Legjitimiteti etnik është vendimtar për të vazhduar negociatat për formimin e një qeverie të re në Maqedoninë e V.

Nga Dr. Selim Ibraimi, (SHBA)- Partia fituese në Maqedoninë e Veriut VMRO-DPMNE ka arritur rezultate të jashtëzakonshme në mposhtjen e LSDM-së me dallime të mëdha në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale. Kandidatja presidenciale Gordana Silajnovska ka fituar 2 me 1 në rezultate ndaj kandidatit aktual Stevo Pendarovski. Sipas raportimeve jo zyrtare Silajnovska ka marrë gjithsej 65.04 %, ndërsa Pendarovski 29.29%. Po ashtu në zgjedhjet parlamentare, VMRO-DPMNE në bazë të rezultateve jozyrtare ka arritur një numër të konsiderueshëm afër 58 deputetë, partia e dytë është LSDM me 19 deputetë, ndërsa BDI-ja (Fronti Evropian) në krye me Ali Ahmetin me 18 deputetë. VLEN-i, opozita shqiptare me 13 deputetë ka arritur të përmbysë rezultatin e 24 prillit në disa komuna duke kaluar në epërsi ndaj partive që përbëjnë Frontin Evropian. Në terma të përgjithshëm, VMRO dhe VLEN kanë rënë dakord që do të formojnë një qeveri të re. Edhe pse Ahmeti në konferencën e tij për media tha se mban legjitimitetin e votuesve shqiptarë, e vërteta është se Fronti Evropian thjesht nuk përbëhet vetëm nga pesë parti shqiptare. Fronti Evropian është pjesë e grupeve të tjera etnike dhe komuniteteve të margjinalizuara. Pra legjitimiteti etnik dhe përbërja e koalicioneve është përcaktues i fituesit tek pala shqiptare. Andaj, legjitimiteti etnik fillimisht i takon VLEN-it për të vazhduar negociatat për formimin e një qeverie të re. Në njëfarë mënyre, gjërat mund të ndryshojnë, pasi BDI mund të prodhojë krizë për të rrëzuar qeverinë e re ose përpjekjet për të formuar qeverinë e re mund të hasin në vështirësi nga BDI si fituese në numra. Në përgjithësi, politika e qeverisë së re duhet të jetë vazhdimi i rrugës së INTEGRIMIT DHE REFORMËS, pavarësisht nga ndryshimet në politikën e brendshme. Megjithatë, disa kritikë kanë ngritur shqetësime për lidhjet e VMRO-së me Rusinë sidomos nga partia e Ali Ahmetit. Por, absurditeti shkon shumë larg, sa që një VMRO pro-ruse me BDI-në poqese formojnë një qeveri të re a do të jetë më pak pro ruse?! Pra e gjithë propaganda është pjesë e lojës politike për të mbajtur kundërshtarin në gjendje ankthi rreth hyrjes në qeveri dhe asgjë më shumë. Gjithashtu, ndryshimet kushtetuese janë pjesë e anëtarësimit në BE, gjë që partitë shqiptare e kanë treguar shumë qartë. Në veçanti, qëndrimi shqiptar për çështjet e BE-së dhe Bullgarisë mund të ndryshojë në njëfarë mënyre edhe VMRO-në. Zyrtarë të Departamentit të Shtetit janë shprehur se pavarësisht rezultatit, rruga evropiane e Maqedonisë së Veriut duhet të vazhdojë.