NGA SELIM IBRAIMI (Sh.B.A.)Partitë politike në programet zgjedhore kanë projekte të ndyshme, ide dhe shpeshherë premtojnë gjëra të parealizueshme. Mirëpo ajo që më ra në sy në Programin zgjedhor të BDI-së, 2020 është ideja për një Muze ‘Iliro-Dardan’ në Shkup.

Nëse e kanë seriozisht si parti, kjo ide duhet mbështetur dhe përshëndetur padallime partiake. Muzeu i ka vlerat e veta, pasi ne do të dëshmonim historinë tonë dhe traditat që nga antikiteti e deri më sot. Në si shqiptarë si pjesë e Ilirisë, Mbretërisë Dardane dhe Mbretërisë së Maqedonisë, me muzeun para botës , do të vërtetonim prejardhjen tonë dhe natyrisht vazhdimësinë e së njëjtës popullatë duke i hedhur poshtë tezat serbe dhe maqedonase. Aty gjithashtu duhet të përfshihet jeta dhe organzimi politik i shqiptarëve të MV-së gjatë Perandorisë Bizantine, Osmane dhe deri në shekullin XX.

Megjithatë, nëse nuk mbetet vetëm në letër, muzeu nuk duhet të partizohet me anëtarë të partive dhe me drejtorë të paafatë që ndikohen nga qendrat politike dhe qeveritare. Të tillë kemi pasur dhe kemi mjaft në institutet dhe drejtoritë ku kryesorët në pozita drejtuese janë shqiptarë që emërohen nga partitë politike dhe rrethet e ngushta të grupeve të interesit financiarë. Ansambli, muzeu dhe forcimi i universiteteve me kuadro jo partiakë dhe klanorë, do të ishte investimi më i mirë për shqiptarët në MV-së, dhe paralelisht duke kërkuar nga qeveria buxhet për të mirëmbajtur dhe zhvilluar vlerat shekullore.

Mirëpo është e dyshimtë nëse qeveria maqedonase do të ndante mjete për mbrojtjen e trashigimisë kulturore dhe arkeologjike të shqiptarëve të MV-së, duke i marrë parasysh politikat asimiluese të organeve të shtetit maqedonas për të zhdukur historinë e shqiptarëve të MV-së sidomos epokën e sundimit Ilir dhe Bizantin. (ISSDMaqedonia-@CSSDMacedonia)