Intervistë me Pr. Dr. Hasan Jasharin, Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë (UEJL). Intervistoi Selim Ibraimi, @ISSDMaqedonia.
ISSD: Si e vlerësoni rolin e Rusisë në Ballkanin Perëndimor dhe kur sipas jush ka filluar ky ndikim?
Jashari: Rusia historikisht ka qenë e lidhur dhe ka pasur ndikim në Ballkanin Perëndimor. Ndikimet ruse janë të hershme dhe intensifikohen nga shekujt XIX dhe XX. Janë të njohura ndikimet e Rusisë në vendimet e Kongresit të Berlinit, Konferencës së Londrës, Parisit, Konferencën e Jaltës dhe pastaj me ndikime të drejtpërdrejta të Paktit të Varshavës. Ndikimi më i madh rus është ajo ideologjike e cila pas vitit 1918, si rrjedhim i Revolucionit të Madh të Tetorit, kjo do të zhvillohet nëpërmjet Internacionales Komuniste, me finansim dhe përkrahjen ekonomike të rrugëtimit të saj. Në këtë mënyrë përhapet komunizmi në Evropë e veçmas në Ballkan.
Në ngjarjet luftarake e viteve 90-ta në shekullin e kaluar në ish Jugosllavi, Rusia mbajti qëndrim të theksuar pro serb duke e arsyetuar në këtë mënyrë, gjenocidin në Bosnjë dhe Kosovë. Kjo do të vazhdon mëtej duke mbivendosur veto në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në rezolutat adekuate që dënojnë gjenocidin serb. Agens kryesorë të ndikimit në Ballkan përfshijnë mjetet hibride duke u bazuar në Ortodoksizëm dhe Pansllavizëm.
ISSD: Statusi gjeopolitik i Rusisë dukshëm ndryshoi pas ardhjes së Putinit. A qëndron ideja se Rusia kërkon kthimin e fuqisë së dikurshme nëpërmes ndërhyrjeve hibride dhe shfrytëzimit të fuqisë në organizatat ndërkombëtare?
Jashari: Putini dhe putinizmi shfaqen si dukuri e re dhe formë e veçantë e ndikimit, që manifestohet me liderizëm të fuqishëm si dhe me stilin sui-generis të spiunimit dhe mbikëqyrjes së rrjedhave politike në Ballkanin Perëndimor. Në raport me Kosovën, si dhe raporti demografik ndaj shqiptarëve dhe boshnjakëve, është e dukshme se Rusia dhe Putini akoma mbajnë qëndrim të fuqishëm pro serb. Po ashtu e shikuar në rafshin global Rusia është shumë më e pranishme se që ishte më para.
Putini me mjeshtëri di që të manipuloj me situatat në Bosnjë dhe Kosovë për shtrirjen e ndikimit rus. Si gjeneratorë për fuqizimin e rolit të Rusisë në organizatat ndërkombëtare e përdor Republika Srpskën në Bosnjë, pastaj serbët e Kosovës, Serbinë, serbët e Malit të Zi, etj.
ISSD: Në cilat fusha më tepër ka pasur efekt propaganda ruse?
Jashari: Propaganda ruse është evidentuar në disa parti politike në Serbi, ndër të cilat është Partia Socialiste Serbe (e dikurshme e Sllobodan dhe Mira Millosheviqit ndërsa tani e Ivica Daçiqit), Partia e Millorad Dodikut në Republika Srpska, Lista Serbe në Kosovë, “Demokratski Front” në Mal të Zi me liderin e saj Nikolla Medojeviç, etj. Këto parti si dhe parti të tjera të vogla janë “guralec në këpucë” për qeveritë në këto vende të lart përmendura.
Po ashtu janë të njohura mediumet në Ballkanin Perëndimor që shpërndajnë propagandën dhe ideologjinë putiniane të likudimit të kundërshtarëve politikë dhe shtypjes së opozitës. Në këtë aspekt, sistemi raketor rus S-400 ishte pjesëmarrëse në ushtrimet e përbashkëta mes Serbisë dhe Rusisë e njohur si “ Sllovenski štit 2019”. Po ashtu edhe Pancir S1- sistemi i mbrojtjes kundërajrore përfshin armatimin serb. Aeroplanët më të përsosur rus Mig-29, po ashtu janë pjesa sulmuese e aviacionit ushtarak të Sërbisë.
ISSD: Kisha ortodokse, rrjeti i saj, diplomacia, partitë politike, kultura dhe inteligjenca ruse konsiderohen si një ndër mjetet-shtyllat ku Moska mbështetet në shpërndarjen e politikës së saj. Pse e bën këtë Rusia?
Jashari: Kisha ortodokse de jure është e ndarë nga shteti gjithandej, por në Serbi, Mal të Zi, Bosnjë, Kosovë dhe Greqi ka një rol të rëndësishëm. Ajo shpesh ndërhyn në proceset politike, me trysninë e saj si dhe me mitet për mbrojtje, gjoja të Krishterizmit, manastireve dhe kishave. Kisha Ortodokse asnjëherë nuk i dënoi barbarizmat serbe si dhe nacionalizmin dhe pastrimin etnik të popullatës. Përkundrazi ajo i ka arsyetuar ato, gjoja me “vuajtjet e popullit serb”. Me këto mite manipulohet opinioni ndërkombëtar gjoja se, Rusia dhe Serbia mbrojnë Krishterizmin nga myslimanët e ish Jugosllavisë. Bile arrijnë të manipulojnë edhe Selinë e Shenjtë në Vatikan. Në këtë mënyrë manipulohet opinioni ndërkombëtar publik dhe fuqizohet roli politik i kishës në Serbi dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.
ISSD: A shihni ndonjë rivalitet ruso-perëndimor në Ballkan?
Jashari: Rivaliteti është aty dhe është i përhershëm. Përderisa Perëndimi, SHBA-të, Evropa Perëndimore dhe Japonia ndihmojnë zhvillimin ekonomik, arsimin dhe shëndetësinë, zhvillimin e infrastrukturës, imunizimin e popullatës me anë të vaksinave dhe kapitalin human, në kundërveprim Rusia nxit zhvillimin e qendrave të spiunimit, ndasitë etnike dhe fetare me forma te tejkaluara të Kominternës Komuniste dhe shërbimeve sekrete.
Shitja e armëve është një aset i rëndësishëm rus, sidomos ajo e sistemit raketor rus. Ky rivalitet shihet më kthjellët në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në raportet e Sekretarit Gjeneral të OKB-së, nëpër seancat që mbahen për Kosovën tek të cilat qëndrimi i Perëndimit dhe ai rus janë diametralisht të kundërta;
ISSD: A do të vazhdojë të ndikojë Rusia në Ballkan në dekadën e tretë dhe si?
Jashari: Rusia do të vazhdojë të ndikojë në të ardhmen nëpërmjet Kishës Ortodokse Serbe, rrjeteve të spiunimit, hakerëve digjital, shitjes së armëve, sulmeve kibernetike, barnave farmaceutike dhe shërbimeve mjekësore si që dëshmohet me vaksinat, por edhe nëpërmjet politikave dhe ideologjisë serbe të dominimit dhe hegjemonizmit në Ballkan. (ISSDMaqedonia – @CSSDMacedonia)