Nga Selim Ibraimi– ASH-AAA dhe LSDM janë afër një marrëveshje për ligjin e nënshtetësisë në Maqedoninë Veriore. Pas takimit të fundit në mes Ziadin Selës (Aleanca e Shqiptarëve), Afrim Gashit (Alternativa) dhe kryeministrit Zoran Zaev, qëndrimet për një ligj të ri janë harmonizuar dhe sipas zyrtarëve partiakë, zgjidhja është afër. Mijëra qytetarë shqiptarë dhe nga etnitë tjera me dekada nuk kanë gëzuar të drejtat themelore për arsye burokratike, politike dhe shovinizmit institucional.
Përderisa palët në negociata kanë shprehur tone pozitive për ligjin e ri, partia e z. Ahmetit BDI e gjetur në një situatë të pakëndshme nga veprimet e ASH -AAA, filloi të kritikonte opozitën dhe publikonte shifra të ndryshme të marrjes së nënshtetësisë. Të njëjtat lëvizje i bëri edhe grupi i z. Bilall Kasami i cili para se të vinte në pushtet bëri premtime të mëdha për statusin e shqiptarëve, kurse pas hyrjes në qeveri, kritikët thonë se qëllimet e grupit ishin thjesht klanore dhe kënaqjes me pushtet nga oferta e LSDM-së. Në drejtim të kundërt me pritjet e elektoratit të grupit “Besa” për punë konkrete nga kryetari Bilall Kasami, zyrtarët nuk e përshëndetën këtë takim për një marrëveshje të mirë për të gjithë. Pozicioni i Ahmetit dhe i BDI-së pas përpjekjeve për ligjit të ri të nënshtetësisë, është humbës dhe poshtërues pas mosveprimit të tyre disa dekadëshe dhe parciale. Sela, Gashi dhe Zaevi duhet t’i mbajnë premtimet dhe ligji i ri pa zbatim nga organet maqedonase nuk do të ketë efekt. (ISSDMaqedonia-@CSSDMacedonia)