SELIM IBRAIMI -INSTITUTI I STUDIMEVE TË SIGURISË DHE ZHVILLIMIT-

SHBA duhet të ndryshojë strategjinë në Ballkan. Disa diplomatë e kanë të vështirë të kuptojnë rolin hibrid të Rusisë dhe aktorëve të tjerë në Maqedoni.
Sondazhet para referendumit në Maqedoni të mbështetura nga Perëndimi tregonin rezultate pozitive, mbi 50%, por të dielën nuk ndodhi ajo që Bashkësia Ndërkombëtare priste. Sondazhet e ekzagjeruara nuk pasqyronin gjendjen reale në terren. Nuk është vetëm roli rus në Maqedoni, ka edhe disa faktorë tjerë të brendshëm që ndikuan në  rezultatin përfundimtar të referendumit të 30 shtatorit dhe daljen e dobët të  qytetarëve.

Pas këtij referendumi, Maqedonia është në një udhëkryq të gjerë, pasi shqiptarët etnikë pro-perëndimorë dhe të pakënaqur me politikat e qeverisë, ka gjasa të kërkojnë zgjidhje tjera në pesë vitet e ardhshme, përveç asaj që qeveria e Shkupit deri më tani ka ofruar si politika integruese dhe të kohezionit.
Siç duket, referendumi në Maqedoni, mund të shkaktojë rritje të ekstremizmit etnik, politik dhe pakënaqësi të  brendshme dhe e gjithë dilema të vazhdojnë midis maqedonasëve etnikë dhe shqiptarëve etnikë për orientimin gjeopolitik të vendit të brishtë.

Kriza e re në Maqedoni duhet të menaxhohet mirë nga Uashingtoni, me një përfshirje të drejtpërdrejtë dhe një ekip të ri. Bashkimi Europian, paralelisht duhet të caktojë një diplomat special dhe kredibil për arritjen e një konsenzusi etnik dhe partiak në Maqedoni, para se tensionet e brendshme të manifestohen në rrugët e Maqedonisë.

@selimibraimi

@CSSDMacedonia

(3.10.2018)