Gjendemi para transformimeve të mëdha që nga Lufta e Dytë Botërore. Pas luftës në Ukrainë, Ballkani, BE-ja dhe Evropa Lindore, kanë pësuar ndërrime të jashtëzakonshme. Shtetet e Ballkanit dhe BE-ja veprojnë të përçara dhe përkundër premtimeve se do të ketë zgjidhje të zënkave historike, kjo ende nuk ka të ndodhur. Një lajm të mirë e morën nga Brukseli, se Komisioni Evropian (KE) ka propozuar që Ukraina dhe Moldavia të marrin statusin e kandidatit. Nga ana tjetër, Pentagoni e ka shtyrë dërgimin e dronëve special dhe të avancuar amerikanë në Ukrainë. Ndërkaq në Ballkanin Perëndimor, përkundër lajmeve se ndërhyrja franceze do të zhbllokojë situatën dhe datë do të ketë në qershor për Shkupin dhe Tiranën, çështja në mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut vazhdon të mbetet pezull dhe të mos ketë zgjidhje përfundimtare.
1.Menjëherë pas sulmit rus në Ukrainë, Ballkani, BE-ja, bota demokratike dhe Maqedonia e Veriut u rreshtuan përkrah Kievit dhe frontit ndërkombëtar kundër sulmit rus. Për tu mbrojtur nga kërcënimet malinje dhe aktivitetet hibride, nuk mjafton vetëm rreshtimi gjeopolitik. P.sh. në Maqedoninë e Veriut, një anëtare e NATO-s dhe cila pretendon mjaft të hyjë në BE, sentimenti pro rus është i lartë. Gjatë një forumi ndërkombëtar në Ohër, zyrtarët thanë se rajoni është plotësisht me BE-në, ndërkohë harruan se një shumicë e konsiderueshme e popullatës ende vazhdon të kenë qëndrim favorizues ndaj politikave të Rusisë në Ballkan dhe luftës së padrejtë të Moskës në Ukrainë. Dihet se Ballkani Perëndimor për nga përbërja etnike dhe fetare është një territor i përzier dhe asnjë aktor ndërkombëtar nuk mund të japë vlerësime të qarta për të ardhmen dhe sa kohë ju duhet vendeve të rajonit plotësisht të integrohen në BE apo të quhen evropianë.
2.Pasi shumë zhvillime rajonale dhe globale nuk mund t’i zbërthejmë lehtë, lexuesi vazhdimisht është në dilemë të përhershme. “Dilema e Faustit” në gjeopolitikë është përshkrimi dhe metafora më e përshtatshme për gjendjen që kalojnë shtetet evropiane dhe ato ballkanike. Aktualisht, në shtetet që dikur kishin ndikim të theksuar të Rusisë, nga Evropa Lindore e deri në Ballkan, ende nuk mund të identifikohen lehtë aktorët se kush me cilin është- pra në emër të aleancave dhe koalicioneve globale. Kështu që vijmë deri tek përfundimi se marrëdhëniet ndërkombëtare janë më shumë se një “luftë hobsiane” dhe globalizimi tani i ka ndryshuar rregullat e shpërndarjes së fuqisë në disa njësi e që shpesh për lexuesin dhe shikuesin e rëndomtë nuk përbëjnë ndonjë interes, por që luajnë rol kryesorë për fatin e kombeve. Në këtë kaos global ku kemi hyrë, lirisht mund të bëjmë një paralele me të kaluarën historike të Europës së shek. XX. Kështu menjëherë pas vitit 1918, ushtria gjermane “Reichswehr” dhe qeveria e BRSS-së, pavarësisht se kishin qenë kundërshtarë dhe armiq gjatë Luftës së Parë Botërore, hynë në një bashkëpunim sekret për të marrë në dorë rendin evropian të krijuar pas Versajës. Sipas vlerësimeve të kohës, bashkëpunimi shtrihej në industrinë ushtarake për të ndihmuar të dyja shtetet që të ndërtonin atë pjesë të forcave të armatosura e cila u shkatërrua gjatë viteve 1914-1918.
Forcimi ushtarak, teknologjik dhe ekonomik më vonë të çojnë në përgatitjen e popujve evropianë për një luftë tjetër, atë të dytën e cila rrënoi gjithçka në Europë. Dilema e vazhdueshme e popujve tjerë ishte nëse të bëheshin pjesë apo jo e garës së armatimit pas asaj që ndodhi gjatë Luftës së Parë Botërore. Një paralele të tillë mund ta tërheqim me zhvillimet e pas 1918-ës dhe përpjekjeve aktuale dhe të mëdha për armatosje të europianëve për të përballuar kërcënimin rus. Furnizimi me armë të kohës së fundit të popujve europianë, të Ballkanit dhe të Ukrainës për të mposhtur Rusinë mund të na sjellë para vetes modelin faustian. Tani a do të bëjnë ujdi popujt europianë dhe të Ballkanit me djallin, duke aplikuar këtu “Modelin e Faustit” si metaforë për më shumë forcë dhe armatim në shkëmbim të një paqeje e cila do të mund të lëkundet në çdo kohë?! E gjithë kjo mbetet të shihet kur lufta në Ukrainë do të marë fund dhe një botë tjetër post- luftarake dhe ekonomike do të vendosë se cilat kombe do të mbesin në mëshirën apo rolin e modelit faustian. Siç dihet pazaret faustiane nga natyra janë tragjike ose vetëshkatërruese për popujt, sepse ajo që dorëzohet, në fund të fundit është shumë më e vlefshme se ajo që fitohet, pavarësisht nëse pazari global i fuqive të përfshira në konflikt e vlerëson apo jo këtë fakt.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.