Deklarata e fundit e kryeministrit maqedonas Dimitar Kovaçevski në Parlament sugjeron se qeveria në Shkup vazhdon të mbajë një qëndrim të fortë në bisedimet me Bullgarinë. Kjo ndërkohë dëshmon për procesin e negociatave dhe pozicionin aktual maqedonas. Është ende e paqartë për ndryshimet eventuale të pozicionit bullgar.
“Ne duhet të shkojmë në BE në bazë të një sistemi meritash. Propozimet që nuk ofrojnë mbrojtje të qartë të gjuhës dhe identitetit maqedonas janë të papranueshme. Në të njëjtën kohë, çështjet historike dhe dypalëshe nuk duhet të jenë pjesë e kornizës së negociatave. Hapja e kushtetutës është një opsion vetëm nëse fillimisht kemi një konferencë ndërqeveritare, pa kushte të mëtejshme në procesin e anëtarësimi”- ka deklaruar sot kryeministri Kovaçevski.

Jo zyrtarisht në Shkup thuhet se një delegacion i MPJ-së së Maqedonisë së Veriut ka qëndruar në Sofje për të negociuar një marrëveshje të re duke marrë si bazë atë franceze. Gjithashtu në sfond të toneve dëshpëruese të politikës ditore, janë shtuar shpresat për një përfundim të sukseshëm të kontestit bullgaro-maqedonas, pasi Uashingtoni zyrtarë njoftoi se është në gjendje të ndihmojë në lehtësimin e negociatave.

(Selim Ibraimi) 29.6.22

Nga e majta kryeministri bullgar Kirill Petkov dhe nga e djathta ai maqedonas Dimitar Kovaçevski