Nga Selim Ibraimi- Mungesa e një përfaqësimi real të diasporës nga shqiptarët e Maqedonisë në Shtetet e Bashkuara (SH.B.A.) është e qartë dhe e domosdoshme për tu organizuar tani. Ashtu si çështja në atdhe po keqpërdoret nga partitë politike ku axhendat personale financiare dhe grupore në momente të caktuara i interpretojnë si kombëtare, shfaqja e përfaqësuesve të vërtetë nga diaspora shqiptare e Maqedonisë Veriore në SH.B.A. është më e nevojshme tani. Siç dihet, shumë procese politike në Maqedoni varen nga Uashingtoni, ku shqiptarët nga Maqedonia duhet të kenë një përfaqësim të drejtë, dinjitoz  dhe lobim të fortë. Çështja nuk mund t’u lihet as grupeve të caktuara që janë përqendruar në axhendat personale dhe grupore në (SH.B.A.).

Për dekada, shqiptarët në Ballkan, shqiptarët në të gjithë botën dhe në SHBA kanë qenë të përqendruar në çështjen e Kosovës. Tani Kosova ka diplomacinë e vet, një buxhet dhe natyrisht mund të bëjë shumë punë dhe nuk ka më nevojë për ndihmën e shqiptarëve nga Maqedonia dhe shqiptarët e tjerë, sepse tani është e kundërta, shqiptarët e Maqedonisë duhet të përqendrohen menjëherë dhe profesionalisht mbi Kongresin dhe përfaqësuesit amerikanë ku formulohet politika e jashtme. Deri më tani nuk ka pasur përfaqësim të diasporës shqiptare në SH.B.A. që do të kishte të drejtë të përqendrohet në proceset e brendshme në Maqedoninë Veriore, nëpërmes ndikimeve në Kongres, Stejt Department dhe fushat tjera të lobimit. Një rishikim i raporteve të partive politike shqiptare kur formohen koalicionet, duhet të jetë një nga fushat e kujdesit që diaspora duhet të vëzhgojë dhe kjo ka të bëjë me mundësinë e devijimit të partive politike shqiptare në rrugën kur ato hyjnë në qeveri dhe natyrisht kur udhëheqësit shqiptarë të politikës, harrojnë se pse janë zgjedhur nga votuesit. Organizimi duhet të fillojë tani dhe pa humbur kohë. Në ndërkohë, abuzimeve që vijnë nga jashtë në emër të statusit të shqiptarëve duhet t’i jepet fund. Manipulimet duhet të ndalen tani, pasi ato po shihen nga të gjitha anët. (2020-2021)

 

Selim Ibraimi –është një analist shqiptaro-amerikan i politikës ndërkombëtare dhe studiues i çështjeve të Ballkanit.  Ai mban titullin Dr. në Shkencat Politike nga UEJL. Ai u diplomua për gazetari (BA) dhe ka një diplomë master (MA) në marrëdhëniet ndërkombëtare nga Universiteti Webster, Scott Air Force Base në Shtetet e Bashkuara. Ibraimi është autor i disa librave dhe botimeve për Ballkanin. Paqja e Ftohtë (10 vjet rikonfigurime gjeopolitike në Ballkan) -2016. Territori i luftës së heshtur (Trende dhe dinamika të reja gjeopolitike në Evropën Juglindore) -2018. Beteja vendimtare (Murtaja e ndryshimeve kufitare në Ballkan) -2019. -Ndikimi i Rusisë në Ballkanin Perëndimor-2021. Ibraimi  jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara dhe Maqedoni. Ai është drejtor i Institutit për Studime të Sigurisë dhe Zhvillim – Maqedoni (ISSDM).