SELIM IBRAIMI- Përparimi në teknologji barazohet me avancimin në probleme të reja që kanë vështirësi të zgjidhen në një shkallë të barabartë në të gjithë botën. Për këtë përparim, shtetet dhe kompanitë prestigjioze kanë investuar me vite. Inteligjenca artificiale (AI), po e ndryshon komunikimin tonë me institucionet dhe më gjërë.
Njëkohësisht po nxjerr në dritë disa dobësi të institucioneve të ndërtuara nga vetë njeriu dhe politikanët. Në SHBA, institucionet dhe agjencitë qeveritare, bashkë me korporatat e mëdha, po bëjnë instalimin e programe të AI-së. Shkruhet dhe debatohet shumë se AI do ta ndryshojë njerëzimin para vitit 2050. Sigurisht, se ky revolucion në fushën e teknologjisë informative cilësohet si një fitore për njerëzimin dhe kombet që kanë arritur të ndryshojnë mënyrën e komunikimit dhe zëvendësimin e qenies njërëzore me një inteligjencë artificiale.
Disa kritikë thonë se AI do t’i sjellë njerëzimit të këqija, e disa të tjerë e kundërshtojnë këtë duke thënë se poqese AI do të përdoret si duhet dhe nuk do të ketë keqpërdorime, do t’i sjellë njeriut dhe shoqërisë të mira, duke zgjidhur çështje të ndërlikuara, dhe pa dyshim këtu zgjidhjen e operacioneve të vështira në fusha të ndryshme.
Poqese kthemi në histori, e përpiqemi të shohim se çka konsiderohej fitore në atë kohë, dhe e krahasojmë me fitoret e sotme në teknologji, atëherë vërtetë këtu kemi një vakum të madh. Në Romën e lashtë, fitorja vlerësohej se ishte nderimi më i lartë që i bëhej një gjenerali fitimtar që vinte nga beteja. Nderimet jepeshin dhe u paguanin në atë kohë nga Senati. Dy mijë vite pas, nga pluhuri i perandorive të shkatërruara por me plot zbulime, Perëndimi sot, shtetet e zhvilluara të Azisë, dhe disa shtete të Lindjes së Mesme, janë lidere në disa drejtime të shkencës, dhe teknologjisë informative, duke arritur të bëjnë eksperimente me modelet e qeverisjes dhe natyrisht duke arritur përfitime të shumta në ekonomitë e tyre kombëtare.
Ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor shek. e 21-të e kanë filluar mbrapsht dhe punët nuk duken mirë. Fitore në shtetet e brishta të Ballkanit quhet kur një udhëheqës politik për një kohë të shkurtur bëhet i pasur, arrin të mbajë në kontroll gjykatat dhe një grup parlamentarë. Ai mundohet një kontratë të huaj ta drejtojë ku ai dëshiron. Po ashtu fitore quhet kur një kontratë përfundon në duart e individëve të caktuar, të një rrethi të ngushtë partiak dhe familjarë.
Kritikët mund të thotë se në Maqedoni të Veriut janë shpallur disa individë persona të padëshirueshëm për SHBA-të dhe çfarë tjetër dëshirojnë qytetarët? Ky nuk është argument i mjaftueshëm, pasi fitorja nuk është afër dhe procesi është afatgjatë në sferën e të qenit i përgjegjshëm dhe të mbajtjes së lidershipit përgjegjës. Nga ana tjetër, në Serbi fitore quhet kur qeveria serbe arrin me sukses t’ia ulë njohjet ndërkombëtare Kosovës ose kur ka trazira në veri. Në Shqipëri, po ndodh e njëjta. PS-ja i gëzohet situatës me Sali Berishën ose kur PD-ja me disa drejtues nuk arrin të bashkohet. Dhe e kundërta, PD-ja i gëzohet dhe e quan fitore kur një deputeti të PS-së i hiqet imuniteti dhe shumë raste tjera. Në Kosovë, po ashtu kemi një mentalitet të njëjtë. Në disa raste dhuna, komunikimi dhe sjellet e udhëheqësve janë jashtë standardeve. Parlamenti, raportet pozitë-opozitë dhe media, të shtyn të mendosh se Kosova lëngon nga një sëmundje e rëndë që nuk ka shërim.
Ndërsa në botën e zhvilluar, fitore quhet kur zbulohet ilaçi i një sëmundje, kur një spital disponon me qindra neonatal stacione për fëmijë të lindur parakohe, kur arrihet të mposhtet një agresor në betejë, kur rriten vendet e punës, kur rinia ka perspektivë, kur liria dhe lumturia bashkë me lirinë e besimit fetarë e rrumbullaksojnë të kuptuarit dhe rolin e qenies njerëzore në botë.
Ku po dështojnë politikanët tanë ta kuptojnë rolin e tyre në politikë dhe përgjegjësinë që kanë në shoqëri?! Këta liderë duhet të jenë shembuj për të mirë dhe veprat e tyre të kujtohen nga gjeneratat. Tash si mund të kujtohen për të mirë udhëheqësit tanë kur me vite po e grabisin qytetarin e thjeshtë. Ky lloji politikani po bën shumë pak për njeriun e thjeshtë dhe më shumë për veten, duke e treguar natyrën egoiste të tij, ashtu njëjtë siç thoshte Karl Marksi (1818-81) dikur kur ai i analizonte marrëdhëniet e borgjezisë dhe të protelariatit. Fitore- liderët e këtij lloji e quajnë kur grumbullojnë pasuri për familjet e tyre dhe rrethin e ngushtë, ndërsa për popullin thërmia në tryezë. Në këto raste, si lider është më mirë të mos urresh nga populli, por është e pashmangshme kjo situatë. Nikollo Makiavelli në botimin e tij “Princi”, të vitit 1532 në disa pika theksoi disa tipare të nevojshme për një lider si: një udhëheqës duhet të ketë virtyte të mira, të jetë inteligjent etj etj. Mirëpo, duke e aplikuar makiavelizmin për së mbrapshti, në politikë disa sfida edhe mund të zgjidhen, ndërsa një mënyrë e tillë udhëheqjeje mund të çojë në sjellje joetike, morale dhe mungesë besimi tek një drejtues politik që mundohet vjedhjen dhe format tjera të keqqeverisjes t’i quaj fitore. Kurse fitorja për shumicën është larg, duke mos siguruar lumturi dhe siguri. Dhe në fund e kemi vështirë ta kuptojmë se si duket fitorja në botën e një udhëheqësi nga Ballkani dhe një tjetri që ushtron aktivitetin e tij politik dhe shoqërorë në një vend të zhvilluar. Ndonjëherë luftërat dhe konfliktet në shoqëritë e fragmentuara sjellin koncepte të ndryshme që mund të ndryshojnë gjithçka.
Në rastin e luftërave ballkanike, nacionalizmi i rremë dhe patriotizmi gjithashtu i ka futur njerëzit në një kurth. Gjëja tjetër është se disa vdiqën, disa mbetën jashtë sistemit, por për disa në qeverisje dhe politikë e gjithë tragjedia është interpretuar si fitore, e këtu sigurisht në aspektin ballkanik dhe kombëtar të liderëve.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.