Për cilin nacionalizëm flet kandidati presidencial Bujar Osmani?

Nga Selim Ibraimi- Në skenën politike shqiptare janë shfaqur disa shqetësime e sidomos gjatë fushatës presidenciale. Ndërsa të dy kandidatët në fillim ishin të qetë dhe pa akuza, më vonë pamë një rritje të kritikave në mes Bujar Osmanit nga BDI, (kandidat presidencial i mbështetur nga Fronti Evropian) dhe Arben Taravarit, (kandidati tjetër shqiptar që ka mbështetje nga VLEN-i). Në veçanti, zëri dhe zemra e votuesve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut janë me dr. Taravarin, i cili është një figurë karizmatike dhe e respektuar brenda e jashtë vendit. Ndërsa ministri aktual i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani është po ashtu i respektueshëm në botën diplomatike. Fuqia e tij buron vetëm nga votat e klientelës së Frontit Evropian, nga të dëgjueshmit e partisë së Ahmetit dhe partive më të vogla në shërbim të BDI-së. Për habi, dje në Malësinë e Tetovës kandidati për president Bujar Osmani tha se Fronti Evropian do të jetë mbrojtës i rrugës drejt BE-së dhe luftës kundër nacionalizmit. E pra, nga kjo pikë nuk dihet se cilin nacionalizm do të luftojë ai dhe Fronti Evropian? Mirëpo, ai duhet të jetë i drejtpërdrejtë dhe të thotë se nacionalizmi vjen nga VMRO-DPMNE-ja e djathtë ose nuk vjen nga VMRO-ja, por nga parti të tjera. Ai nuk e tha këtë, prandaj nga fjalimi i tij mund të shihet se ai po përpiqej të aludonte në partitë opozitare shqiptare që e përbëjnë VLEN-in, të cilat në përgjithësi nuk kanë kundërshtime ndaj kërkesave të ndërkombëtarëve. Luftimi i nacionalizmit nga Malësia e Tetovës nuk ka kuptim, pasi lideri i tij shpirtëror Ali Ahmeti asnjëherë nuk ka thënë hapur se do ta luftojë nacionalizmin. Deklarata e Osmanit u sjell shqiptarëve disa kujtime të këqija, pasi ju jep jehonë politikave të dikurshme staliniste të ish- diktatorit Enver Hoxha, dhe masakrave ndaj banorëve të Malësisë së Shqipërisë, të cilët kishin pikëpamje të ndryshme ndaj regjimit të Hoxhës. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut asnjëherë nuk e kishin menduar se pas 2002, mbështetës e të indoktrinuar nga ish- regjimi i Enver Hoxhës do të vepronin në skenën politike shqiptare. Shumimi i tyre tregon se ata janë të rrezikshëm për demokracitë e brishta dhe proceset zgjedhore. Sjellja e figurave të reja në BDI, për edukimin e popullatës shqiptare për luftën kinse ndaj "nacionalizmit" është e pa kuptimtë. Sepse nuk ka asgjë për të luftuar dhe nuk ekziston. BDI dëshiron të sjellë një gjendje të luftës së klasave që e kanë ndërtuar me vite. Të gjithë të tjerët që mendojnë ndryshe, sipas tyre duhet të shpallen armiqë. Andaj, lufta e BDI-së, e Frontit Evropian, kundër nacionalizmit duhet jetë më specifike. Ndoshta, "lufta" e tyre është një pikë takimi më ndryshe me VMRO-DPMNE-në, pasi ende kanë llogari të hapura nga 2016-17.