvicër, ndodhin fenomene që vështirë sqarohen teoretikisht dhe shkencërisht.
Të sqarojmë fenomenin e qeverisë në RMV. Te të gjitha qeveritë në RMV, filluar nga ajo mbipartiake e Nikolla Klusevit e deri më sot (por me gjasa të vazhdon edhe më shumë decenie), dallojmë dy kategori-ministrat dhe “numrat”. Ministrat kanë pushtet faktik mbi tërë shoqërinë, përfshirë këtu edhe ,”numrat”. Dhe tani parashtrohet pyetja: A kanë pushtet dhe cilat janë privilegjet e ,”numrave”?
Ata kanë pushtet të plotë mbi etnitetet që i përfaqësojnë. Sa u përket privilegjeve as që ka nevojë të bisedohet! Janë gjëra që të gjithë ne i shohim. Unë jam thellë i bindur se një qeveri vetëm me ministra dhe pa asnjë ,”numër” dukshëm do ta kishte avansuar çështjen shqiptare në RMV. Unë jam i hapur për biseda me të gjithë njerëzit qëllim mirë pa marrë parasysh se cilit subjekt i takon. Nuk është qëllimi të kritikojmë dhe të kritikohemi, por të ofrojmë zgjidhje. Numrat do të shndërrohen në ministra atëherë kur partitë shqiptare do të ndërtojnë një strategji të përbashkët për hisen shqiptare pa mos i dëmtuar në asnjë mënyrë maqedonasit dhe pakicat etnike që jetojnë në RMV.
Garat brenda-shqiptare le të vazhdojnë por jo me stilin dhe fjalorin aktual. Disa politikanë shqiptarë shprehin nervozizëm nëqoftëse ndonjë shkencëtarë paralajmëron të ardhmen. Disa gjëra që sot duken utopi nesër do të bëhen realitet. Shqiptarët në RMV përjetuan fazën e unitetit (nënkuptohet të rrejshëm) që zgjati shumë shkurt dhe fazën e përçarjeve që zgjati më shumë se dy decenie e gjysmë. Çka na pret në të ardhmen ( normalisht pas 15-20 vite)? Relativizimi i plotë i shqiptarizmit duke votuar për partitë jo shqiptare dhe duke bërë koalicione parazgjedhore me partitë maqedonase– pra vazhdimi i politikës së ,”numrave”. Formimi i partive lokale dhe rajonale që janë sidomos karakteristikë për Zvicrën dhe Belgjikën.
Më vjen shumë keq që këtë ide e plasova tërthorazi në një koment, me çka e nervozova dhe humba një mik që e vlerësoj shumë, sepse është kulmorë në profesionin e vet. Dhe e treta, shqiptarët në RMV ( që realisht nuk më besohet), me një presion nga Kosova dhe Shqipëria të mbledhin mëndjet dhe avash avash nga ,”numra” të shndërrohen në mbartës funksionesh. Unë jam i vetëdijshëm se dikush më merr inat, por unë e bëj punën time. Kolegët tjerë që kanë, aftësi dhe njohuri shumë të gjërë merren me punë më madhore. Ata nëpër portale i zbërthejnë idetë e autorëve perendimorë në stilin tha, thotë…! Nastradin Hoxha kur e pa se nuk mund ta mban mbi shpinë një dru, e lidhi me tërkuzë (litarë) një pjesë të malit si justifikim para “difave”.
Një këshillë për gjeneratat e reja: “Mos e nxitni gjuhën e urrejtjes brenda shqiptarëve, mos mendoni se pa ndryshime në mentalitet do të ndryshon politika e ,,numrave””. Partitë vijnë e shkojnë ndërsa populli është i përjetshëm. Garat partiake janë të ligjshme. Misioni juaj human dhe kombëtarë është ,”numrat” t’i shndërroni në ,”ministra”! Kjo nuk bëhet me sharje, por me ndërtimin e vlerave kulturore të bazuara në një ,”kontratë brenda shqiptare”. (ISSDMaqedonia-@CSSDMacedonia)