Mallkimi i fëmijëve të Manastirit, Çashkës, Idrizovës, po asimilohen me ‘kirilicë’!

Nga Naser Pajaziti- këtë përvjetor të Kongresit të Alfabetit Shqip, fëmijët shqiptarë të shumë vendbanimeve të Manastirit, Velesit, Çashkës, Idrizovës…etj, nuk iu gëzuan kësaj feste.
Ata janë një botë tjetër, të përjashtuar nga kjo festë. Ata nga mosha 6 vjeçe përballen me sfida dhe kalvare të llahtarshme, duke u detyruar që të ndjekin shkollimin në gjuhën maqedonase nga klasa e parë, sepse shteti nuk ia siguron të drejtën që të mësojnë në gjuhën e tyre amtare. Me vite të tëra këta fëmijë të vendbanimeve të thella rurale rriten e kaliten me shkonjat kirilicë. Ata janë “jetimët” e Marrëveshjes së Ohrit, këtij shteti që aspiron dhe po bën zhurmuesin e lirisë së të drejtave të njeriut pranë dyerve të Brukselit.
Por ana tjetër e këtij realiteti të trishtueshëm është se 15 vitet e fundit, thuajse të gjithë ministrat e arsimit ishin shqiptarë.
Vetëm pak kilometra nga Shkupi, për fëmijët shqiptarë të vendbanimit të Idrizovës nuk ka mësim në gjuhën e tyre amtare. Në shkollën që mban emrin
“Njegosh” sundimtarit malazez dhe të Mitropolitit të Cetinës të Kishës Ortodokse Serbe, ata nuk gëzojnë të drejtën që të mësojnë në gjuhën amtare nga klasa e pestë deri në klasën e nëntë. Ose të vazhdojnë maqedonisht, ose të detyrohen të udhëtojnë me dhjetëra kilometra në vendbanimet e tjera apo në Shkup për të mësuar në gjuhën e tyre. Komuna, por edhe shteti nuk ia mundëson këtë. Përkundër premtimeve, fëmijët shqiptarë të këtij vendbanimi janë pre e një loje politike.
Absurditeti më i madh është se shkolla “Njegosh” ka një kat të tërë bosh që nuk shfrytëzohet për mësim, për shkak të numrit të pakët të nxënësve maqedonas, por që nuk lejohet hapja e paraleleve shqipe nga klasa e gjashtë deri në të nëntën. Kundër hapjes së këtyre paraleleve janë çuar në protesta edhe prindërit e fëmijëve maqedonas, me arsyetimin se nuk ka kushte, mund të ketë probleme dhe padurueshmëri mes fëmijëve.
Fëmijët e fshatrave të largët të Çashkës e Velesit po ashtu janë pjesë e këtij diskriminimi. Shkolla qendrore në Çashkë numëron mbi 120 nxënës, ku 40 prej tyre janë nxënës shqiptarë që mësojnë në gjuhën maqedonase nga klasa e parë, për shkak se nuk u sigurohet mësimi në gjuhën amtare.
40 fëmijët e fshatrave Ellovec, Starigrad, Bosillcë, Banjicë, etj, nga mosha 7 vjeç detyrohen të mësojnë maqedonisht, janë të vendosur në konvikt për pesë ditë, ku duhet të qëndrojnë aty dhe janë larg familjeve të tyre.
Ata po asimilohen nën heshtjen e frikshme që ka kapluar këto vendbanime dhe zhurmën dhe perversitetin e politikës shqiptare institucionale dhe jashtëinstitucionale. Edhe aty prindërit maqedonas vazhdimisht çohen në protesta për të parandaluar hapjen e paraleleve shqipe, me arsyetime ndër të cilat edhe ato se si do të merren vesh fëmijët e tyre me ata shqiptarë, kur nuk do të dijnë maqedonisht, apo edhe se këtu është Maqedoni”.
Në Manastirin e Alfabetit dhe fshatin Këshavë e Dolencë janë vetëm pak paralele, ku ka mësim shqip, por që shumë lëndë dita ditës po mësohen në maqedonisht, me arsyetimin se nuk ka kuadro. Ndërsa nga 7 shkolla të mesme, asnjë paralele nuk është në gjuhën shqipe, dhe thuajse mbi 70 fëmijë shqiptarë detyrohen të regjistrohen në këto shkolla, ose të shpërngulen dhe të vijojnë mësimin në gjuhën amtare nëpër vendbanime tjera.
Janë edhe shumë vendbanime të tjera që përjetojnë këtë golgotë, ndërsa politika dhe zemërgjerësia shqiptare vijon me terkun e njejtë, me arsyen për të mos prishur marrëdhëniet ndëretnike.
Pas këtyre urimeve e përgëzimeve, asgjë e re për fëmijët shqiptarë në komunat Manastir, Veles, Çashkë, Gazi Babë (Idrizovë), të cilët kanë frikën në palcë që mos të flasin mbi këtë temë, që e ka në dorë dhe e mban peng politika e mbrapshtë, paaftësia e të zgjedhurve dhe zyrtarëve përgjegjës, që dobësitë i mbulojnë me arsyetimet mos të ndezim gjakrat dhe mos të hidhërojnë komshinjtë.
Pse po ndodhë ky diskriminim brutal antikushtetues. Pse nuk kërkohet përgjegjësi ligjore ndaj kryeministrit, ministrave përgjegjës, kryetarëve të komunave dhe drejtorëve të shkollave që po cënojnë të drejtat e fëmijëve shqiptarë, të cilëve u pamundësohet mësimi në gjuhën amtare. Ka masa ligjore penale edhe ndaj prindërve të organizuar nga motive politike. Shteti edhe ata duhet t’i godasë.
Mos të heshtin gjithë ato shoqata, ekspertë e nisma qytetare. Partitë që bërtasin e shkruajnë vetëm në internet, pse nuk organizojnë e ndihmojnë prindërit e këtyre vendbanimeve të ndërmarrin veprime ligjore. Kjo është e drejtë elementare demokratike që garantohet edhe me Kushtetutë! Tejkaloni interesat e juaja, mjaft më! Sot duhet të drejtojmë sytë kah këta fëmijë “jetimë” që po lëngojnë e mallkojnë, dhe nuk po shijojnë ëndrrën e tyre!
(Marrë nga profili i autorit në Facebook)