Historiku i zgjedhjeve parlamentare në Republikën e Maqedonisë së Veriut (1990-2020)

Nga Dr. Muaz Agushi –

Zgjedhjet e vitit 2002

Me 15 shtator të vitit 2002 në një atmosferë të tensionuar pas konfliktit të vitit 2001 u zhvilluan zgjedhjet e rradhës. Karakteristikë e këtij cikli zgjedhor është se në skenën politike të bllokut politik shqiptar u paraqit një subjekt i ri Bashkimi Demokratk për Integrim e formuar nga disa udhëheqës të UÇK-së.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2002 u aplikua modeli proporcional për ndarjen e të gjitha 120 vendeve të deputetëve, ku territori i Republikës së Maqedonisë është i ndarë në gjashtë njësi zgjedhore, kurse nga çdo njësi zgjedhore zgjodhën nga 20 deputetë. Gjithsej 38 parti, koalicione partiake dhe kandidatë të pavarur u regjistruan në listat e kandidatëve në një ose më shumë nga gjashtë njësi zgjedhore. Nga gjithësej 1.664.296 votues të regjistruar, në zgjedhje dolën 73,4%.

Partitë shqiptare në këto zgjedhje garuan në pesë njësi zgjedhore, edhe atë në njësin zgjedhore 1, PPD me bartës Naser Ziberi, PDSH me bartës Menduh Thaci, PDK me Muzafer Haruni si dhe BDI me bartës Rafiz Aliti. Në njësinë zgjedhore 2 bartës të listës së kandidatëve për deputet ishin Ismet Ramadani nga PPD, Fatmir Asani nga PDSH, Xhezair Shaqiri nga PDK dhe Hisni Shaqiri nga BDI. Në njësin zgjedhore 3 vetëm dy parti shqiptare morrën pjesë më lista të kandidatëve, PDSH me bartës Maksut Bakiovski dhe BDI me Daim Hiseni. Në njësin zgjedhore 5 bartës i listës nga PPD ishte Haxher Alied, nga PDSH Xhevdet Nasufi, PDK me Mural Limanin dhe BDI me Gëzim Ostreni. Në njësin zgjedhore 6, aty ky partitë politike shqiptare shpresojnë në numrin më të madhe të votave, si bartës të listave ishin liderët e partive, PPD me Abdurahman Alit, PDSH me Arben Xhaferi, PDK me Kastriot Haxhirexha dhe BDI me kryetarin e saj Ali Ahmeti.

Edhe në këto zgjedhje pati ndërrim të pushtetit. Shumicën e fitoi Koalicioni “Bashkë për Maqedoninë” e udhëhequr nga LSDM. Koalicioni fitoi 60 mandate, prej të cilave LSDM 43, PLD 12, PDM 2 dhe nga një mandat të deputetit fituan Partia e Bashkuar e Romëve në Maqedoni (PBRM), Liga Demokratike e Boshnjakëve (LDB) dhe Partia Demokratike e Sërbëve (PDS). Koalicioni VMRO DPMNE- PL fitoi gjithësej 33 mandate. Prej të cilave 27 i fitoi VMRO DPMNE, 5 i fitoi PL dhe një mandat fituan Partia e Lëvizjes së Turqve në Maqedoni (PLTM) dhe Partia Socialiste e Maqedonisë (PSM).

Nga partitë shqiptare më së shumti vende në Kuvend fitoi partia e sapoformuar BDI me 16 mandate, edhe atë Rafiz Aliti dhe Fazli Veliu në njësin zgjedhore 1, Hisni Shaqiri dhe Nazmi Beqiri në njësin zgjedhore 2, Gëzim Ostreni dhe Aziz Pollozhani në njësin zgjedhore 5, ndërsa numrin më të madhë të deputetëve BDI fitoi në njësin zgjedhore 6 edhe atë Ali Ahmet, Teuta Arifi, Hazbi Lika, Nevzat Bejta, Agron Buxhaku, Talat Xhaferi, Ejup Rustemi, Abdilaqim Ademi, Xheladin Shatku dhe Huseini Husnixhevat. Në këto zgjedhje PDSH fitoi 7 deputetë, Menduh Thaci në njësin zgjedhore 1, Fatmir Asani në njësin zgjedhore 2. Në njësin zgjedhore 5 PDSH fitoi një deputet Xhevdet Nasufi ndërs në njësin zgjedhore 6 fitoi katër deputet, Arben Xhaferi, Zudi Xhelili, Ruzhdi Matoshi dhe Iljaz Halimi. PPD fitoi 2 deputetë, në njësin zgjedhore 2 Ismer Ramadani dhe në njësin zgjedhore 6 kryetari i kësaj partie Aburahman Aliti. Xhezair Shaqiri ishte deputeti i vetëm i PDK.

Mandatar i Qeverisë së re, pas 4 vitesh “pauzë”, përsëri ishte lideri i LSDM-së Branko Cërvenkosvki, ndërkaq në të u përfshinë edhe PLD dhe BDI.

Zgjedhjet e vitit 2006

Në këto zgjedhje të cilat u mbajtën më 5 qershor të vitit 2006, u shënua jehonë më e ultë, nga gjithësej 1.741.449 votues të regjistruar, në zgjedhje dolën vetëm 56% ndërsa partitë përsëri i ndërruan rolet. LSDM kaloi në opozitë, ndërkaq VMRO DPMNE e fitoi shumicën në Parlament.

Këto zgjedhje, sikurse edhe ato paraprake u zhvilluan sipas modelit zgjedhor proporcional për ndarjen e të gjitha 120 vendeve të deputetëve, ku territori i Republikës së Maqedonisë është i ndarë në gjashtë njësi zgjedhore, kurse nga çdo njësi zgjedhore zgjidhen nga 20 deputetë. Gjatë këtyre zgjedhjeve kishte edhe rivotimi në 29 vendvotime në njësitë zgjedhore 1,5 dhe 6 të cilat u zhvilluan më19 korrik 2019.

Për pjesëmarrje në zgjedhjet e vitit 2006 u paraqitën 33 lista të kandidatëve, prej të cilave 31 nga partitë politike dhe koalicionet dhe 2 nga grup zgjedhësish. Njëmbëdhjetë parti dhe koalicione morën pjesë në garën zgjedhore në gjashtë njësi zgjedhore, shtatë parti dhe koalicione paraqitën listat e kandidatëve për deputetë në pesë njësi zgjedhore. Katër parti dhe dy grupe zgjedhësish paraqitën listat e tyre të kandidatëve në vetëm një njësi zgjedhore.

Shqiptarët në këto zgjedhje morrën pjesë me katër parti dhe dy koalicione. Në njësin zgjedhore një, Partia Demokratike Kombëtare (PDK) për bartës të listës kishtë caktuar Azam Dautin, Alternativa Kombëtare (AK) Ridvan Bajramin, Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) Menduh Thacin, Partia për Ardhmëri Demokratike (PAD) Milaim Limanin. Kolaicioni Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) – Partia për Prosperitet Demokratik (PPD) për bartës të listës kishin caktuar Rafiz Alitin ndërsa koalicioni tjetër i përbërë nga Forcat e Reja Demokratike (FRD) – Aleanca Demokratike Shqiptare në Maqedoni (ADSHM), bartës kishin Zenun Fejzulla. Në njësin zgjedhore dy, PDK garonte me Xhezair Shaqirin – Komandant Hoxha si bartës liste, AK me liderin e partisë Harun Aliun – Komandant Kushtrimi, PAD me Nuhi Arifi, PDSH me Naser Ajdini, koalicioni BDI-PPD me Sadulla Duraku dhe koalicioni FRD-ADSHM si bartës të listës kishin liderin e FRD-së Hisni Shaqiri. Pjesë e koalicionit BDI-PPD në njësin zgjedhore tre ishte edhe Liga Demokratike e Boshnjakëve në Maqedoni, lideri i së cilës ishte edhe bartës liste i këtij koalicioni në njësin zgjedhore tre, ndërsa PDSH bartës së listës së kësaj partie në këtë njësi zgjedhore kishte Ilaz Memeti. Partia e vetme shqiptare që morri pjesë me listën e saj në njësin zgjedhore katër ishte PDK, me bartëse të listës Nurije Alioska. Në njësin zgjedhore pesë, shqiptarët garuan me dy parti dhe dy koalicione. PDK bartës liste kishte Bekim Kica, PDSH Garib Kaba, koalicioni BDI-PPD Fazli Veliu dhe koalicioni FRD-ADSHM bartës liste kishte Sali Ramadani. Koalicioni BDI-PPD në njësin zgjedhore gjashtë në këto zgjedhje bartës liste kishte liderin e partisë Ali Ahmetin i pasuar nga kryetari i PPD Abdulhadi Vejseli. PDSH garoi me liderin e partisë si bartës liste Arben Xhaferi. Koalicioni FRD-ADSHM bartës liste në njësin zgjedhore gjashtë kishte Vebi Ramadani, PDK Basri Aliti, AK Jeton Shasivarin dhe PAD liderin e saj Alejdin Demirin.

Fitues i këtyre zgjedhjeve ishte Koalicioni “Për Maqedoni më të mirë” i udhëhequr nga VMRO DPMNE me 45 mandate të deputetëve. Prej tyre 38 i takuan VMRO DPMNE. Koalicioni “Bashkë për Maqedoninë” e udhëhequr nga LSDM doli e dyta me 32 mandate. Prej tyre LSDM fitoi 23 deputetët. Partia e Re Social-Demokrate (PRSD) 7, VMRO-Partia Popullore (VMRO-PR) 6, Rindërtimi Demokratik  Maqedonisë (RDM) 1 dhe Partia për Ardhmëri Evropiane (PAE) 1 mandat.

Në këto zgjedhje në kampin politik shqiptarë fitues ishte koalicioni BDI-PPD, i cili fitoi 17 mandate të deputetëve ku BDI-së i takuan 14 mandate ndërsa PPD tre. Ky koalicion në njësin zgjedhore gjashtë fitoi dhjetë deputetë, Ali Ahmeti, Abdulhadi Vejseli, Teuta Arifi, Adnan Jashari, Xhevat Ademi, Selvije Saliu, Fadil Sulejmani, Aziz Pollozhani, Ajshe Selmani dhe Agron Buxhaku, në njësn zgjedhore dy fitoi tre deputetë, Sadulla Duraku, Safet Neziri dhe Zimrete Jakupi. Nga dy deputetë fitoi në njësin zgjedhore një, Rafiz Aliti dhe Blerim Bexheti dhe pesë Fazli Veliut dhe Tahir Hani. PDSH në këto zgjedhje fitoi 11 deputetë, edhe atë në njësin zgjedhorë gjashtë fitoi gjashtë deputetë, Arben Xhaferi, Ruzhdi Matoshi, Elmaze Selmani, Besim Dogani, Daut Rexhepi-Leka dhe Vlora Memeti. Në njësin zgjedhore një deputet të PDSH u zgjodhën Menduh Thaci dhe Imer Selmani dhe në njësin dy Naser Ajdini dhe Flora Kadriu dhe në njësin zgjedhore pesë fitoi një deputet Garib Kaba.

Pas këtyre zgjedhjeve mandatin për formimin e qeverisë e kishte lideri i VMRO DPMNE. Në përbërjen e saj u përfshinë përfaqësues të Koalicionit të udhëhequr nga VMRO DPMNE, PDSH dhe PRSD. Qeverinë e mbështeti RDM dhe PAE, të cilët nuk fituan vende të ministrave. VMRO-PP votoi “pro” qeverisë, por nuk u bë pjesë e qeverisë. Karakteristikë e kësaj përbërje qeveritare ishte se edhe pse BDI fitoi më shumë vota dhe deputet në kampin shqiptarë, VMRO DPMNE për partner të veti nga partitë shqiptare e mori PDSH e Menduh Thaçit. Që më vonë do të rezultoi me krizë politike dhe me bllokada nga ana e deputetëve të BDI dhe si rezultat i gjithë këtyre bllokadave në mars të vitit 2008, PDSH mori vendim të braktis Qeverinë.

Zgjedhjet e vitit 2008

Dy vjet pas fitimit të pushtetit, VMRO DPMNE e pranoi nismën e BDI-së në Kuvend për shpërndarjen e parlamentit dhe për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme. Në pajtim me Kushtetutën, Parlamenti votoi shpërbërjen e vet më 12 prill 2008 dhe shpalli zgjedhje të parakohshme të cilat i caktoi me 1 qershor 2008. Propozimi për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme u mbështet nga partitë më të mëdha qeveritare, VMRO-DPMNE dhe PDSH. Vendimi u kundërshtua nga partitë opozitare maqedonase LSDM dhe PDL. Votimi gjithashtu u kundërshtua nga disa partnerë më të vegjël të koalicionit qeveritar PRSD dhe PL.

Këto ishin edhe zgjedhjet e para të parakohshme parlamentare në Maqedoninë e pavarur. Zgjedhjet u zhvilluan sipas modelit zgjedhor proporcional për ndarjen e të gjitha 120 vendeve të deputetëve, ku territori i Republikës së Maqedonisë është i ndarë në gjashtë njësi zgjedhore, kurse nga çdo njësi zgjedhore zgjidhen nga 20 deputetë. Në votim dolën 75,06% nga gjithsej 1.779.116 qytetarë të regjistruar me të drejtë vote.  2 koalicione, 16 parti politike dhe 2 kandidatë të pavarur kishin parashtruar listat e kandidatëve për regjistrim në KSHZ. Pas shqyrtimit të të gjitha dokumenteve të  parashtruara, më 4 maj, KSHZ-ja e refuzoi aplikimin e Partisë Punëtore Mbarë-Maqedonase, për shkak të dështimit në kompletimin e deklaratës për etnitet për disa nga kandidatët e vet. KSHZ konfirmoi 78 listat e kandidatëve për gjashtë njësi zgjedhore. Prej tyre, në njësn zgjedhore 16 lista, në njësin zgjedhore dy 15 lista, në njësin zgjedhore tre 11, në njësin zgjedhore katër 10, në njësin zgjedhore pesë 12 dhe në njësin zgjedhore gjashtë ishin gjithësej 14 lista të kandidatëve.

Koalicion “Për Maqedoni më të mirë” e udhëhequr nga partia në pushtet VMRO-DPMNE  përbëhej nga 19 parti, ndërsa koalicion i udhëhequr nga LSDM përbëhej nga tetë parti, të cilat morën pjesë me emrin koalicioni “Dielli-Koalicioni për Evropë”.

Në këto zgjedhje shqiptarët garuan me pesë parti politike. Bartës të listave të kandidatëve të partive shqiptare në njësin zgjedhore 1 ishin: Xhelal Shabani nga BDK, Imer Selamni nga PDSH, Blerim Bexheti nga BDI, Eshtref Iseni nga PPD dhe Teuta Zllatku nga BDSH. Në njësin zgjedhore 2, bartës i listës nga BDK ishte lideri i kësaj partie Hisni Shaqiri, Ismet Ramadani nga PPD, Abedin Zymberi nga PDSH, Teuta Ajeti nga BDSH dhe Xhemail Jashari ishte bartës i listës nga BDI.  Në njësin zgjedhore 3 garuan vetëm dy parti shqiptare, edhe atë BDI me bartës të listës Irfan Limani dhe PDSH me Muarem Imeri. Të njëjtat parti shqiptare garuan edhe në njësin zgjedhore 5. BDI si bartës liste kishte Fazli Veliun ndërsa PDSH garonte me Arben Xhaferin. Në njësin zgjedhore 6, si zakonisht bartës të listës ishin liderët e partive. Abdulhadi Vejseli ishte bartës i listës së PPD, Menduh Thaci i PDSH, Ali Ahmeti i BDI, Bardhyl Mahmuti i BDSH si dhe Milaim Fejzi ishte bartës i listës së BDK në këtë njësi zgjedhore.

Dita e zgjedhjeve u trazua me incidente të dhunshme, frikësime dhe mbushje të kutive për votim në rajonet e banuara kryesisht me shqiptarë (në komunën e Tetovës, Gostivarit, Vrapçishtës, Bërvenicës, Bogovinjës, Tearcës, Zajazit, Dibrës, Cairit, Sarajit, Cucer-Sandevës dhe Haraqinës). Megjithëse gjendja e sigurisë u stabilizua gjatë ditës në këto rajone, incidentet e mëngjesit shkaktuan vdekjen e një personi në Haraqinë dhe disa të tjerë u plagosën. Në deklaratat e tyre post-zgjedhore, të dy partitë shqiptare vazhdimisht akuzuan njëra-tjetrën se kishin vjedhur votat dhe se kishin përdorur dhunë. Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, vazhdimisht kërkonte dorëheqjen e rivalit të tij, Ali Ahmetit, i cili, nga ana e tij, bënte thirrje për izolimin e PDSH-së dhe të kryetarit të saj. Më 5 qershor, BDI-ja protestoi në mënyrë paqësore kundër dhunës në zgjedhje. PDSH-ja aplikoi retorikë të fuqishme, ndërsa në deklaratën e saj paralajmëroi se “kasaphana politike” të cilën BDI-ja e “mbijetoi” gjatë zgjedhjeve të 1 qershorit do të vazhdonte gjatë rivotimeve më 15 qershor dhe se BDI-ja do të mposhtej bindshëm. Pas shqyrtimit të hollësishëm të ankesave nga ana e Komisionit Shtetëror Zgjedhor, më 15 qershor, zgjedhjet u përsëritën në 187 vendvotime, dhe më pastaj, më 29 qershor, edhe në 15 vendvotime

Koalicioni “Për Maqedoni më të mirë” e udhëhequr nga VMRO DPMNE, nga gjithësej 120 deputetë të mundshëm fitoi 63, e që deri në atë kohë ishte numri rekord. Prej atyre 53 i takuan VMRO DPMNE-se. Nga partitë e koalicionit PSM fitoi 3, ndërsa nga një deputet fituan Lidhja Demokratike (LD), RDM, Partia Demokratike e Turqve në Maqedoni (PDTM), PDS, PBRM, VMRO – Maqedonase, Partia për Aksion Demokratik të Maqedonisë (PAD). Në vend të dyte ishte koalicioni “Dielli-Koalicioni për Evropë” i udhëhequr nga LSDM me gjithësej 27 deputet. Prej tyre 18 u përkisnin LSDM-së, që është numri më i vogël i deputetëve deri më atëherë. Vendet e tjera në parlament i fituan anëtarët e koalicionit PLD 4, PRSD 3, ndërsa PL dhe Alternativa e Re (AR) fituan nga një mandat deputeti. Edhe PAE si parti e cila garoi e vetme në këto zgjedhje fitoi 1 mandat.

Në kampin politik shqiptar BDI doli fituese me 18 deputetë. Në njësin zgjedhore 1, BDI fitoi tre deputetë, edhe atë Blerim Bexheti, Ermira Mehmeti dhe Femi Jonuzi. Në njësin zgjedhore dy deputetë të BDI u zgjodhën Xhemail Jashari, Safet Neziri, Zumrete Jakupi dhe Hajrulla Misini. Fazli Veliu dhe Tahir Hani u zgjodhën deputetë nga rradhët e BDI në njësin zgjedhore pesë, ndërsa në njësin zgjedhore gjashtë BDI fitoi 9 deputetë të udhehequr nga Ali Ahmeti, Teuta Arifi, Rafis Aliti, Talat Xhaferi, Xhevat Ademi, Lindita Qazimi, Adnan Jashari, Hisen Xhemaili, Julieta Marku. Në këto zgjedhje PDSH fitoi 11 deputetë. Imer Selmani ishte deputeti i zgjedhur në njësin zgjedhore një nga rradhët e  PDSH, ndërsa Abedin Zymberi dhe Flora Kadriu në njësin zgjedhore dy. Arben Xhaferi ishte i vetmi deputet i cili u zgjodh nga PDSH në njësin zgjedhore pesë, ndërsa në njësin zgjedhore gjashtë deputetët nga rradhët e PDSH ishin, Menduh Thaci, Besim Dogani, Merale Uzeiri – Ferati, Imer Aliu, Sulejman Rushiti, Sadije Iljazi dhe Daut Rexhepi – Leka.

Qeverinë përsëri e formoi Nikolla Gruevski ku pjesë e kësaj qeverie ishte edhe Bashkimi Demokratik për Integrim. Në përgjithësi, zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 2008-ës nuk i plotësuan obligimet kyçe të OSBE-së. (II)