PARANDALIMI I KRIZAVE TË REJA NË MAQEDONI

SELIM IBRAIMI -INSTITUTI I STUDIMEVE TË SIGURISË DHE ZHVILLIMIT-

Përkatësia dhe besnikëria përtej retorikës kombëtare për kontroll dhe sovranitet territorial, të një populli, ilustrohet më mirë me historitë e errëta të disa shteteve europiane gjatë periudhës së nacionalizmit dhe ngritjes së vetëdijes kombëtare.

I.Kultura e frikës që është përhapur me dekada në Maqedoni i ka pasojat e veta në përditshmërinë ndëretnike të vendit dhe në ndërtimin e politikave joadekuate të mirëbesimit dhe përpjekjeve kundër çdo lloj ekstremizmi.

Për më shumë, kultura e frikës është një term që i referohet përhapjes së përceptuar të frikës dhe ankthit në diskursin publik, e më së shumti në shoqëritë multietnike dhe kjo, natyrisht, se ndikon në mënyrën se si individët ndërveprojnë me njëri-tjetrin në mjediset e përziera etnike.

Në Maqedoni kulturat e ndryshme nuk kanë vepruar si agjentë pozitivë demokratikë, por e kundërta ka ndodhur. Frika etnike për hapësirë, territor, sovranitet dhe shtypje kulturore ka luajtur rolin kryesor në thellimin e hendekut ndëretnik.

Vëretjet ndërkombëtare nuk kanë dhënë rezultate konkrete dhe kjo u dëshmua me Marrëveshjen e Ohrit dhe me mosndryshimin e qasjes së qeverisë dhe partive nacionaliste maqedonase, ndaj statusit të shqiptarëve të Maqedonisë.

Një pjesë të fajit këtu e kanë edhe liderët shqiptarë, të cilët më së shumti janë kujdesur për zhvillimin e një sistemi korruptiv dhe kleptokratik në mjediset shqiptare.

II.Këtu gjithashtu kemi disa çështje të hapura që do të vazhdojnë ta trondisin skenën politike të Maqedonisë. Konfrontimi i frikës së dy etnive, sipas analistëve ndërkombëtar mund të jetë fatal për Maqedoninë e brishtë.

Një version i frikës ndërfqinjësore i ka përshkruar raportet e Maqedonisë me Greqinë, Kosovën, Bullgarinë dhe Shqipërinë, për shkak të emrit dhe identitetit të diskutueshëm nga shtetet anëtare të NATO-s ose të BE-së.

Një menaxhim i ri nga aktorë tjerë, ndoshta do ta shtynte krizën shqiptaro-maqedonase dhe do ta largonte frikën, si mjet i politikës ditore, për ta vazhduar ankthin ndëretnik edhe për gjatë kohë në Maqedoni.

Kriza e ardhshme  shqiptaro-maqedonase që bazën e ka në metodat diskriminuese dhe burimeve të pakta ekonomike për shqiptarët, do të kërkojë menazhim paqësor të zgjidhjes së kontestit në mes shqiptarëve dhe maqedonasëve për sovranitetin, hapësirën territoriale dhe shpërndarjen e barabartë të burimeve ekonomike kombëtare.