NGA SELIM IBRAIMI– Është gjetur një zgjidhje që përfshinë një kompromis në mes palës bullgare dhe maqedonase e cila do t’i hapë rrugën fillimit të bisedimeve të Maqedonisë së Veriut me BE-në pas pranimit përfundimtar të propozimit nga të gjitha palët në Shkup. Gjetja e një zgjidhje për Kornizën e negociatave me BE-në ka qenë një ndër pengesat kryesore të pranimit apo jo të propozimit francez nga qeveria në Shkup.
“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme, ka pranuar propozim nga Presidenca Franceze me ide që i referohen qëndrimeve dhe qëndrimeve tona të shprehura publikisht. Kjo është baza për hapjen e një procesi të gjerë konsultativ fillimisht në qeveri dhe partnerët e koalicionit, e më pas me presidentin, parlamentin dhe opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend. Ashtu siç premtuam, vendimin për të ardhmen tonë do ta marrim bashkërisht, sipas meritave, në përputhje me interesat strategjike të vendit dhe të gjithë qytetarëve të tij. Ne dëshirojmë të falënderojmë Presidentin Makron dhe presidencën franceze për përpjekjet e tyre për të kapërcyer pengesat dhe për të ruajtur besueshmërinë evropiane në Ballkan”- thuhet në kumtesën e qeverisë në Shkup.
https://twitter.com/SPendarovski/status/1542526281421578240
Siç pritej, pas pajtimit kombëtar në Bullgari rreth kontestit me Shkupin, dhe pranimit të propozimit francez, çështja e suksesit apo e dështimit të negociatave varej nga Maqedonia e Veriut. Pranimi i propozimit nga ana e qeverisë së Maqedonisë së Veriut, në qoftë se ky propozim nuk do të hasë në kundërshtime politike dhe publike, pritet t’i çelë Shkupit zyrtarë rrugën drejt konferencës së parë ndërqeveritare.
Ende nuk ka detaje se çfarë përmban dokumenti dhe kur Shkupi duhet të hapë kushtetutën. Përfundimisht, Shkupi zyrtarë ka pranuar propozimin francez për zhbllokimin të procesit. Propozimi ashtu siç theksoi edhe vetë kryeministri Kovaçevski, duhet të debatohet, pranohet dhe votohet në parlamentin e Maqedonisë së Veriut. Tash e tutje përgjegjësia bie mbi Shkupin zyrtarë se kur do t’i fillojë bisedimet me Brukselin. BE-ja më në fund e ruajti integritetin e politikave të zgjerimit në Ballkan. Dhe fati i Ballkanit përsëri mbetet në duart e qeverive ballkanike. Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka bërë thirrje që ky propozim të pranohet nga vllezërit maqedonas dhe shqiptarë. (30.6.22)
SHËNIM: Standardet e ISSDMaqedonia për kërkime dhe analiza me cilësi të lartë, artikulojnë koncepte dhe vlera të vjetra të ekipit të ISSDMaqedonia në lidhje me veçoritë e studimeve me cilësi të lartë, analizave politike, monografive dhe metodologjive të qëndrueshme. Gjithashtu kjo tregon se si ekspertët e ISSDMaqedonia mendojnë, mbledhin, vlerësojnë, analizojnë, sintetizojnë dhe i publikojnë produktet përfundimtare. Lexoni analizat dhe vështrimet e ekspertëve të ISSDMaqedonia për të mësuar më shumë rreth të tashmes dhe së ardhmes.