Kam frikë se Uashingtoni nuk është gati të investojë në një strategji të re për Ballkanin

Nga Ivana Strander, SHBA- Shumë njerëz në Ballkanin Perëndimor nuk e kuptojnë se pse SHBA po mbështet presidentin serb Vuçiq. Ata besojnë se ka një “lojë” pas (unë jam rritur në Ballkan dhe teoritë e konspiracionit janë pjesë e kulturës). Por çështja është se, nuk ka një “lojë”. Uashingtoni ka krijuar politikën për Ballkanin Perëndimor për të mbështetur lojtarët më të mëdhenj në rajon (Shqipërinë dhe veçanërisht Serbinë) në mënyrë që raportet të mos përshkallëzohen dhe të jenë shtyllat e stabilitetit. SHBA gjithashtu shpreson që Serbia t’i thotë jo Rusisë në mënyrë që të mund të pretendojnë fitoren (kjo nuk do të ndodhë pasi Vuçiç nuk do ta braktisë Moskën, ai ka nevojë për Putinin dhe për mbijetesën e tij politike).

Kjo është pikërisht, strategjia që Uashingtoni e përdori në fillim të viteve ’90 me Millosheviçin kur SHBA po përpiqej ta qetësonte atë (pavarësisht nga raportet dhe paralajmërimet e CIA-s, të cilat tani janë të deklasifikuara), nga frika e përshkallëzimit. Strategjia qartësisht nuk ka funksionuar.

Kjo strategji nuk do të funksionojë as tani dhe, siç shkrova dje, “ekonomia e fortë” nuk do ta bëjë Ballkanin më paqësor. Vuçiq dhe Putin fjalë për fjalë, po qeshin me Uashingtonin dhe po luajnë me SHBA-në si fyell. Mos harroni gjithmonë se – mirësia është dobësi për Vuçiqin.

Shpesh njerëzit në Ballkan e keqkuptojnë se si funksionon Uashingtoni dhe mendojnë se këtu politika funksionon në mënyrë të uniformuar, të organizuar, të parashikueshme dhe të gjithë politikëbërësit janë të nivelit të lartë. Por asgjë nuk mund të jetë më larg nga e vërteta. Uashingtoni është shumë burokratik (nuk është çudi) me opsione të kufizuara për fleksibilitet dhe përshtatje ndaj rrethanave të reja. Gjithashtu, dje takova disa njerëz me të vërtetë të shkëlqyer në Uashington, por jo të gjithë politikëbërësit në Uashington janë të ditur, të zgjuar ose kureshtarë për të mësuar gjëra të reja… Ashtu si në çdo makineri burokratike.

Politika amerikane për Ballkanin Perëndimor ka qenë mjaft konsistente pas vitit 2000 (paqe me çdo kusht dhe izolacionizëm)… dhe rajoni sot është larg të qenit prioritet amerikan, gjë që është e kuptueshme.

Uashingtonit i pëlqejnë rregullimet e shpejta dhe “zgjidhjet” e menjëhershme dhe shpesh e percepton rajonin përmes lenteve amerikane. Për shembull, ekonomia mund të rregullojë gjithçka, por Uashingtoni e keqkupton ose minimizon rolin e fesë, politikës së identitetit dhe fesë. Ballkani Perëndimor është jashtëzakonisht kompleks dhe politika e “zgjidhjes së menjëhershme” nuk do të funksionojë. Rajoni kërkon një strategji dhe durim të ri dhe kam frikë se Uashingtoni nuk është gati të investojë në të. (@CSSDMacedonia)

(Ivana Strander është studiuese në @FDD dhe korrespondente speciale @KyivPost)